OPINION

Para 79 vite kishim gazetë e sot në vitin 2024 shteti i Kosovës nuk ka asnjë gazetë të shkruar

Sylejman Ismajli

Gazeta e parë në Gjuhën Shqipe ‘Rilindja’, për herë të parë doli me 12 shkurt 1945 në qytetin e Prizrenit duke filluar punën me tre gazetarë e një redaktor.

60 numrat e parë të kësaj gazete u shtypën në qytetin e Prizrenit e më pastaj vazhdon në Prishtinë.

Në fillim ‘Rilindja’ ishte e përjavshme, me vetëm katër faqe, e nga 27 qershor 1948, fillon të dalë dy herë në jave – të dielën e të enjten.

Numri i parë i Rilindjes ishte shtypur në 3000 mijë ekzemplarë.

Nga nëntori 1958, Gazeta ‘Rilindja’ botohej çdo ditë përveç ditës së premte.

Nga viti 1964 kjo gazetë filloi të botohej me 20 faqe, ndërsa të shtunën dhe gjatë festave të ndryshme 24-32 faqe.

Më pas, nga 5 shtatori 1990 nga pushtuesi serb u ndalua botimi i Rilindjes, ndërsa me 12 qershor 1999, gazeta filloi të shtypej përsëri.

Gazeta Rilindja përfundimisht ka pushuar së botuari në vitin 2009.

Plot para 79 viteve me sakrifica të mëdha, Gazeta Rilindja ishte një Abetare për popullin shqiptar  dhe vetëm gjatë vitit 1945-1949, sipas një numri të Rilindjes ku shkruante – që janë hapur 2,485 kurse të ndryshme dhe mbi 100,000 njerëz të popullit shqiptar që ishin analfabet total vijonin kurset për shkrim e lexim.

Sot, kur po jetojmë në shekullin e 21 në botën e digjitalizuar, në shtetin demokratik të Kosovës, nuk botohet asnjë gazetë e shkruar. Po ashtu, sot kemi edhe Fakultetin e Gazetarisë, por gazeta këtij shteti i mungon, ndërsa në shtetet e Rajonit kemi mbi 10 gazeta ditore të shkruara.

Është e trishtueshme dhe e pafalshme të mos ketë asnjë gazetë të shkruar, ku gazetarët do të jepnin dijen e tyre, si në informim po ashtu edhe shkrimet drejtshkrimore do të ishin të dobishme për gjeneratat e sotme.

Sot kemi ‘gazeta online’ me lajme të botuara pas asnjë lloj filtri, po kontrolle e shumë lajme të rreme.

Shume nder e respekt për njerëzit me vlera të mëdha të gazetarisë që e mbajtën gjallë këtë popull.

Rilindja ishte i vetmi informim për këtë popull. Ajo ishte Abetare e popullit shqiptar.

You Might Also Like