LAJME

NJIHUNI ME ASDRENIN, KOLEKSIONISTIN E MONEDHAVE

 

Asdren Toska është i lindur më 22 prill 1990 në Gjilan. Pasi mbaron nivelin fillor dhe të mesëm në vendlindje, vazhdoi studimet në Universitetin e Evropës Juglindore – i njohur shkurtimisht si “SHTULI”, duke u diplomuar në drejtimin e Administrimit të Biznesit. Më pastaj, merr edhe titullin “Master” për Shkencat Ekonomike, përkatësisht, në fushën e Marketingut. Është ndër të rinjët e rrallë që punon në drejtimin e vet profesional, pasi Toska është edhe themelues dhe menaxher i marketingut në kompaninë Toska SH.P.K. Po ashtu, edhe në përvojën e tij universitare, i angazhuar si asistent për grup lëndësh në Marketing, në Universitetin Publik “Kadri Zeka”, sërish angazhohet në fushën e vet akademike. Mirëpo, përveç i njohur për përvojën direkte në biznes për shumë vjet, për punën në universitet si asistent i angazhuar, ai e ka një pasion të veçantë, që po ashtu ka raportet e ngushta edhe me shkencat e studiuara ekonomike: koleksionimin e monedhave të shteteve të ndryshme. Nuk është si numizmatikët me fokusin e posaçëm studimor vetëm për monedhat e së kaluarës, por me admirimin emocional të monedhave të secilës kohë, secilit shtet dhe secilës kulturë. E veçanta e tij mbetet përvoja në fushën që ka studiuar, puna në universitet e lidhur me fushën e studiuar, pasioni dhe hobi i koleksionimit të monedhave, që sërish lidhet me paranë si mjet që ia jep diçkajeje vlerën, po në fushën e ekonomisë. Për të parë nga afër pasionin dhe pikëpamjet e tij për koleksionimin e monedhave, portali “Kryelajmi”, ka bërë një intervistë me Toskën, të cilën do ta publikojmë më poshtë në tërësi.

 

KRYELAJMI: Asdren, ju merreni për shumë vjet me koleksionimin e parave nga vende të ndryshme të botës. Si ju lindi ky merak?

Toska: Monedhat paraqesin kulturën dhe historinë e një vendi. Pasionin për koleksionimin e monedhave e kam qysh moti nga fëmijëria. Kur vizitoja vende të ndryshme dhe konvertoja valuta për konsum, gjithmonë e ndaja një valutë anash në kuletë që ta kisha për koleksion dhe kujtim kur të kthehesha në shtëpi. Dëshira për të vizituar shumë vende, e shton pasionin për të koleksionuar monedha. Tash, edhe miqtë e dashamirët e mi kur të udhëtojnë në vendet e ndryshme më pyesin se, “a e kam valutën e atij shteti?!”, në mënyrë që të më ndihmojnë të rrisë numrin e valutave të huaja. Çdo valutë e re, për mua do të thotë të kem diçka nga kultura e një vendi. Por, këtij pasioni i ndihmon dhe profesioni im si ekonomist.

KRYELAJMI: Sa lloje parash keni grumbulluar deri më tash?

Toska: Deri më tani kam grumbulluar diku deri në 50 lloje te bankënotave të vendeve të ndryshme, duke përfshirë valutat e sheteve të të gjitha kontinenteve.

KRYELAJMI: Paratë që grumbulloni, ku i ruani? A ju ka ndodhur t’ju humb ndonjë lloj i parasë që keni pasur dhe tash jeni sërish në kërkimin e këtij lloji?

Toska: Parat i ruaj në një kuletë të veçantë për monedhat e koleksionuara. Shumë shpejt do ta kem edhe albumin ku do t’i vendosi të gjitha monedhat e grumbulluara.

KRYELAJMI: Nga cilat shtete është më vështirë të koleksionosh monedha si shqiptar?

Toska: Kam shumë miq që lëvizin në vende të ndryshme të botës. Po ashtu lëvizi edhe vetë personalisht. Shumë miq e dinë pasionin tim, dhe me të shkuar në një vend të ri, ma sjellin si dhuratë një bankënotë të atij vendi. Më së vështiri është të koleksionosh valuta nga vendet e mbyllura komuniste, ku doganierët e tyre nuk lejojnë që bankënota e tyre të del jashtë shtetit, kontrollojnë turistët në dajle dhe iu konfiskojnë valutat e tyre kombëtare. Një ndër këto shtete është Birmania, ku unë kam valutë të atij vendi të cilën ma ka sjellë një shok i imi, i cili ishte për vizitë atje. Këtë valutë e kam si të veçantë, e cila është vështirë të sigurohet për shkakun e kontrollimit në dalje të turistëve nga shteti.

KRYELAJMI: Sipas jush, cila është paraja më e bukur në dizajn dhe letër, të cilën e dispononi ju dhe po ashtu, cila është paraja me dizajnin më të bukur në botë sot? Po në histori?

Toska: Valutat e vendeve të ndryshme ndër të tjerash sjellin edhe kulturën dhe historinë e atij vendi. Të dizajnuara estetikisht, mund t’i veçoj valutat e vendeve si në vijim: Egjiptit, Brazilit, Meksikës, Indisë, Kubës etj. Ndërsa për letër janë monedhat e këtyre vendeve: Australisë, Hong Kongut dhe Kanadasë. E veçanta e këtyre valutave është se këto nuk mund të “shkoqen”, apo nuk shqyhen, grisen, çahen dhe copëtohen. Në histori duhet veçuar, paranë e Indisë, ku në bankënotë është portreti i Mahatma Gandhi; e Kubës, ku në bankënotë është figura e Che Guevara; paraja e Egjiptit, ku në figurë janë të paraqitura Sfinksi, Faraonët, devet etj. Pra, secila para bart më vete kulturën dhe historinë e atij shteti.

KRYELAJMI: Si koleksionist i parave, cila ishte paraja më e pëlqyeshme për ju: marka gjermane apo paraja e Eurozonës – Euro?

Toska: Paraja më e pëlqyer për mua ishte marka gjermane. Marka ishte një valutë që ishte më mirë e dizajnuar sesa Euro. Tek e fundit, kjo që them, i takon edhe shijes sime subjektive.

KRYELAJMI: Nga paratë që keni grumbulluar deri më tash, çfarë dominon më shumë në to si figura: njerëz apo objekte?

Toska: Deri më tani e theksova që kam koleksionuar diku rreth 50 valuta të shteteve të ndryshme. Ne e thamë që valutat përpos që sjellin kulturën e një vendi, ato sjellin edhe historinë e atye vendeve. Shumica e shteteve, në valutat e tyre kanë njerëz, veprimtarë të atyre shteteve, apo ideatorë të pavarësisë dhe lirisë së tyre. Në koleksionin tim më së shumti dominojnë valutat që kanë më shumë figura njërzish se sa objekte. Kinezët, arabët, amerikano – latinët, shtetet e Evropës jashtë Eurozonës, kanë në valutat e tyre njerëzit që kontribuan në çështjet e tyre kombëtare dhe në historinë e atyre shteteve.

KRYELAJMI: Nëse Kosova do të kishte monedhën e vet, sikur shtetet e tjera fqinje, cilën figurë do ta vendosnit më së shumti në dizajnin e parasë kosovare? Numëroni më konkretisht disa nga këto figura, apo edhe objekte të trashëgimisë kulturore kosovare, që do t’i vendosnit në monedhën kosovare!

Toska: Figura e Skenderbeut, figura e Adem Jasharit etj. Objektet: Lidhja e Prizrenit, Kompleksi memorial Adem Jashari etj.

KRYELAJMI: Si do ta emërtonit monedhën kosovare? Leku në Shqipëri, dinari në Maqedoni, po në Kosovë?

Toska: Dardanët!

KRYELAJMI: Pse mendoni se njerëzit kanë pasion të grumbullojnë monedha të shteteve dhe të kohërave të ndryshme?

Toska: Disa nga kombet kanë jetuar në një federatë për një periudhë të caktuar historike. Këto kombe në atë kohë kanë pasur valutën e përbashkët, e cila është shtypur nga bankat federale. Për koleksionistët është e veçantë të kenë një valutë, e cila e paraqet një periudhë kur kanë jetuar të bashkuar disa kombe, valutë e cila nuk shtypet më. Ne shpesh i dëgjojmë të moshuarit kur e përmendin monedhën “Banka” e cila nuk ekziston më.  Njëjtë mund të thuhet edhe për shtetet që iu bashkuan Eurozonës dhe më nuk shtypin bankënota, siç është Gjermania, Italia, Spanja, Portugalia etj.

 

KRYELAJMI: A keni mbledhur ndonjë ‘bitcoins’, pasi që prej tyre, ka edhe virtuale, edhe fizike? A duhet të ruhet edhe ‘bitcoins; e të tjera kriptovaluta, në koleksionet e juaja?

Toska: Koleksionimin e valutave e bëj nga motivi për të pasur diçka nga kulturat e ndryshme, e cila buron nga dëshira dhe pasioni për të udhëtuar. Një gjë të tillë nuk mund ta them për kriptovalutat. Andaj, të tilla kriptovaluta, cilatdo qofshin, nuk do t’i preferoj t’i mbaj në koleksionin tim.

KRYELAJMI: A mendoni ta hapni ndonjë ekspozitë me paratë e juaja të koleksionuara deri më tash?

Toska: Nuk mendoj të kem ekspozitë, por do të mendoj të bëj një kornizë me përmasa të mëdha dhe t’i ruaj në bibliotekën time në shtëpi.

KRYELAJMI: Sipas jush, sa ndikon pasioni për paratë e shteteve të ndryshme, edhe në pasionin për t’i njohur këto shtete, edhe në aspektin kulturor, politik, historik dhe etnopsikologjik?

Toska: Pikërisht koleksionimi i valutave lidhet me pasionin për të njohur kulturat e ndryshme. Këtë e kam cekur edhe më lart. Secila valutë sjell diçka nga historia, politika apo kultura e një vendi. Ta keni monedhën “Funta” të Egjiptit, i keni Faraonët aty. Dollari amerikan i ka presidentët; valuta e Malajzisë e ka ideatorin e pavarësisë së tyre; Funta britanike e ka mbretëreshën; Leku i Shqipërisë, Ismajl Qemajlin, Skënderbeun etj. Pra, unë gjithmonë ndjej që kam diçka nga një kulturë e një vendi, kur i kam të koleksionuara valutat e atyre shteteve.

KRYELAJMI: Njerëzit thonë shpesh se me rëndësi është vlera e parasë, e jo dizajni. Për ju, sa ka rëndësi dizajni i parasë?

Toska: Të mendosh si materialist, do të mbrosh argumentin e parë, kurse të mendosh si koleksionist, do të mbrosh argumentin e dytë. Dizajni i parasë është diçka që një koleksionist e vlerëson shumë.

 

KRYELAJMI: Si do ta krahasonit shkëmbimin dhe pagesat përmes kredit kartave dhe parasë kesh? A keni në koleksionet e juaja edhe karta bankare?

Toska: Kartelat bankare janë kryesisht dy brende: Visa dhe Master, të cilat janë të lëshuara nga bankat e ndryshme komerciale. Këto dy brende pothuajse i kanë dizajnet e njëjta, e të cilat nuk mund të zëvendësojnë ndjesinë e parasë kesh.

KRYELAJMI: A grumbolloni vetëm para të letrës, apo edhe metalikë?

Toska: Unë kryesisht grumbulloj para të letrës.

KRYELAJMI: Nëse do të grumbulloshit diçka tjetër përveç parasë, çfarë do të ishte ndonjë gjë apo gjësend tjetër?

Toska: Në pamundësi të koleksionimit të vulave kufitare dhe vizave, do të koleksionoja pulla postare!

KRYELAJMI: Faleminderit shumë për intervistën!

Toska: Ishte shumë kënaqësi! Faleminderit shumë nga ana e juaj!

You Might Also Like