Gjilan

Nxënësit tanë angazhohen ta parandalojnë dhunën në baza gjinore dhe ta bëjmë atë të papranueshme

Në kuadër të 25 nëntorit, Ditës së Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” është mbajtur një bashkëbisedim me nxënës e ku kanë marrë pjesë kryetari i Komunës Alban Hyseni, deputetja Arjeta Rexhepi, zyrtarë të Ministrisë, nga Organizata UN Women, udhëheqës të gjimnazit, profesorë dhe nxënës të shumtë.

Fillimisht, Bekim Mustafa, drejtor në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti”, në cilësinë e mikpritësit, ka theksuar se ky takim është tejet i rëndësishëm për nxënësit, që bashkërisht të diskutohet, të informohen ata dhe të analizohen format e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore, në mënyrë që edhe nxënësit, përpos që të informohen, të gjejnë edhe rrugët e format se sim und t’a ndihmojnë shoqërinë tonë në zvogëlimin e zhdukjen e dhunës në baza gjinore.

“Të rinjtë tanë, nxënësit tanë, këtu në gjimnaz e kudo mund ta bëjnë ndryshimin e madh të shoqërisë tonë në këtë drejtim”, tha Mustafa.

Alban Hyseni, kryetar i Gjilanit, pas ka thënë fjalë miradije për nxënësit e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti”, ka thënë se ky aktivitet po mbahet në kuadër të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës ndaj grave e që është një temë për të cilën në Kosovë është folur shpesh.

“Ne si shoqëri duhet ta parandalojmë dhunën dhe ta bëjmë atë të papranueshme”, ka thënë kryetari Hyseni, që ka shtuar se komuna do të ndërmarrë masa parandaluese. Ai ka thënë se komuna është duke punuar në këtë aspect në dy drejtime, ndaj grupeve joshumicë dhe ndaj grave.

Hyseni ka thënë se është komuna ajo që ka shkuar te grupet joshumicë, ka bërë vizita dhe është njoftuar me hallet që i kanë ata e sidomos komuniteti rom, që më tepër janë të diskriminuar dhe që kanë barrierën e gjuhës. Ata kanë kërkuar mësim shtesë në TIK, gjuhë angleze e gjuhë shqipe, derisa për herë të parë komuna ka bashkëbiseduar edhe me komunitetin serb, të cilët kryesisht kanë patur kërkesa për infrastrukturë, të ngjashme me kërkesat e popullatës shumicë.

Edhe në parandalimin e dhunës ndaj grave, komuna është angazhuar shumë, tha Hyseni, që shtoi se një ndër to është thirrja për zgjerimin e bizneseve që drejtohen nga gratë dhe se komuna angazhohet qe pozicioni i grave të jetë më i mirë.

Deputetja Arjeta Rexhepi, tha se kjo është një fushatë globale që zhvillohet çdo vit në këtë kohë dhe se dhuna ndaj grave është e pranishme kudo në gjithë botën, por siç ka theksuar deputetja Rexhepi, nëse duam familje të shëndoshë, në familje nuk duhet të ketë dhunë.

“Ne në Kuvend kemi ndryshuar ligjin dhe tash më tepër mbrohet familja dhe jemi të interesuar të përkrahen femrat dhe gruaja”, tha deputetja duke shtuar se dhuna duhet të raportohet, ngase shoqëria e jonë është e interesuar t’i zvogëlojë e minimizojë këto raste.

Artan Binaku, përfaqësues i UN Women, organizatë kjo që merret me barazi gjinore e fuqizim të grave, ka thënë se në bazë të një hulumtimi 55 përqind e vajzave raportuan se ishin pjesë e një forme të dhunës. Ai tha se ka forma të ndryshme të dhunës, sikurse që foli për historikun e të drejtave të grave.

Nxënësit së bashkë me mysafirët janë ndalë në një bashkëbisedim të gjatë me këtë problematikë, duke dëshmuar se në masë të madhe janë të informuar me problemet e kësaj natyre dhe gjatë bashkëbisedimit u kërkuan modalitete që në shoqërinë tonë të ketë sa më pak dhunë ndaj femrës e gruas, forcimin e tyre në pjesëmarrje në institucione drejtuese e të përfaqësimit dhe si përfundim doli se vajzat dhe gratë mund t’ia dalin në synimet e tyre, ngase për to kanë aftësi dhe janë të përgatitura.

You Might Also Like