RECENSION
NJË KAPITULL HISTORIE I LUFTËS DHE SAKRIFICËS SONË PËR LIRI
Mehmet Halimi “ ANKTH E SHPRESË” Ditar nga ngjarjet e luftës, Prishtinë, 2020
George Santayana: “Ata që nuk mbajnë mend të kaluarën janë të dënuar ta përsërisin atë”
Shkruan: Ajete ZOGAJ
Figura poliedrike e akademik Mehmet Halimit, arsimdashës e atdhetar (nga një familje e dëshmuar me vite të tëra për qëndresë e sakrificë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës), dijetar e dialektolog i shquar, me penën e tij edhe pse në moshë, dëshmon vullnetin për të lënë gjurmë të pashlyera në kulturën, shkencën dhe historiografinë shqiptare.
Kronist i vyer
“Si çdo intelektual tjetër i ndërgjegjshëm, për vlerën dhe rëndësinë e shkrimeve që lë pas, edhe unë e ndjej si obligim moral, shoqëror e kombëtar që ‘trupin tim të pajetë ta dërgojë në dhe, ( në tokën mëmë), por diturinë time si pasuri mendore ta lë të shkruar mbi dhe. (arabe)” (fq. 339)
Mbase, i nisur nga ky mision i shenjtë, autori i këtij libri, akademik Mehmet Halimi, si një kronist i vyer, i ka dhënë vetës detyrë që të dokumentojë një të kaluar jo shumë të largët, periudhën e luftës së fundit në Kosovë, në lagjen ku jeton, në Breg të Diellit në Prishtinë, respektivisht periudhën kohore nga data 16 janar deri më 30 qershor të vitit 1999.
Janë ditë ankthi dhe shprese, secila ditë e përshkruar në ditarin e tij, ankth nga të papriturat që u ndodhnin çdo ditë, kur nuk dihej se çka do të sillte e nesërmja. Megjithatë, edhe në fund të tunelit gjithmonë gjendet një dritë…
Shqiptarët e Kosovës, qofshin ata në Prishtinë, në luftën psikologjike e nën tytat e xhandarmërisë serbe, qofshin ata në fshatrat e malet e Kosovës gjithandej, i mbante shpresa, se lufta e tyre ishte e drejtë dhe se liria ishte afër…
Rrëfim i përjetuar
Libri “Ankth e shpresë” ditar nga ngjarjet e luftës, i autorit Mehmet Halimi, shquhet për thjeshtësinë e rrëfimit. Është rrëfim i përjetuar të cilin e radhitë me penën e tij të vyer, herë- herë edhe me dritën e qiriut, sepse ishte kohë lufte. Rrëfimet e tij ditore, janë rrëfime të çiltra, ku përshkruhen ngjarje e ndodhi, situata të rënda ku shumë herë banorët e kësaj lagjeje por edhe vet autorin e këtij libri, i sillnin para dilemës hamletiane: “ Të jesh a të mos jesh”, të qëndrosh në shtëpi apo të marrësh rrugën e ikjes…
Shënimet e ditarit fillojnë në ditën e shtunë, 16 janar 1999, ku autori do të shkruaj: Kosova si Toplica e dytë. Ky krahasim i autorit me Toplicën ( ku në vitin 1877 /1878, vise të tëra të banuara me shqiptarë nga ai lokalitet, u dëbuan me dhunë nga makineria serbe). Kishin kaluar vite të tëra, e shqiptarët torturoheshin nga i njëjti pushtues e gjakatar: regjimi serb që kurrë nuk u ngop me gjak shqiptari… Një regjimi që donte një Toplicë të re në Kosovën e përgjakur…
Ishte Masakra e Reçakut, ajo që zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore se në Kosovë po kryhej krim kundër njerëzimit. Këto tablo trishtuese, të cilat pushtuan mediumet botore, tronditën edhe autorin e këtij libri, që një ditë më pas të fillojë të mbajë shënime të përditshme.
Kur lexon shënimet e këtij ditari, ‘lexon shpirtin’ solidar të autorit, që edhe kafshatën e fundit ta ndante me njerëz në nevojë, të cilët kishin lënë shtëpitë dhe ishin strehuar në shtëpinë e lagjen e tij; ‘lexon dhimbjen dhe brengën’, ‘lexon lotin’ e ndarjes me nipat e familjarët e tij (sepse askush nuk e dinte se çka mund të sillte dita që vjen).
Në libër janë dhënë shumë ngjarje e ndodhi, ngjarje të cilat autori i ka mbështetur në ato që ka përjetuar ai, familja dhe lagjja e tij, ngjarje e ndodhi që i dëgjonte qoftë nga fqinjët apo edhe ata që vinin nga vende të tjera jashtë Prishtinës, si dhe nga mjetet e informimit ( nga TV kur kishte korrent, e nganjëherë edhe nga një transitor i vogël).
Ngjarjet dhe personazhet
Në fletët e këtij ditari, defilojnë personazhe të shumtë, ngjarje e përjetime të rënda të cilat i rrëfejnë ata që ikin nga shtëpitë e vendbanimet e tyre, por edhe ata të lagjes së autorit e të tërë qytetit të Prishtinës nën dhunën e egër të makinerisë serbomadhe… Kryepersonazhi i këtij ditari, autori i librit, bën vizita të shumta tek fqinjët, për t’u konsultuar me ta, për të mësuar e për t’u solidarizuar me hallet e tyre. Fundja, hallet e tyre ishin halle të përbashkëta.
Janë drama të hidhura ato që përshkruhen në faqet e këtij libri (ditari) kur familje të tëra mblidhen për të formuar kolona të gjata dhe vendosin të ikin, shtëpi të mbetura zbraztë, shkolla pa nxënës, xhami e kisha pa besimtarë, qytetarë që torturoheshin e vriteshin çdo ditë..
Autori e kishte përjetuar rëndë arrestimin nga policia serbe të Zajm Kurtit me tre të bijtë, Nazmiut me djalin e tij Enverin, apo edhe rastet kur banorët detyroheshin t’i varrosnin familjarët e tyre në oborre “( Sami Pejën, familja e tij qe e shtrënguar ta varrosë në oborr të shtëpisë së vet. Ndërsa disa refugjatë shqiptarë i varrosen në male e në kufi të Maqedonisë, në kampin e Bllacës, si profesor Ahmet Munxhiun, prof. Fehime Mekulin, z. Bajram Zekën nga Cërnica e shumë të tjerë. Ky është absurdi i luftës, kohë kur asgjë s’është normale, kohë që nuk përfillë as ligje e as tradita fetare e kombëtare. Në kohë lufte ndodhin gjëra e ngjarje të pakuptimta, të papritura e të paimagjinueshme” fq. 123-124)
Në shënimet e ditarit, dr. Mehmet Halimi është shumë parimor, qoftë kur është fjala rreth luftës së UÇK-së, apo edhe personalitetit të dr. Ibrahim Rugovës, i zënë peng nga okupatori serb, për çka kishte bërë edhe një artikull tek gazeta “Bujku”.
Sipas autorit, jeta dhe lëvizja e qarkullimi u ishte kufizuar tepër, prandaj ishin mësuar me një lloj burgu shtëpiak dhe një lloj izolimi të dhunshëm. Megjithatë, vizitat tek njëri tjetri ishin bërë një lloj ngushëllimi e solidarizimi, por edhe për të këmbyer informacione, qofshin këto disa herë edhe të pavërteta. Veç fqinjëve të tij, autori viziton disa herë edhe etnologun Kadri Halimi të cilin e kishte edhe kushëri, por gjatë gjithë kohës mbanë kontakte me kolegët e tij të punës nga Instituti Albanologjik, e është i brengosur edhe për farefis të tij në Cërnicë, në Gjilan dhe kudo që ata ndodheshin.
Mjetet stilistike
Libri “ Ankth e shpresë” ditar nga ngjarjet e luftës, i autorit Mehmet Halimi, shquhet për stil të lirë rrëfimi e për gjuhë të pastër e ta pasur me fjalë e shprehje të urta qoftë nga leksiku e gurra burimore shqipe, apo edhe thënie nga autor të huaj, gjithnjë në kontest të rrëfimit, të kohës dhe rrethanave kohore.
Ngjarjet e librit, janë pasqyruar pa sforcime e zbukurime, pa patetikë e retorikë. Janë ngjarje të përjetuara thellë në mendjen dhe qenien e autorit dhe të gjithë personazheve të këtij ditari… Është jeta e rëndë e një lagjeje të Prishtinës – Bregut të Diellit, lagje në të cilën jetuan ditë ankthi e shprese, njerëz të të gjitha moshave e profesioneve: mjekë, gazetarë, shkrimtarë, banorë të zhvendosur nga vatrat e tyre, rrëfime të trishtuara për vrasje, dhunime…dëbime, djegie…ikjeje nga vendi ku kanë lindur… Në libër shquhen përshkrime ngjarjesh apo edhe kritika për dukuri që nuk na kishin hije në kohë lufte e katrahure me armikun shekullor.
Ja se si e përshkruan autori gjendjen në të cilën ishin në atë kohë: “ Është gjendje lufte. Jemi si në gojë të ujkut, me jetë monotone, plot kërcënime e frikë, ankth e pasiguri. Njeriu nuk e di se ç’sjell dita as ç’ngrys nata….”(fq. 221)
Ai është kritik edhe ndaj ndasive, që fatkeqësisht ndodhnin në kohë e rrethana që nuk do të duhej as të mendoheshin…”Kreu politik i Kosovës në mërgim, pa popull e pa elektorat, ka filluar përsëri grindjet dhe përçarjet politike. Turpi ynë para botës. Bota lufton për ne, e ne grindemi ndërmjetveti. ‘Kosova po digjet – liderët partiakë po grinden” (fq.214). Kjo situatë, të kujton atë thënien e të madhit Faik Konica se, armiku më i madh i shqiptarëve janë vet shqiptarët…
Siç e thamë edhe me lartë, autori në libër ka përdor shumë fjalë e thënie, gjithnjë në funksion të ngjarjeve por edhe duke letrarizuar tekstin. Po sjellin disa prej tyre:
“Prej popullit kurrë mos u ndaj as në valle as në vaj” (fq. 213)
“Bëje t’mirën hidhe n’det, në mos e ditë peshku ta di Zoti vetë”(fq. 24)
“Ne një ditë të gjithë do të vdesim, por kujtimet tona do të mbesin” ( A. Çetta, fq. 226)
“Çdo ditë është një faqe e biografisë sate. Përpiqu ta shkruash mirë biografinë tënde” ( N. Frashëri, fq. 261).
“Kush humb pasurinë – humb pak, kush humb nderin – humb shumë, por kush humb shpresën – humb gjithçka” (popullore, fq. 86)
“ Një faqe dokument vlen sa njëqind faqe koment” ( Mark Krasniqi, fq. 234), etj.
Përfundim
Gjatë gjithë kohës, sa po lexoja faqet e këtij libri ditar, të autorit Mehmet Halimi, më sillej me mendje thënia e Lukrecit : “ Ata që nuk e njohin të kaluarën, janë si foshnja, nuk dinë asgjë”.
Ky libër, është një kontribut i çmuar në rrafshin shumëdimensional: historik, faktografik, letrar e shkencor.
Është një kapitull historie i luftës dhe sakrificës sonë për liri;
Një kapitull shkence bazuar në fakte e të dhëna konkrete;
Një sakrificë sublime, që dëshmon se lufta u bë në çdo cep të Kosovës, edhe në Prishtinë, luftë speciale e ankthit dhe frikës…
Ky libër, le të dëshmojë e le të thërras edhe njëherë ndërgjegjen tonë ndërshqiptare: Të mos e harrojmë të kaluarën, vuajtjet, sakrificat…gjakun e derdhur për liri… sepse, po që se harrojmë, do të na hakmerret e të na përsëritët historia…
Ky libër, dëshmon se për lirinë e Kosovës u bë rrugë e gjatë dhe e mundimshme… Secili dha kontributin e tij me pushkë e me penë…
Kontributi i autorit Mehmet Halimi me punën e tij shkencore dhe me faqet e këtij ditari, pa mëdyshje se do të mbesin një kapitull i artë për historinë tonë më të re, një ditar me vlerë në botën e librit.
Prishtinë, 24.09.2020