Libri

Në Gjilan u promovua libri “Frynte shumë erë” i autorit Nasi Lera

Në Bibliotekën Ndërajonale “Fan S. Noli” në kuadër të Vjeshtës Letrare të Gjilanit është promovuar libri “Frynte shumë erë” i autorit të mirënjohur Nasi Lera, shkruan kryelajmi.com.

Sabit Rrustemi, kryetar i Ars Club “Beqir Musliu”, ka thënë se është nder i madh që në kuadër të Vjeshtës Letrare të Gjilanit, po promovohet ky libër dhe ka shprehur keqardhje për mospraninë e autorit në këtë ngjarje të madhe të librit, shkaku i problemeve shëndetësore, por siç ka shtuar Rrustemi askush më mirë se libri nuk mund t’a zëvendësoje autorin.

Për librin “Frynte shumë erë” ka folur shkrimtari Prend Buzhala, që tha se në të janë paraqitur tri novela, të shkruara nga Nasi Lera gjatë viteve të tetëdhjeta. Ai ka çmuar lart krijimtarinë e Nasi Lerës.

Nexhat Rexha, shkrimtar, ka folur për takimin që është mbajtur me shkrimtarin Nasi Lera në Klinë dhe është ndalë te romanet e këtij autori, sikurse edhe për kumtesat që janë lexuar për vlerën letrare të Nasi Lerës nga Mikel Gojani, Anton Nikë Berisha, Prend Buzhala, Sabit Rrustemi e kritikë të tjerë, të cilat janë botuar në një vëllim të titulluar “Njohja e mëtejshme e botimeve letrare të poetit Nasi Lera”.

Emin Azemi ka paraqitur kumtesën e Mikel Gojanit, duke paraqitur një pjesë të recensionit të Mikel Gojanit për romanin “Ngjallja e diktatorit”.

Arsim Halili, shkrimtar nga Lugina e Preshevës, është paraqitur me një punim të gjerë për romanin “Të gjithë premtojnë Parisin” të Nasi Lerës, kurse Anton Nikë Berisha, foli për tregimet e shkruara të Nasi Lerës gjatë periudhës 30-vjecare, duke thënë se ky autor krijoi një numër të madh të tregimeve dhe shtoi se Lera gërmon n të veçantat dhe të panjohurat e personazheve dhe se për të nuk ka tema të mëdha e të vogla dhe në tregimet e tij ai përdor gjuhë shqipe të pasur poetike.

“Lera nuk i zhvesh dukuritë, por përmes tekstit poetik ai ndërton një realitet të veçantë poetik”, tha ndër të tjera Berisha.

Në fund të kësaj ngjarje të mëdha të librit, Sabit Rrustemi, organizator nxori disa thënie të Nasi Lerës në raport me shkrimtarin dhe lexuesin, derisa Zanë Mali, deklamoi pjesë nga krijimtaria letrare e Nasi Lerës.

“Vjeshta Letrare e Gjilanit” do të vazhdojë të shtunën e ardhshme me veprimtarinë letrare të radhës e ku në qendër do të jetë shkrimtari gjilanas Rexhep Elmazi./kryelajmi.com/.

You Might Also Like