Futboll

Profesoresha Shqipe Sijarina – Jakupi ishte kreatore e fanellës gjigante të FC Drita

 Teksa u shpjegon nxënësve të saj për veprimtarinë e Shoqërisë “Drita” të Bukureshtit, shoqëri që u lind në momentin kur në trojet rumune shkëlqeu një plejadë e patriotëve shqiptare, që nga Naum Veqilharxhi e deri tek Asdreni, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli dhe pasardhësit e tyre, pak metra më larg shkollës ku ajo mbanë mësim, në shkallët e stadiumit po ky emër kumbon nga thirrjet e tifozëve më të flaktë të FC Drita – Intelektualët.

Profesoresha e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, Shqipe Sijarina – Jakupi, kthen për një çast kujtesën para njëzet viteve dhe vazhdon ligjërimin për veprimtarinë patriotike, kulturore e arsimore të kësaj shoqërie.

Pas luftës, në Gjilan kishte kohë që pos rivalitetit në fushë ndërmjet futbollistëve të Dritës dhe Gjilanit, tifozëritë e të dy ekipeve gjithnjë i përgatisnin befasi njëra-tjetrës me ide kreative në shkallët e stadiumit, gjë e cila vazhdon edhe sot.

Shqipe Sijarina, duke qenë tifoze e flaktë e KF Drita kishte punuar një fanellë gjigante të FC Drita, e cila kishte mbuluar tifozërinë e ekipit bardh e kaltër, gjë e cila nuk i kishte shpëtuar syrit të fotografëve dhe kameramanëve që kishin përcjellë ndeshjen. Pamje të tilla më pas u paraqitën edhe në Stadiumin e Prishtinës, ku është paraqitur e njëjta fanellë.

Njëzet vite më pas, profesoresha Shqipe Sijarina – Jakupi, kujton se ishin dashur me shume se 100 metra pëlhurë bazë për të realizuar një fanellë gjigante që do të valëvitej në derbin e vitit 2001 në Gjilan e më pas edhe në kryeqytet. Përmasat e fanellës ishin 11 x 9 metra.

 

Shqipe Sijarina – Jakupi

“Me shkronja të qepura me kujdes, me një simetri të përkryer, u thurën dy fjalë që përjetësisht kanë mbetur sinonimi më i bukur i dashurisë. Për shkak të përmasave të mëdha u desh ndihma e gjithë familjes, për të peshuar dhe për të ndërruar pozitën e fanellës, sa here që një shkronjë e artë vendosej në të, nga që ishte e vështirë të peshohej nga një person”, kujton profesoresha Shqipe Sijarina – Jakupi, duke shtuar se me dashuri të veçantë, për disa ditë radhazi, u bashkuan pjesët si në një mozaik, që jo vetëm simbolizon një dashuri pa kusht, por edhe një kulturë dhe krenari qytetare. Ky flamur është dëmtuar nga koha, por sot ka mbetur si një imazh i papërsëritshëm, ishte një novacion në Kosovë, që shumë shpejt u kopjua nga tifogrupet tjera.

Çaste gëzimi kur KF Drita për herë të parë u shpall kampione e Kosovës
Gjithnjë në përkrahje të KF Drita
Në përkrahje edhe të Kombëtares së Shqipërisë
Shqipe dhe Adhurim Jakupi, tifozë të Dritës qysh se ishin të rinj

Ajo edhe sot mbetet tifoze e FC Drita e jeta e profesoreshës Shqipe Sijarina – Jakupi është e lidhur me emrin e këtij ekipi, ngase bashkëshorti i saj Adhurim Jakupi është njeri nga themeluesit e grupit të tifozëve “Intelektualët” e për disa vite me radhë ishte udhëheqës i tyre. Gjithashtu ai është bashkautor i tekstit të himnit të KF Drita të ciln e kompozoi kunati i saj, profesori dhe kompozitori Kushtrim Jakupi më 1997, në kohën kur ekipi po shënonte 50- vjetorin e themelimit.

Kushtrim Jakupi, kompozitor i Himnit të Dritës

Shqipe Sijarina është motra e sulmuesit dhe golashënuesit të njohur të FC Drita, Mentor Sijarinia, i cili tashti është trajner në gjeneratat e reja të ekipit bardh e kaltër.

Mentor Sijarina, ish-futbollist i Dritës e tash trajner me gjeneratat e reja të FC Drita

Enver Sadiku – kryelajmi.com

You Might Also Like