Libri

PERËNDIMI I NJË VITI DHE NJË PIRG LIBRASH REHATUAR NË TRI LISTA

Shkruan: Dr. Aziz Mustafa
(ese)
1. Lista e librave të lexuar të cilat ua rekomandoj fuqishëm
Me duart ende të ngrohta nga duartrokitjet për “Marshi Radetzky” të Koncertit të Vitit të Ri të Filarmonisë së Vjenës, e para gjë që më grishi të shkruaj deri sa tërsëllima e mbylljes së derës së vitit që iku ende jeton me krismat e vonuara të fishekzjarrëve dhe petardëve, ishin listat e librave. E para: lista e librave të lexuar gjatë këtij viti; e dyta: lista e librave të nisur e të ndërprerë dhe e treta: lista e tretë që po pret të lexohet më 2025.
E para është një listë krenare, e përpiluar pas leximit me rekomandime nga miqtë, vajzat e mija dhe nga unë vetë, duke u bazuar në shijen që mund të them se është shumë më e sofistikuar se shija e zgjedhjes së ushqimeve. Në listë janë tri romane të hershme të Ismail Kadaresë, të cilat i fillova t’i rilexoja nga 1 korriku, si homazh kur ai burrë i mençëm bëri hapin e parë të hapësirën e pafund të amshuar të mos-vdekjes, pastaj listën e përcjellin tri vepra të mikut tim të shtrenjtë Zija Çela, njëra prej tyre rrëfim autobiografik që mbartë në vete një dhembje të madhe të autorit për një tragjedi familjare, humbje që vetëm mjeshtrit e mëdhenj të letrave dinë t’i shndërrojnë në art kulmor, pastaj vijnë katër romanet e Veli Karahodës që paraprijnë romanit të tij të fundit “Fundi i palavdishëm i Igor Bagrickit”; romani “Fati i marrë” i Besnik Mustafajt për të cilin me mikun tim Xhevat Latifin kemi bërë një recension; pastaj dy romanet e shkëlqyera të kolegut tim mjek, Mikhail Bulgakov, i cili u persekutua për së gjalli e për së vdekuri nga pushteti komunist sovjetik; libri biografik i Hasan Bunjakut, një kushëri i dajave të mi, që flet për disa paraardhës të mi nga ana e nënës; pastaj dy romane të Enkel Demit (Tom Kuka); është libri i Salman Rushdie “Thika”, ku autori rrëfen për atentatin me thikë ndaj tij nga një fanatik fetar, pasojë e “fetwa”-s që e ndjek autorin me dekada; romani i japonezes Mieko Kawakami, rekomanduar nga vajza ime e madhe; romani i shkrimtares së re Yaa Gyasi rekomanduar nga vajza ime e vogël; romani i Tayeb Salih “Koha e shpërnguljes në jug” rekomanduar nga Xhevati; romani i Nurie Emërllait “Ndoshta ishte dashuri”, fituese e çmimit Kadare, libri me poezi i Çarls Bukowskit “Pak e bëshme, pak e dehur”; romani “Nagasaki” i Eric Faye dhe në fund romani “2066” i Roberto Bolanjos, i cili në 1097 faqe asnjëherë nuk bie niveli i rrëfimit, një rrëfim brilant, një nga zërat më të fuqishëm të prozës së shekullit XX. Paskam harruar ta nxjerr në foto dhe ta përmend edhe romanin më të lexuar të të gjitha kohërave “Sojliu mendjemprehtë Don Kishoti i Mançës” shqipëruar nga Fan Noli, të cilin e ri-lexova me të njëjtën mahnitje, si para 43 vitesh. Qe lista e plotë, sipas moshës së autorëve:
1. “Don Kishoti i Mançës” – roman – Miguel de Cervantes
2. “Shënimet e një të vdekuri” – roman – Mikhail Bulgakov
3. “Mjeshtri dhe Margarita” – roman – Mikhail Bulgakov
4. “Pak e bëshme, pak e dehur” – poezi – Charles Bukowski
5. “Koha e shpërnguljes në Jug” – roman – Tayeb Salih
6. “Kronikë në gur” – roman – Ismail Kadare
7. “Ditë kafenesh” – roman – Ismail Kadare
8. “Qyteti pa reklama” – roman – Ismail Kadare
9. “Banka e ankesave” – roman – Zija Çela
10. “Pilisama selfie” – roman – Zija Çela
11. “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes” – rrëfim autobiografik – Zija Çela
12. “Knife” (Thika) – rrëfim autobiografik – Salman Rushdie
13. “2666” – roman – Roberto Bolańo
14. “Një gjakim i pafat” – rrëfim autobiografik – Hasan Bunjaku
15. “Fati i marrë” – roman – Besnik Mustafaj
16. “Nagasaki” – roman – Eric Faye
17. “Kështjella shqip e Kafkës” – roman – Veli Karahoda
18. “Demonët” – roman – Veli Karahoda
19. “Shtatë fjalët e fundit” – roman – Veli Karahoda
20. “Serpenti dhe Hija – Një Sagë Malësie” – roman – Veli Karahoda
21. “Gjinj dhe vezë” – roman – Mieko Kawakami
22. “Rrethimi” – roman – Tom Kuka
23. “Flama” – roman – Tom Kuka
24. “Ndoshta ishte dashuri…” – roman – Nurie Emërllai
25. “Homegoing” – roman – Yaa Gyasi.
2. Lista e librave të ndërprerë në faqet e para, dmth. që nuk ua rekomandoj
Kjo listë është një listë librash të padenjë për lexim. Këtu kam futur librat që i kam filluar por që në faqet e para e kam parë se nuk janë të denjë për kohën time. “Sa shumë libra, sa pak kohë” – ka thënë një këngëtar xhazi amerikan, Frank Zappa. Sa herë takohem me një libër të tillë, futem në “You tube” dhe dëgjoj ndonjë këngë të tij. Kjo është listë e padenjë, prandaj as nuk do ta publikoj. Pse ta publikoj nëse nuk ua rekomandoj? Unë kam humbur disa minuta, diku disa orë, besa edhe ndonjë ditë. Në njërën nga ato libra kam shkuar deri te faqja e 80 -të, për hatër të emrit të autorit, por nuk e kam përfunduar, e as që do ta përfundoj ndonjëherë, sepse nuk ka asgjë në të. Është e pabesueshme që në këtë listë ka autor që ka të botuar me dhjetëra romane. E kuptoj se kemi shije të ndryshme, ashtu si kemi edhe gjene të ndryshme, por nuk e marr me mend si mundet një autorë të botojë mbi 100 vepra dhe asnjëra nga ato të mos ketë vlerë?
Kur e mendoj këtë listë, që është më e gjatë se e para, më bien në mend drurët e mjerë që priten dhe bëhen fli për këta libra koti. Por kështu ka qenë gjithmonë, prej se kohës kur kanë folur shtazët. Prej kur është kurdisur dynjaja. Një dozë të madhe faji e ka Gutembergu, por lista e fajtorëve mund të dalë më e gjatë se të dy këto lista bashkë. Prandaj, mos më pyesni për emra. Më mirë të humbni kohë edhe ju e t’i zbuloni vetë, se sa filloj debate nëpër rrjete sociale, debate këto që nuk zgjidhin asgjë, vetëm e trashin problemin.
3. Lista e librave që planifikoj të lexoj…
Kjo listë është pjesërisht në mendjen time, e pjesërisht në tavolinë. Janë libra që, në bëftë exheli sabër, si thoshte babai im, do t’i lexoj. Unë, e pranoj, blej më shumë se sa lexoj. Shyqyr Zotit, ka libër që e kam blerë para njëzet vitesh dhe e kam lexuar parvjet. Nuk ishte si vera, por vlera ishte e njëjtë, kënaqësia e leximit është e njëjtë dhe nuk ka të bëjë fare me kohën se sa presin ato për t’i marrë në dorë. Në tavolinë kam romanet e Martin Camajt, Salman Rushdies, Orhan Pambukut, Teki Dervishit, Beqir Musliut, Milan Kunderës e Dino Buxatit. Një mik më ka sjellë “Kujtimet e një gjahtari” të Ivan Turgenievit, shqipëruar nga Dhimitër Pasko (alias Mitrush Kuteli i madh), botuar më 1963, kurse në një bibliotekë të një universiteti pata kënaqësinë të gjeja “Novela” të Anton Çekhovit, botuar po më 1963, kur unë nuk kam qenë as i lindur. Në tavolinë kam “Zoti President” të Miguel Angel Asturias-it, “Pështjellimet e Tërlesit” të Robert Musilit dhe “Portreti i artistit në rini” të James Joyce. Nuk di çka do të sjell 2025, por tavolina ime është e madhe. Kam vend edhe nën tavolinë. Qofshim shëndosh bashkë e mos na dalshin boll këto që kemi.
Gëzuar 2025!

You Might Also Like