Arti pamor

Vajzat e fuqishme të Kosovës udhëtojnë për në Tiranë

Qendra për Art dhe Komunitet- Artpolis është implementuese e projektit “Balkan Girl Power” në Kosovë.

Ky projekt i financuar nga Fondi i Ballkanit Perëndimor bashkoi vajzat nga pesë vende të Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Serbia dhe Mali i Zi.

9 vajza nga Kosova iu bashkuan projektit “Vajzat e Fuqishme të Ballkanit” për të zhvilluar përmes fotografisë, një vizion të përbashkët të shoqërisë së vendit të tyre dhe të Ballkanit Perëndimor ku gratë luajnë një rol po aq aktiv sa burrat në progres drejt integrimit në BE.

Në kuadër të projektit, vajzat nga Kosova u trajnuan dhe nën mentorimin e fotografes Fjolla Besimi iu bashkuan platformës interaktive online “Balkan Girl Power” duke ngarkuar fotografitë e tyre të realizuara në kuadër të temës përkatëse së bashku me një profil të shkurtër për veten e tyre. Në këtë mënyrë vajzat nga të gjitha vendet pjesëmarrëse patën mundësinë të vlerësojnë fotografitë e njëra-tjetrës.

I gjithë ky proces votimi çoi deri në selektimin e 7 vajzave nga Kosova, fotografitë e të cilave do të paraqiten në ekspozitën e përbashkët “Balkan Girl Power” në Shqipëri.

Fatlinda Daku, Qëndresa Jashari, Igballe Terziqi, Kosovare Sadiku, Selviana Hysenaj, Rita Terstena dhe Rudina Kadolli janë vajzat, fotografitë e të cilave do të paraqiten në ekspozitën e përbashkët e cila do të mbahet me datë: 11 shkurt 2019 në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) në Tiranë.

Ekspozita Balkan Girl Power është rezultat i një iniciative rajonale (www.balkangirlpower.org) e realizuar nga pesë organizata të shoqërisë civile në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi dhe të udhëhequra nga Instituti për Kontratën Shoqërore (SCI).

E kuruar nga artistja e mirënjohur britanike, Lala Meredith-Vula, ekspozita Balkan Girl Power paraqet veprat më të mira të vajzave pjesëmarrëse, disa prej të cilave do të jenë të pranishme në hapjen e ekspozitës.

E në mesin e shtatë vajzave të përzgjedhura Qendresa Jashari dhe Selvina Hysenaj janë vajzat që u përzgjodhën për të qenë fizikisht pjesë e kësaj ekspozite më datë 11 shkurt si dhe me datë 12 shkurt ku do të mbahen dy aktivitete : “peer to peer” për të diskutuar për përvojën në këtë projekt, ëndrrat dhe perspektivat e tyre për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor në BE dhe çdo aktivitet të mundshëm të përbashkët të ardhshëm, bazuar në idetë e zhvilluara gjatë diskutimeve online dhe si aktivitet i dytë, një master klasë nga Lala Meredith Vula për fotografinë dhe potencialin e saj për të ndikuar në ndryshimet shoqërore.

Projekti Vajzat e Fuqishme të Ballkanit është financuar nga Fondi i Ballkanit Perëndimor dhe zbatohet nga ARTPOLIS (Kosovë), Instituti për Kontratën Shoqërore (Shqipëri), Këshilli Kombëtar Rinor i Maqedonisë, iACT(Mali i Zi) dhe Organizata për Promovimin e Aktivizmit (Serbi)

Ky projekt do të lë pas trashëgiminë e një rrjeti joformal prej 75 vajzash nga 5 vende të Ballkanit Perëndimor që njohin ëndrrat dhe perspektivat e njëra-tjetrës, duke përfshirë ato që lidhen me të ardhmen e vendeve të tyre përkatëse dhe Ballkanin Perëndimor si një rajon i integruar në BE. /KultPlus.com

You Might Also Like