Libri

POEZI E MËKATIT TË ËMBËL

Sherafedin KADRIU
POEZI E MËKATIT TË ËMBËL
(Për vëllimin poetik, ” Kasaforta erotike” të Muhamet Halilit, botuar para pak kohësh nga Shtëpia botuese “BEQIR MUSLIU”, Gjilan)
Muhamet Halili vjen me këtë vëllim poetik si një kryengritës i dashuruar që e shpërfaq ndryshe dashurinë. Vetë titull i librit Kasaforta erotike, njëmend nuk ka shkëputur dy shprehje që kanë përmbajtje të ngjashme: erotikë – dashuri, por në këtë rast, sikur erotika lidhet me aktin, ndërsa dashuria me ndjenjën sepse akti i dëshiruar dhe i kërkuar me ngulm mbetet domethënësi. Prandaj, këtë shpërfaqje ndryshe, – ndryshe do duhej shikuar si fjalë artistike, e cila shpeshherë del të jetë akt e ndjenjë njëkohësisht. Kjo trajtë shfaqjeje pastaj na shtyn që dashurinë t’ia lëmë asaj ndjenjës së fuqishme ndaj vashës, ndërsa erotikën – aktit. Një ndarje e këtillë përmbajtjesore nuk do ishte me vend në raste tjera, por këtë veprim na e kushtëzon vetë paraqitja e erotikës me akt. Dhe, në raste të këtilla, është muza dorëlëshuar që poetit ia ruan fshehtësinë e aktit të mëkatit të ëmbël, sado poeti nuk e ka për dert të kallëzojë veprimin.
Përgjithësisht, poezia e Halilit është një poezi motivesh që përplas thjesht bukurinë duke ia prerë krahët krahasimit nëpërmjet metaforës dhe oksimoronit në të njëjtin çast. Pastaj fuqishëm derdhet si ndjenjë në “sytë që janë poezi”. Pak më vonë bukurisë i “zë prit në çdo varg dhe e puthë në çdo rimë”.
Librit i prin një poezi në rolin e prologut, përmes së cilës dritësohet një metaforë e shtrirë në vargje, e cila paraqet tërësinë e vëllimit poetik. Për të shpërfaqë më me respekt dashurinë për vashën, poeti ka ndarë apo ka bashkuar tri cikle poetike që ngjasojnë në përmbajtje dhe gjuhë artistike, por dallojnë në veprime.
Dhe, për t’u ndjerë trim, poeti vepron kujdesshëm gjatë ndërtimit të harmonisë estetike, duke kallur flakë përfytyrimin e aktit, edhe cullak qoftë! Erotika në këtë kasafortë tejkalon fjalën e bukur, atë fjalën e lëmuar si gishtat e të dashuruarit në fytyrën e vashës tek rrëshqasin ëmbël-ëmbël. Dhe, të duash, dhe ta paramendosh aktin, është një ndjenjë dhe një veprim që bashkëjetojnë në natën pa gjumë. Mëngjesi e gjen me sy të zgurdulluar teksa i thërret momentit:
cila ishe ti
si me të gjet’
vetëm me të dhënë
flokët që shkëlqejnë
(vrapova flokut tënd)
Përcilleni këtë gjuhë dhe më thoni, nëse nuk është kodifikuar si gjuhë erotike, gjuhë e aktit, e atij oksimoronit të rrallë në letërsi – mëkati i ëmbël.
Cikli Ëndërr poetike – nis me poezinë titull të librit Kasafortë erotike. Dhe, kasaforta erotike është fustani me tri kopsat magjike, të cilat nuk kanë tjetër rol, përpos të zbërthehen me delikatesë dhe secila prej tyre karakteristike për fundin e aktit, se, kur bie/ fustani/ hapet/ kasaforta!
Nuk e dimë kush janë pellgjet e tjera të mbushura lëng ëmbëlsie që synon dashnori, por cilat do qofshin, mjafton se në vete kanë eliksirin e dashurisë. Prandaj, herë e takojmë me atë vashën e qytetit në park, që di të thyhet në bel, si qytetarët më, herë tjetër e takojmë me çobaneshën e tij. Sa bukur! Paksa si në traditën popullore, e do po nuk guxon t’i afrohet se udhën ia ka prerë ai qeni mavri që “s’i ruan delet/ sa të ruan ty” (çobaneshë hajde te kroi), – qahet trimi.
Dhe, si mund të quhet poezi erotike nëse në të nuk janë ai dhe ajo. Ndoshta ai vetëm në titull, ama ajo, – ajo gjendet gjithkund: në filtrin e strofave, mbuluar vetëm me rimë, atij vargut bosh, të lirshëm a të rimuar…ndoshta gjendet në rrokjet me muzikalitet ose në vargjet e ngrohta. Ku nuk gjendet, se?
Dhe, sërish tradita me veprimet e saja. Ndryshimi ndodh në qasje, jo në përmbajtje. Kështu, poeti nuk ka si të mos e presë vajzën që po rritej shpejt. Dhe pret si një durimtar i regjur. Ama, një moment bota përmbyset: nga ti nisem/ujit cullak i falem/tashmë m’je pjekur/dhe unë boll jam djegur. (pres dhe digjem).
Cili i dytë është titulluar Sot falet mëkati. Mëkati falet vetëm sot, prandaj dije se:
për një prekje me pahir
të atij gjoksi bardhësi bore
i rrafshoj këto bjeshkë
Karadaku
me shuplakë dore
(me ty jam një)
Që të mos i hyjmë në hak poetit, se është nga ata poet që di t’i shfrytëzojë fjalët e zakonshme, të cilat i shndërron në fjalë të pazakonshme duke nxjerrë magji nga to (sipas Borhesit), konsideroj se mjafton ta shpërfaqim një strofë ndjenjash:
një zemër qëndis me pe bojëgjaku
jo për pajë nusërie
do më therë nga pak gjilpëra
mos me të zënë gjumi
nën atë hije
(pritja)
Dhe, në të këtilla raste, shpeshherë, figura letrare e krahasimit flet bukur gjithsesi duke vënë në spikamë situata, po prandaj shtrihet e shtrihet krahasimi:
Kur ta vura dorën mes kofshëve
More flakë si ashkël e thatë
(të ndjeva me trupin tim)
Dilema e dashjes e pa mundur të mos ishte pjesë e rrëfimit lirik të poetit. Ajo vetëm e zbukuron ndjenjën e dashurisë, e thellon, e shpirtëzon dhe në të njëjtën kohë e kërkon.
më ke dashur
apo ishe një aktore e përkryer
(dilema)
Dhe, duke vazhduar këmbëngulësinë inatçore të trimit se ajo ishte aktore, atëherë përfundon në fundin e shkatërrimit: “mos më kërko më të jemi bashkë”.
Si i tillë, rrëfimi lirik përmbushet me forma të ndryshme komunikimi, herë të drejtpërdrejta me vashën, e herë tjetër me publikun. Nuk mund të thuash se njëra trajtë e dominon tjetrën, nuk mund të thuash se njëra trajtë është më dashurore se tjetra, ose njëra është akt e tjetra dashuri. E vështirë t’i ndash këto trajta rrëfimi se të dyja reflektohen te njëra-tjetra.
Kështu e kanë të rinjtë e rritur. Rrinë në stolat e parkut si një rrëfim plaku që vëren e habitet, jo se rrinë kohë e kohë, por pse janë dhënë aq shumë pas telefonave, sa po të mos e puthte ajo nganjëherë, atëherë pse t’i vështrosh vallë?
Vetëm njëherë na ka ngjitur në atë kodrinën që quhet Gurina e Muçajve dhe sa mirë ka bërë… kemi parë nga aty pyje të gjelbëruara, hije të diellëzuara dhe ujëra të bollshëm Karadaku. Po të takonim edhe toponime tjera, vështirë se do të zbrisnim në qytet për një tango nudo.
Cikli i tretë i titullua Pakt me hënën, sikur i kërkon hënës të jetë e besës se çfarë nuk do të shohë e çfarë nuk do të dëgjojë, ndryshe pse të bënte pakt me të?
Edhe ashtu, hëna simbolizon besnikërinë a fshehjen e fshehtësisë. Po hëna e trimit tonë nuk është krejt e pa marre. Këtë e thotë vetë trimi: kur dehem fort n’ato buzë të fryra/me butësi gjinjsh duart i mbush/hënës në qiell i skuqet fytyra/kur Ti nxjerr gjithçka në fushë.
Dhe, sërish oksimoroni vepron, e rrallë ndërtohet më bukur: turpi i ëmbël mundet nga qejfi që është më i madh se Stambolli. Po ngutja është e tepërt. Ajo sjell vetëm përmbytje. Po, prandaj trimi paska bërë pakt me hënën ta zgjasë natën: derisa t’i shuhet etja.
E këtillë është dashuria, të mbush e stërmbush ditë ndjenjash gëzimi, lumturie pse jo, por si ndodh zakonisht, vijnë edhe ato ditët e dhembjes, dhe mu atëherë dashuria është shpërfaqja më e bukur e aktit, aktit të ndarjes medoemos. Se është i drejtë trimi. Ai e thotë qartas:
njëmend rashë në ty
si Pardi në sytë e Helenës
(le të bie sërish Troja)
Dhe kur frikësohet se mund të mos e ketë më, se po rritet si shpejt e mund t’ia marrë kush tjetër, ai thërret me ngulm nga gjoksi: ndale rriten Zanë!
Kalojmë kështu 21 poezi të këtij cikli. Që secila prej tyre është vetë ndjenja e mendimi i trimit për vashën e dashur, për gjendjen, për dilemën, e për çka jo?
Prandaj përsiatjet e poetit në të tri ciklet e këtij vëllimi poetik njëkohësisht janë përsiatje edhe filozofike. Rruga është hapur për të vënë rend e qetësi dashurie, po nuk ndodh kështu secilën herë. Herë ikën njëri, e herë provon tjetri. Megjithatë, nuk ka dorëzim. Siç nuk dorëzohet dashuria. Kurrë nuk kam dëgjuar se është dorëzuar ndonjëherë. Dorëzimi më i madh ka qenë pritja e vonë. Po prandaj nuk thonë kot: po të përpiu dashuria, nuk do dalësh/derisa të çmendesh (çmendurisht).
Poezitë e këtilla lexohen me një frymë, në mëngjes dhe mbrëmje. Kurdo që dëshiron t’i rilexosh, ato të presin pa druajtje se gjithmonë ke çfarë të marrësh prej tyre.
Kjo marrje e re ndjenje e mendimi do duhej konsideruar vlerë e këtyre poezive të Muhamet Halilit. Në fund të fundit, një poezi mendimesh të thella sikur e bën poetikën më engjëllore.
Vetë poezia ka arritur ta thyej kasafortën e erotikës për të rrjedhë si dashuri me të gjitha rrëfimet e mundshme, me të gjitha ngjarjet e bujshme të aktit. Nuk është poezi e tipit të mesazheve, jo, – është poezi që përjetësohet në dashuri nga emocionet e thella për të vërshuar poetikisht si imagjinatë e stërholluar.
________________________
( Autori i këtij vështrimi është njëkohësisht dhe redaktor i vëllimit poetik të Muhamet Halilit, “Kasaforta erotike”)

You Might Also Like