Trashëgimi

Projekti “TRASHËGIMIA KULTURORE NË SYTË E NXËNËSVE” në mesin e finalistëve në nivel ndërkombëtar

Edicioni i parë “Çmimi Rajonal për praktikën e shksesshme të vullnetarizmit edukativ” radhit Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” në mesin e finalistëve. Ekipi i përbërë nga mësimdhënëset Shqipe Sijarina Jakupi, Magbule Xhemaili dhe Arlinda Demiri Latifi, mbështetur nga drejtoria e shkollës, ka aplikuar për këtë çmim me projektin “Trashëgimia kulturore në sytë e nxënësve” duke prezantuar përvojën arsimore të vullnetarizmit edukativ në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti”. Projekti ka kaluar dy faza vlerësimi, ndërsa për fazën e fundit vlerësimi do të bëhet nga juria në nivel rajonal të shteteve të Ballkanit dhe Evropës Qendrore. Çmimi organizohet nga Organizata Ndërkombëtare “Interactive Open School” (MIOS) dhe partnerët e Rrjetit të Vullnetarizmit Aktiv për Evropën Qendrore dhe Lindore (CEE SL Network) me mbështetjen e Qendrës Latino-Amerikane për Vullnetarizëm Aktiv (CLAYSS), ndërsa TOKA është anëtar i rrjetit dhe partner i Çmimit për Vullnetarizëm Edukativ për Kosovën. Ky çmim ka për qëllim njohjen dhe vlerësimin e punës së institucioneve që janë duke zhvilluar projekte dhe aktivitete vullnetare me elemente edukative dhe bazë kurrikulare; njohjen e mësimdhënësve që përfshihen në projekte dhe nxisin nxënësit të angazhohen në qytetari aktive duke ndihmuar në përmirësimin e cilësisë së jetës në komunitet. Udhëheqësja e projektit profesoresha e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Shqipe Sijarina Jakupi, shprehet e lumtur që përkushtimi dhe puna e madhe me nxënës në realizimin e këtij projekti po shpërblehet dhe po vlerësohet në nivel ndërkombëtar, duke uruar që çmimi final t’i takojë nxënësve dhe Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmet”. Suksesi eshte edhe me i madh, thekson ajo, kur kemi parasysh kriteret e vlerësimit, si: cilësia e aktiviteteve të vullnetarizmit në komunitet dhe me komunitetin përfitues, lidhja e qartë ndërmjet vullnetarizmit edukativ dhe përmbajtjes kurrikulare si dhe roli i nxënësve në dizajnimin dhe zbatimin e projektit. Gjithashtu, shprehet falënderuese për të gjithë pjesëmarrësit e projektit, duke përfshirë këtu edhe prindërit dhe përfaqësuesit e Muzeut te qytetit.

You Might Also Like