Varg e Vi, 29 dhjetor 2024, Gjilan –
Festivali Stand Up Komedi u hap për të tretin vit me radhë në Teatrin e qytetit të Gjilanit, i organizuar nga Varg e Vi, me mbështetje financiare nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport.
Në kuadër të një iniciative për zhvillimin e talenteve të rinj në fushën e stand up komedisë, Stand up – Në bërje, në kuadër të Festivalit të Stand Up Komedisë 3, u mbajt një trajnim intensiv për zhanrin e stand-up komedisë, gjatë muajit dhjetor, para hapjes zyrtare të festivalit, ku dy të rinj morën pjesë dhe patën mundësinë të përvetësojnë njohuri teorike dhe praktike për këtë zhanër komedie. Trajnimi u zhvillua në një mjedis inkurajues nga Varg e Vi, duke i ndihmuar pjesëmarrësit të kuptojnë thelbin e stand-up-it dhe të zhvillojnë aftësi performuese para një audience të kufizuar.
Trajnimi përfshinte ligjërata teorike mbi teknikat e komedisë, struktura e një monologu stand-up, krijimi i humorit dhe përdorimi i satirës për të adresuar tema serioze dhe aktualitete shoqërore. Pjesëmarrësit gjithashtu morën mësime praktike nga një stand-up komedian profesionist, i cili ndau eksperiencat e tij personale dhe teknikat për të krijuar performanca që të kapin dhe mbajnë vëmendjen e audiencës. Një pjesë e rëndësishme e trajnimit ishte zhvillimi i stilit të personalizuar për çdo të trajnuar, duke u motivuar që të përfshijnë në shfaqjet e tyre elemente personale, kujtesën autobiografike dhe përvoja të jetës së përditshme, për të ndihmuar në ndërtimin e lidhjeve autentike me audiencën.
Në fund të trajnimit, dy të rinjtë ishin gati për të prezantuar stand up komeditë e tyre përpara një audience të ngushtë, që përfshinte familjarë dhe miq, të cilët i mbështetën me entuziazëm. Performancat e tyre ishin një shfaqje e vërtetë e progresit të arritur gjatë trajnimit në skenën e Teatrit të qytetit në Gjilan, nën moderimin e Avni Shkodrës dhe mentorimin nga Migjen Fazliu.
Stand-up komedianja e parë, Nina Sopi, kishte zgjedhur një temë sociale, duke përdorur satirën për të diskutuar mbi çështjet e shërbimeve shëndetësore dhe vështirësitë që përjetojnë të moshuarit në aksesin ndaj këtyre shërbimeve. Ajo theksoi nevojën për solidaritet në shoqëri, duke përdorur humorin për të sensibilizuar audiencën mbi problematikat e përditshme që janë shpesh të injoruara. Ajo arriti të ndërthurë tema serioze me batuta të lehta dhe të mençura, duke i bërë njerëzit të mendojnë ndërkohë që qeshnin.
Stand-up komediani i dytë, Leon Bixhaku, ndau me audiencën kujtime nga fëmijëria e tij, përjetimet e tij në qytetin e madh (!) nga migrimi ditor prej fshatit, si dhe vështirësitë që kishte për të lëvizur lirisht gjatë natës, për shkak të rregullave të prindërve. Ai përdori shumë humor mbi lojërat e fëmijërisë, sherret e vogla në shtëpi e lagje, dhe ngjarjet e çuditshme që ndodhin në lagje, duke asociuar thirrja e ezanit për kthim në shtëpi menjëherë pas perëdnimit të diellit, për të mos u kthyer shumë vonë në shtëpi nga qortimi prindëror. Me shumë batuta dhe referenca që preknin shumë të pranishmit, ai krijoi një atmosferë shumë të ngrohtë dhe relaksuese, duke nxjerrë në pah aspekte të jetës së përditshme që çdo person mund t’i lidhte me përvojat e veta të fëmijërisë.
Më 27 dhjetor 2024, u hap edhe zyrtarisht festivali në Teatrin e qytetit të Gjilanit, nga drejtori i Varg e Vi-së, Migjen Fazliu, i cili e falënderoi Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport për përkrahjen financiare, Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport të Komunës së Gjilanit për bashkëpunimin e shkëlqyer, dhe më pas, Avni Shkodra, i prezantoi stand up komedianët e natës së parë.
Kushtrim Qerimi nga Gjilani, shpotiti kujdesin e tepruar të prindërve për fëmijët, veçmas që nuk krijojnë stil prindërimi të pjekur, duke mos i vlerësuar asnjëherë fëmijët e tyre si të rritur e të pavarur. Kujdesi i tepruar ndaj të ftohtit, merakosja e ekzagjeruar edhe kur fëmijët e tyre rriten, krijoi batuta të forta për stilin e prindërimit tejsentimental kosovar. “Që pi drogë ndashtë, veç mos u ul në beton, se ftohesh” nga Qerimi, krijoi shumë të qeshura në sallën e kuqe të Teatrit të Gjilanit, duke e ekzagjeruar teprimin e nënave për brengat që fëmijët e tyre nuk dinë të kujdesen për trupin e tyre, varësisht nga ndryshimet klimatike, edhe kur janë të rritur. Qerimi lartësoi moshën e fëmijërisë, që ndonëse pa shumë njohuri mbi jetën, kanë fare pak ngarkesa për shpenzimet familjare, ndërsa në anën tjetër, ironizoi me trajtimin e fëmijëve edhe kur rriten, nga prindërit kosovarë, sikur të ishin me inteligjencë minimale.
Pas tij, doli në skenë Anton Bello nga Tirana, i cili satirizoi me dialektet e sociolektet shqiptare, duke bërë interpretime mbi keqkuptimet e të folurit në Shqipëri e Kosovë. Ai kritikoi edhe edukimin seksual shqiptar në shkolla, duke kaluar edhe në gjuhë eksplicite e vulgare, për ta çuar humorin deri në kulm e të qeshura masive në sallë. Nuk i shpëtoi as kritika ndaj politikanëve në Shqipëri dhe shakatë ndaj Edi Ramës.
Hasim Sopi Memishi nga Tetova, nxiti shumë disponim pozitiv te publiku, duke kritikuar të ardhurat prej aktori dhe çmimet ekstreme të larta për shezllongun në bregdetin shqiptar, ku një çadër kushtonte 30 euro për një ditë, ndërsa si drejtor teatri merrte 20 euro për një ditë, duke e shprehur dëshirën të bëhej nga njeri në çadër!!! Përveç këtyre kodeve tematike, Memishi satirizoi edhe ndërrimet e shpeshta të emrave të shtetit maqedonas, varësinë nga mërgimtarët e aktualitete të tjera të hapësirës shqiptare.
Djellza Dema doli në skenë, duke filluar me zhvillimet e saj të fundit në jetën e saj, fejesën, stereotipat për koprracinë e gjakovarëve, përfitimet nga TikTok-u dhe thirrjen në ndihmë të gjyshes për të bërë video në TikTok dhe stereotipat e më të moshuarve për këtë platformë të videove të shkurtra. Dema sendërtoi humorin me një kujtesë autobiografike, duke shfrytëzuar si material edhe shumë nga stereotipat kosovare, lakminë për para dhe përdorimin e bukurisë fizike për reklama.
Shpend Ahmeti, ish-Kryetar i Komunës së Prishtinës për dy mandate, për herë të parë u paraqit si stand up komedian në Festivalin e Stand Up Komedisë nga Varg e Vi. Ahmeti ndau shumë rrëfime për politikanët kosovarë e të Shqipërisë, përplasjet e Edi Ramës me Ramush Haradinajn në kohën e vendosjes së taksës ndaj Serbisë, përvojat e ministrave kosovarë me Fondin Monetar Ndërkombëtar, stereotipat për qytetet e Kosovës, dhe në fund, doli me një fjali epike: “Ka jetë edhe pas politikës”, duke aluduar në fillimin e një jete postpolitike, si stand up komedian dhe nuk është fundi i botës, kur përfundon mandati për një politikan.
Në natën e dytë, u paraqitën stand up komedianët: Bashkim Alaj, Dario Haruni, Valina Muçolli, Esat Shabani, Fisnik Çerkini dhe Avni Shkodra.
Bashkim Alaj nga Mali i Zi, përqeshte traditën shqiptare të investimit marramendës gjatë përgatitjes dhe organizimit të dasmave, sfidat e të ardhurave për artistët, fatin e njeriut dhe terset autobiografike përgjatë jetës së tij. Alaj përmes të folurit e sociolektit shqiptar në Mal të Zi, ndërlidhte përvojat me politikanët shqiptarë andej e këndej kufijve ku jetojnë shqiptarët, reduktimet e ashpra të energjisë elektrike në Gjilan dhe një sërë fenomenesh në shoqërinë shqiptare.
Dario Haruni nga Tirana solli përvojat e tij personale në evoluimin e botëkuptimeve filozofike dhe fetare si nxënës, përvojën e tij në medresen islame, si student dhe i rritur, kalimin nga feja islame në agnosticizëm dhe më pas rikthimin në fe, abuzimin me droga, varësitë nga platformat e medieve sociale, aktualitetet e shtetit shqiptar me vendimin për ndalimin e TikTok-ut, zëvendësimin e veseve me virtyte, kritikat ndaj varësisë në internet dhe teknologji, skrollin dhe shumë dukuri të jetës bashkëkohore. Haruni zhvillon stand up komeditë, bazuar kryesisht në pasionet e tij për lexim, fenë, politikën, filozofinë dhe etnopsikologjinë shqiptare.
Valina Muçolli nga Prishtina, doli në skenë me impaktin që ka pasur mërgata shqiptare në jetën e familjarëve në Kosovë, duke vlerësuar lart rolin e saj në zhvillimin e vendlindjes. Muçolli satirizoi me mjekësinë shqiptare dhe atë gjermane, terminet e stërzgjatura në Perëndim dhe caktimin e shpejtë të termineve për intervenime kirurgjikale në Kosovë, sëmundjet tipike shqiptare nga stili lokal i jetesës dhe ushqyeshmërisë, ndryshimet në raportet mërgatë-bashkëvendasë të Kosovës, mentalitetin postkolonial, vizitat e mërgatës në ordinancat stomatologjike sa herë vizitojnë Kosovën, e kështu me radhë.
Esat Shabani, më parë se stand up komedian, na shfaqet në skenë me një humor të veçantë filozofik dhe psikologjik, për ta nisur gjithmonë stand up komedinë e tij me një analizë sociolinguistike e psikolinguistike shqiptare, për të ardhur në disa konstatime unike mbi etnopsikologjinë shqiptare, në raportet bashkëshortore, patriarkalizmin, tipin posesiv të personalitetit njerëzor, trajtimin e çuditshëm dhe antropocentrik të kosovarit ndaj qenve endacakë (“Nuk thonë më kafshoi qeni endacak, por më hëngri, duke e ekzagjeruar tragjedinë!”), raportet e vendeve me impakt të dobët si Kosova, në marrëdhëniet ndërkombëtare, me superfuqitë e kohës dhe analogjitë me meselet e më të moshuarve, duke krijuar të qeshura të njëtrajtshme gjatë gjithë kohës, nga thellësia filozofike e trajtimit satirik të dukurive shoqërore e politike në Kosovë.
Fisnik Çerkini me origjinë nga Ferizaj dhe me shoun e tij sarkastik CoolnFresh Magazine në Prishtinë, vazhdimisht krijonte batuta kritike politike ndaj pushtetit aktual në Kosovë, servilitetin e vartësve ndaj kryeministrit aktual të Kosovës, kritikat ndaj reduktimeve ekstreme në fundvit të energjisë elektrike, qëndrimet satirike të mërgimtarëve ndaj politikës kosovare, talljet me analistët pro pushtetit dhe pro opozitës në studiot televizive kosovare dhe një sërë batutash ndaj zhvillimeve aktuale politike, mediatike e shoqërore në Kosovë.
Avni Shkodra nga Gjilani, si një nga stand up komedianët më të angazhuar në Kosovë, u shfaq me disa ngjarje në Zvicër, duke e zhvilluar një shfaqje dhe inskenim teatror, me shokët e tij, kolegët shqiptarë e të huaj në skenën teatrore, amatorizmin e kameramanëve që përcjellin shfaqjet teatrore, aktualitetet në Komunën e Gjilanit dhe ndarjen e çmimeve për më të dalluarit, duke krijuar shumë të qeshura te publiku në sallën e Teatrit të Gjilanit.
Në natën e dytë, mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrullah Çeku, drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Kushtrim Zeqiri dhe shumë zyrtarë të tjerë nga niveli qendror dhe lokal, me një pjesëmarrje masive të publikut kosovar në dy netët e festivalit, me një shitje rekorde të biletave, me nevojën për të shtuar karrige edhe në dy anët e ulëseve të përhershme të sallës teatrore.
Pas përshëndetjes nga publiku dhe duartrokitjet e shumta për stand up komedianët e natës së parë dhe të dytë, festivali vazhdoi me argëtimin e pjesëmarrësve para Teatrit të qytetit të Gjilanit, me shtëpizën e vendosur dhe kujdesin për pije nga Viva La, si dhe nën tingujt e muzikës xhaz, funk dhe etno nga Cats Quartet. Sponzorizimi mediatik i festivalit u bë nga Radio Geg Fm.
Festivali i Stand up Komedisë, i organizuar nga Varg e Vi, do ta vazhdojë traditën, duke u organizuar sërish në fundvitin tjetër të ardhshëm, nga një sukses i jashtëzakonshëm dhe interesim i paparë i publikut kosovar për stand up komeditë.