Pishtarët e dijes që nuk harrohen kurrë
Shukri Hasim Selishta, mësues
U lind më 01 nëntor 1935 në fshatin Kranidell të komunës së Kamenicës, në një familje të varfër siç ishin pothuaj shumica absolute e familjeve shqiptare të asaj kohe nën sundimin e mbretërisë serbo-kroato-sllovene.
Ishte fëmija i parë i familjes prej gjithsej pesë sa do të lindnin nga martesa e prindërve të tij, Hasim Selishta me Rabishe Shkodrën nga Desivojca. I kishte edhe dy vëllezër e dy motra.
Për shkak të rrethanave të krijuara me Luftën e Dytë Botërore gjatë viteve 1941-1945 shkollën fillore e nisi pas çlirimit diku në moshën 10 apo 11- vjeçare dhe e kreu në vitin shkollor 1949/1950 në Kranidell.
Gjatë vitit 1950 kreu klasën e parë të kursit gjimnazial (kështu quhej në atë periudhë kohore) në Prishtinë.
Pastaj në vitin shkollor 1950/51 e kryen klasën e dytë të quajtur gjimnazi shqiptar në Hogosht.
Në vitin shkollor 1951/52 e përfundon klasën e dytë të këtij gjimnazi por tani në Rogaçicë.
Gjatë verës, pas përfundimit të vitit shkollor 1951/52 e ndjek dhe e përfundon me sukses kursin gjimnazial pedagogjik dymujorë (1 korrik-31 gusht 1950) për mësues në Mitrovicë dhe më 01 shtator 1952, në moshën 17- vjeçare emërohet mësues në fshatin Lisockë, të komunës së Kamenicës. Pasi që Lisocka gjendej në një distancë të largët me Kranidellin detyrohet të vendoset atje për banim si edhe shumica e mësuesve të asaj kohe.
Pra, në vitin shkollor 1952/53, nga 01.09.1952, kur u emërua mësues në fshatin Lisockë, filloi karriera e tij në shërbim të dijes. Aty punoi një vit shkollor deri më 31.08.53.
Pastaj në vitin vijues 1953/54 transferohet në detyrën e mësuesit në fshatin Gjyrishec të Kamenicës nga 01.09.1953 dhe aty punoi gati 3 vite të plota deri më 25.05.1956.
Nga data 26.05.1956 sistemohet të punojë në shkollën e fshatit Sedllarë, ku punoi deri më 10.03.1958.
Pastaj nga data 11.03.1958 e deri në fund të atij viti shkollor më 31.08.1958 ishte sistemuar në detyrën e mësuesit në fashtin Lajçiq e që ishin paralele të ndara të shkollës fillore “25 Maji” në Desivojcë, ku u sistemua në vitin vijues shkollor më 01.09.1958 e ku punoi e veproi deri më 01.10.1960. Pasi Desivojca ishte pak më afër, ai gjatë kohës sa punoi atje kryesisht ka udhëtuar diku 4 orë në ditë në dy drejtimet edhe pse ishte nip i Desivojcës.
Duke qenë i etshëm për dije e duke dashur të ecte bashkë me kohën, ai pa shkëputje nga puna regjistrohet si kandidat privat (me korrespondencë) në vitin e parë të shkollës normale në Prishtinë, paralelja e ndarë në Gjilan, të cilin e kryen në vitin 1958 dhe pastaj i vazhdon edhe katër klasat tjera të shkollës normale “Milladin Popoviq” në Prishtinë, ku e përfundoi në vitin 1963 dhe gjatë tërë kësaj periudhe udhëtimi bëhej në këmbë nga Kranidelli në Prishtinë, duke u furnizuar me ushqime (kryesisht bukë misri) për një javë.
Shkollën normale e përmbyllë në Gjilan me kryerjen e provimit të diplomës në afatin e shtatorit të vitit 1964.
Më 01 shtator 1961 sistemohet me punë në shkollën fillore “1 Maji” në Rogaçicë, pastaj gjatë periudhës gati dy vjeçare prej 22 shtator 1961 deri më 09 gusht 1963 kreu shërbimin ushtarak në Pulë të Kroacisë e pastaj kthehet sërish në vendin e tij të punës në Rogaçicë, ku e vazhdon karrierën e mësuesit e më pas edhe të arsimtarit të Historisë.
Rogaçicë, klasa V/2 me kujdestarin Shukri Selishta (28.05.1964), v.sh. 1963/64
SHF “1 Maji” në Rogaçicë, foto e shkrepur më 24.04.1966
Ekskursion njëjavor me nxënës, 6-15 maj 1966 (nuk ka të dhëna për vendin)
Në vitin shkollor 1967-68 regjistrohet si student me korrespondencë në seksionin Histori-Gjeografi të Universitetit të Beogradit dega në Gjakovë, ku pasi përfundon vitin të dytë, apo semestrin e katërt gjatë së cilës periudhë punonte pa shkëputje por tani si arsimtar i Historisë.
Provim 6 ditë para vdekjes
Më 19 nëntor 1969 pas një ngatërrese me familjen e një kolegut të tij, të cilët i kishte edhe fqinjë në lagjen ku banonte me qira në fshatin Rogaçicë plagoset dhe më 23 nëntor 1969 vdes nga plagët e marra në Spitalin e Shkupit.
Tragjedia e asaj dite të ftohtë nëntori, fatkeqësisht u mori jetën dy mësuesve gjatë asaj mosmarrëveshje pasi që kolegu i tij vdiq në vendin e ngjarjes, e ky pas 4 ditësh.
Këto ishin sfidat e kohës, pasojat shekullore të shtypjes së shqiptarëve, analfabetizmit e po ashtu duarve të zgjatura për të shërbyer ndaj pushtuesve që investonin shumë në mbjelljen e farës së përçarjes, nxitjen e vëllavrasjes, frenimin e shkollimit e emancipimit.
Të gjitha këto sollën tragjedi të mëdha për popullin shqiptar që pas LDB mbeti i shpërndarë, i shkelur, i asimiluar nëpër shtetet fqinje, sepse gjithmonë pati edhe të tillë që punuan kundër interesave të popullit të vet, kurse urdhërdhënësit e tyre nuk na konsideruan kurrë të barabartë me veten.