Trashëgimi

Kulla e Sahit Agës në Kufcë e Poshtme

dini Shkruan: Sherafedin Kadriu, QRTK – Gjilan

Objekti që në Rajonin e Gjilanit njihet si Kulla e Sahit Agës, nuk është kullë tipike, por si duket është emërtuar si i tillë për shkak se në kohën kur është ndërtuar ka qenë ndër objektet më të mëdha në këtë trevë. I gëlqerosur me të bardhën, dallohej që larg. Përndryshe, objekti i takon tipit të shtëpive qytetare me ballkon, duke qenë njëkohësisht një ndërtim masiv për kohën. Një ndërtim të tillë që në kohën e Turqisë ka mundur ta financojë vetëm ndonjë i kamur, e i tillë ishte Sahit Aga. Sot, një lagje e tërë në Gjilan mban emërtimin Lagjja e Zabelit të Sahit Agës.

Ndërtesa është me mure të trasha rreth 0.80 m me bazë prej gurësh, sikundër me gurë janë të gjitha muret e përdhesit duke përdorur për material lidhës llaçin prej gëlqereje. Muret e katit janë bërë me tulla dhe llaç gëlqereje.

Në objekt hyhet nga lindja nëpërmjet dy shkallëve dhe një pushimoreje drejt në korridorin e gjerë, i cili komunikon me tri dyer hyrëse në katër dhoma. Në të vërtetë, në anën e djathtë të korridorit dhoma e madhe ka një derë komunikuese me dhomën më të vogël. Ndërsa, dy dhomat në të djathtë kanë dyert e tyre të veçanta. Si në përdhes, si në kat, ndodhen nga katër dhoma, dy të mëdha dhe dy të vogla. Po kështu edhe në kat ka vetëm tri dyer komunikuese me dhomat sepse edhe atje njëra dhomë komunikon drejtpërdrejtë me dhomën më të vogël me një derë nga brenda. Dhomat e mëdha kanë nga tri dritare, ndërsa të voglat nga një. Katet komunikojnë me shkallë të brendshme prej druri të vendosura në fund të korridorit të përdhesit. Korridori i katit përfundon me një ballkon të dritësuar nga dritare në tërë sipërfaqen e tij ballore.

Objekti ka kulm katërujës, i mbuluar me tjegulla. Duket se ka nevojë për ndërhyrje se ka filluar të pikojë. Por, problem në vete paraqet djegia e dhomës së madhe të përdhesit që më vonë qe përdorur për kuzhinë. Po ky rast, si një sondë, na ka njohur me dyshemenë e katit, e cila përpos dërrasave e trarëve, ndërmjet listelave ka edhe zhavorr. Mjeshtrit thonë se zhavorri në dyshemetë e kateve është përdorur për ta larguar lagështinë e mundshme, një tip termo-izoluesi. Dysheme të këtilla nuk janë hasur në shtëpitë tjera.

Objekti ka nevojë për suvatim dhe intervenim në kulm.

You Might Also Like