Mehmetali Rexhepi
Poezia e ilegales, kjo me autorësi të Hydajet Hysenit edhe e ca të tjerëve, është poezia me ndjeshmërinë më të sinqertë, që ngërthen në vete ideale çlirimtare, atdhetare, vuajtje dhe flijime të pa treguara e të pashkruara, sikurse në burgjet serbe më!… Sytë e veshët janë tëholluar aq sa të kapnin çdo pipëtimë lëvizjeje, çdo lajm, çdo ndodhi, edhe fluturimet e zogjve në qiell… Qelia brente njomështinë rinore dhe thurte ëndrrat, që vetëm atmosfera e zymtë e burgut mund t`ua ndillte të burgosurve atdhetarë… Vuajtja, dhimbja, besimi, shpresa të gjitha këto përjetime e lindnin artin e vargut, dridhjet e këngës dhe thyerjen e grilave mbi jetën e të burgosurve politikë shqiptarë… Pikërisht këtu shpërtheu vrushkulli i burimit të lirisë, që do të shndërrohej në lumin e pandalshëm të çështjes madhore shqiptare, të cilën herë e anashkalojmë, herë e përbuzim dhe i vëmë tiketa për ta barazuar e zvogëluar deri në nivelin e atyre që i ranë ndesh kësaj rrjedhe të dialektikës sonë kombëtare… Këtu e ka fillin qëndresa paqësore, Lufta Çlirimtare, Liria dhe Demokracia e dhunuar!… Lavdi e përjetshme të burgosurve politikë shqiptarë që u bënë pararendësit e çlirimtarëve!
Në kujtim të natës që Kodrën e Shkrumit, siç quhej më parë, e ripagëzoi: “Kodra e Trimave”.
KËNGA ZJARR
Një dimër i largët, i trishtë, Boricë, mjegull, thëllim; Ngricë e egër ishte, S’ngrinte vetëm zjarri, Pas penxheres së vogël, mbyllur me qilim, Pritnim agimin me bërryla në tavolinë, Me këngë për Mëmëdhenë, Për një ditë të re, Dalëngadalë po vjen behari!
Këndonim për beharin, Se beharit i ishim falë, E etja për beharin të përplaska në qeli, Ata që bashkojnë ëndrrat i mbaka të ndarë…! Etja për një ditë të re të mplakka pa rini. Vitet vinin e shkonin, Pa stinë lulesh, pa këngë bilbilash; Çdo stinë dimër kishte, E çdo herë më i egër acari; Ne avazin tonë, Nga bodrumet, nga qelia, nga varri: Për Mëmëdhenë, për Mëmëdhenë, Dalëngadalë po vjen behari…!
E në ditën e Dasmës suaj, Se ç’këngë kënduat unë nuk e di, Por, do të keni kënduar diç për Mëmëdhenë,
Do të keni kënduar diç për Beharin…, Do të ketë kënduar atë ditë Prishtina: Dy heronj – një ushtri…
Prapë është dimër, Acar që derrin e pëlcet, Tani, pa ty, të njëjtën këngë këndojmë sot, Por tani grushtet më shumë shtrëngohen, Tani kënga qet xixa e lot!
Sërish është dimër. Acar. Acar që kullon vrer e gjak, Por zjarrin ngrica s’e shuan dot, E zjarr është kjo tokë e gjë s’e gjen; Le të thëllojë veriu i çmendur, Le të pëlcasë, le t’ia bëjë: tak! Ne prapë këndojmë për Mëmëdhenë, Prapë këndojmë për Beharin, Po na vjen, po na vjen!
1984, “CZ”. Bg.