Arti pamor

Piktorja që gjen inspirimin në ambientin ku jeton

Koha do t’i shlyej shumë gjurmë që i la njeriu e piktorja Magbule Xhemaili në pëlhurë i jetëson ato gjurmë, që me to të njihen gjeneratat e ardhshme, kurse për artdashësit këto piktura në vete përmbajnë histori, ndjenjën që t’i prekësh dhe janë të mbushura me përplot detaje.

 Frymëzimin e gjen në vendlindje, por jo në peizazhet e bukura që sjell natyra. Ajo frymëzimin e saj artistik e gjen në gjurmët që lë koha, në atë që njeriu me apo pa vetëdije e ka krijuar vetë, në mure e dyer. Të gjitha këto ide e motive, piktorja Magbule Xhemaili i shtjellon në pikturë.

Dyert e ronitura që shtrihen gjithandej në hapësirën tonë, ndonjë porosi që është bërë në to nga dora e njeriut, si refleks ndaj situatës së caktuar shoqërore janë këto vetëm disa nga motivet që me mjeshtri Magbule Xhemaili ia solli artdashësve edhe atë jo vetëm në Kosovë, por kudo nëpër botë.

“Qëllim i imi ishte t’i jetësoj ato gjurmë, sepse koha do t’i dëmtojë edhe më shumë, ose do të vijë një kohë tjetër, dikush tjetër do të vendosë porosi të reja mbi ato të vjetrat. Në këtë mënyrë edhe piktura ime është një gjurmë në një kohë të caktuar”, thotë Magbule Xhemaili, teksa flet për gazetën “Zëri”, duke mos fshehur se ajo është e ndikuar nga ambienti ku jeton dhe që e rrethon.

“Ishte kjo një gjetje e imja, gjetje e vetvetes në shumësinë. Gjeta veten si shprehje e individualitetit tim krijues, por edhe si shprehje e botës sime të brendshme shpirtërore”, thotë Magbule Xhemaili, që kujton se si ia kishte nisur që të merret me këto motive, qysh atëherë kur si e re që sapo kishte përfunduar studimet në degën e pikturës, në Kosovë ende nuk kishte shenja komunikacioni sa duhet, infrastruktura ishte e mangët dhe njerëzit detyroheshin që dyert e shtëpive të tyre t’i vizatonin, të shkruanin porosi, dikush gdhendte diç në mur, ia shprehte dikujt dashurinë, shprehte preferencat për luftëtarët e lirisë apo gdhendte në mur një zemër apo inicialet e atij (asaj) që e donte.

Po si e percepton pikturën tashti, kur Magbule Xhemaili është fituese e shumë çmimeve vendore e ndërkombëtare, kur ka hapur me dhjeta ekspozita në çdo cep të botës. Ajo thotë se

piktura është art që përherë i ofrohet syrit, një pamje mbi një sipërfaqe. Pastaj varet se cili është stili dhe teknika në të cilën punohet. Arti është edhe çështje e shijes dhe është shumë relative. Për dikend një pikturë është e mirë e për dikend tjetër jo. „Për mua tashmë piktura është pjesë profesionit, tabloja më ofron mundësi të shprehjes së idesë, emoconit, preokupimit“, thotë Xhemaili e cila ndonëse është e re në moshë, ajo kënaqet kur sheh punën e artsitëve edhe më të rinj se ajo, duke thënë se sidmos në dekadën e fundit po dalin artsitë, disa nga të cilët kanë dëshmuar me punën e tyre gjithandej. Duke qenë edhe mësimdhënëse e artit në Gjimnazin „Zenel Hajdini“ në Gjilan, ajo thotë se Kosova nuk duhet të druaj për të ardhmen, ngase ka shumë talente. Ajo thotë se në Kosovë ndoshta është problemi se nuk kemi qenë sa duhet në kontakt me artin, nuk kemi parë ekspozita  dhe është normale se nuk dimë të vlerësojmë si shumicë, andaj sipas saj,  duhet të bëjmë diçka në ngritjen e vetëdijes së masës për vlerësimin e artit dhe këtë e ilustron me një shembull se në Kosovë ka shumë njerëz që investojnë në shtëpi luksoze, restorante, mobile të shtrenjta, por e sheh se ata as një pikturë me vlerë nuk e kanë në shtëpitë e tyre. Sipas saj, që nga fëmijëria do të duhej të organizohen vizita në galeri, në mënyrë që të krihohet shprehia e të qeniet në kontakt me artin.

Magbule Xhemaili, ka lënë përshtypje të pashlyeshme në ekspozitën që pati në Hamburg të Gjermanisë, në Galerinë “Merziart” dhe ndonëse aty ishin pesë artistë nga vende të ndryshme u pa se piktura nuk kishte nevojë të përkthehej, sepse ajo shihej, kuptohej. “Dua të them se ne artistët e Kosovës nuk jemi aspak larg nga arti që punohet në Gjermani, shpeshherë ndodh që jemi shumë të mirë”, thotë ajo. Magbulja aty u paraqit me gjetjen e saj si  shprehje të  individualitetit të saj  krijues,  por edhe si shprehje e botës së saj të brendshme shpirtërore.

Unë kam gjetur inspirimin, gjithmonë në ambientin ku jetoj. Të rinjët tanë shpeshëherë shprehin mllefin për ndonjë pakënaqësi që kanë nëpër mure, duke gërvishur ato, ose duke shkruar me ndonjë ngjyrë. Por jo vetëm mllefin, shpesh hasim ndonjë simpati të veqantë për ndonje parti politike, apo ato simpatite e hershme ku i gjejmë të shkruara inicialet e emrave të personave dhe ndonjë zemër e vizatuar.

E ngjashme është situata edhe me dyert e oborreve, dhe aty gjejmë porosi të ndryshme, duke filluar që nga ato “ mos parko”, “ ktu banon familja shqiptare”, “ pronë shqiptare”, “ Kçyre punën tone “ etj.“, thotë Xhemaili dhe shton se  këta të rinj duke shkruar nëpër mure synim kanë pasur që të lënë gjurmë, andaj kjo e ka inkuraujar atë që  t’i jetësoj ato gjurmë, sepse koha do t‘i dëmtojë edhe më shumë. Ajo thotë se me kalimin e viteve ngjarjet që kemi kaluar si popull, kanë lënë pasoja në gjenerata të ndryshme, prandaj edhe i kemi të ndryshme shprehjet që janë përdorur nëpër mure.

Kjo piktore e veçantë, realitetin e saj e përçoi edhe kudo nëpër botë dhe kudo ky realitet zgjoi interesim dhe kudo i ishte thënë se piktura e saj përmban në vete histori, ta jep ndjenjën që t’a prekësh, ato janë të mbushura me detaje

 

Fakte

 

Magbule Xhemaili  jeton dhe punon në Kosovë. Studimet i përfundoi në Fakultetin e  Arteve Figurative – Dega e pikturës, në klasën e Akademik. Prof. Muslim Mulliqit, ndërsa u diplomua më 2000, në klasën e Prof. Xhevdet Xhafa. Mbaroi magjistraturën dhe mbrojti me sukses temën e diplomës “Struktura e grafitit në pikturë”, nën mbikëqyrjen e Prof. Esat Vallës, më 2008. Punon si mësimdhënëse e  Artit Figurativ në Gjimnazin ” Zenel Hajdini “ në Gjilan dhe është bashkëpunëtore e jashtme në Fakultetin e Edukimit në Gjilan në cilësinë e asistentes në lëndën Arte të Bukura.

Ajo është autore e disa cikleve të punimeve e serive të pikturave si  “Pranë dyerve” dhe “Gjurmë në kohë”, në të cilat ka të fiksuar muret e shtëpivë të mjedisit të tyre. Njerëzit aty lënë gjurmë përmes  shenjave të pikturuara, teksteve, shkatërrimit ose renovimit.

Magbule Xhemaili në pikturën e saj ka gjetur një medium ekspresiv, plot shprehje për të treguar për vendin e saj. Në mënyrë delikate shikuesi / vështruesi është i inkurajuar që të mendoj për atë çfarë ka ndikuar në muret dhe dyert dhe pamjen e tyre të sotme të impresionuar.

Puna e shkëlqyer e Magbule Xhemailit u shpërblye me shumë çmime në vendin e saj dhe jashtë tij.

Është pjesëmarrëse e dhjeta ekspozitave personale dhe të përbashkëta brenda dhe jashtë vendit, pastaj kuratore, është themeluese e  OJQ- së / Grupit  të Artistëve të rinj “ Botart ” , anëtare e Shoqatës së Artistëve Figurativ të Kosovës, fituese e shumë çmimeve dhe mirënjohjeve ndër to edhe për  veprën më të suksesshme në ”Salloni i XXXI i Nëntorit ”- Prishtinë, kurse për veprën e saj dhanë kritika tejet pozitive shumë studiues të artit.

You Might Also Like