Gjilan

Pjesëmarrjen në Kuvend, opozita në Gjilan e kushtëzon me transmetimin online të seancave

Gjilan, 21 maj / Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) ka shqyrtuar dhe rekomanduar  për Kuvend planin e vlerësimit të rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera për Komunën e Gjilanit, që e ka prezantuar Bejtullah Osmani nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, raportin e punës për vitin 2023 të Komisionit komunal të aksionarëve në NPL “Stacioni i Autobusëve”, kërkesën për ndryshime dhe plotësime në Komisionit për shqyrtimin e kërkesave dhe ankesave në procesin e emërtimit të rrugëve dhe numërimit të adresave (propozim i shoqatës “Ali Hadri”) si dhe planin lokal të veprimit për cilësi të ajrit, të cilin e prezantoi Valon Shefkiu nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit.

Ndërkaq i ka shtyrë për ndonjë nga seancat e ardhshme: rregulloren për taksat administrative për dhënien e lejes së ndërtimit dhe tarifat për rregullimin e infrastrukturës, rregulloren për transport dhe bartje të udhëtarëve me taksi, diskutim për faljen e borxheve për ngarkesë të taksës komunale për bizneset afariste në Komunën e Gjilanit për periudhën 2000- 2019.

As propozimi i Arianit Sadikut (LVV) për futjen në rend dite të propozim-vendimit për bartjen e mjeteve nga tejkalimi i të hyrave vetanake të planifikuara të vitit 2023, nuk u përkrah nga opozita, e cila ka shumicën në KPF dhe Kuvend Komunal, me arsyetim se asnjë nga projektet e propozuara prej saj nuk kanë filluar të zbatohen.

Avdyl Aliu (LDK) tha se pushteti nuk mund të pres bashkëpunim nga opozita nëse vazhdon të tregohet kokëfortë.

Në të vërtetë, seanca e kaluar e Kuvendit nuk është mbajtur për shkak të mungesës së transmetimit online, ku edhe po këmbëngul opozita, meqë operatorit të deritashëm i ka skaduar kontrata.

Kushtrim Kadriu, kryesues i Kuvendit, ka thënë se në të njëjtën ditë do të mbahen dy seanca të Kuvendit, ajo e katërt dhe e pestë, për të cilat është miratuar rendi i punës në KPF.

Opozita ka lënë të kuptohet se nuk do të marrë pjesë në seancë nëse nuk sigurohet transmetim online, siç ka qenë më herët.

You Might Also Like