Shkruan: Halim Halimi, kritik letrar
Botimi i pesë librave me tituj “Sjellja dhe komunikimi”, “Edukimi përmes lojës”, nga mësimdhënëset Gëzime Sahiti, Vlora Jakupi dhe Yllka Behluli, ka nxitur diskutime dhe reflektime të shumta në qarqet arsimore, duke e theksuar rëndësinë që këto libra pritet të kenë në procesin edukativo-arsimor.
Vlerat dhe përmbajtja e këtyre materialeve i japin mundësi çdo nxënësi të ndërtojë qëndrime dhe aftësi të qëndrueshme në përputhje me kërkesat e shoqërisë bashkëkohore.
Temat qendrore — sjellja dhe komunikimi — përbëjnë shtyllat kryesore mbi të cilat ndërtohet struktura pedagogjike dhe përmbajtësore e librave. Ato trajtohen në mënyrë të sistematizuar, përmes situatave konkrete dhe qasjeve didaktike që reflektojnë mënyrat e shumëllojshme të manifestimit të këtyre dukurive në kontekste të ndryshme shoqërore dhe arsimore.
Sjellja nuk paraqitet thjesht si një koncept i veçuar, por si një komponent i pandashëm i edukatës qytetare dhe jetës shoqërore, që ndihmon në modelimin e karakterit dhe vlerave të nxënësit. Ndërkaq, komunikimi trajtohet jo vetëm si mjet gjuhësor, por edhe si proces i thellë njohës dhe emocional, që kontribuon në zhvillimin e të menduarit kritik, ndërveprimit efektiv dhe konsolidimit të identitetit personal dhe social të nxënësit.
Nevoja për të vlerësuar dhe për t’u ndier i vlerësuar është një binom i pandashëm që e ka shoqëruar gjithmonë njeriun – dhe, rrjedhimisht, edhe mësimdhënësin – i cili e ndërton identitetin dhe vlerën e vet përmes pasqyrimit të rezultateve gjithnjë sfiduese, dinamike dhe në ndërveprim të vazhdueshëm me faktorët që e rrethojnë.
Roli dhe funksioni i mësimdhënies, pavarësisht ndryshimeve të shumta konceptuale ndër vite, mbetet ende i papërkufizuar në tërësinë e vet – për shkak të natyrës së saj polivalente, shumëdimensionale dhe thellësisht humane.
Sot, kemi para vetes një shembull të rrallë përkushtimi dhe vizioni profesional: një punë të jashtëzakonshme të tri mësimdhënëseve të cilat, të shtyra nga një ndjenjë e thellë profesionale dhe humane, nuk pranuan që përvoja dhe njohuritë e tyre të mbeteshin brenda mureve të klasës. Ato krijuan një mundësi të re, duke sjellë në dritë këto vepra që synojnë të shërbejë për të gjithë ata nxënës dhe mësimdhënës që besojnë se shkolla është vendi i kultivimit të shpirtit dhe institucioni i vetëm ku njeriu intervenon ndaj natyrës.
Përvoja shumëvjeçare në punën me fëmijë është përpunuar përmes një procesi të vazhdueshëm reflektimi e testimi, duke marrë formë në librat që sot promovojmë – libra që ofrojnë alternativa të reja për të mësuar, për të kuptuar dhe për të ndërtuar vlera.
Seria me pesë vëllime “Sjellja dhe Komunikimi”, ndonëse e konceptuar si lëndë zgjedhore, për nga përmbajtja dhe rëndësia që mbart, përfaqëson një nevojë të domosdoshme për secilin nxënës.
Edukimi, kultura dhe sjellja – si nocione dhe si realitete të mishëruara përmes procesit mësimor – kanë qenë gjithmonë të rrënjosura thellë në institucionin e familjes. Por bartja e tyre në një trajtë të strukturuar shkollore kërkon një rikonceptim të kujdesshëm dhe një metodologji të mirëfilltë që siguron qartësi në qëllime dhe rezultate të matshme.
Librat janë ndërtuar me një ndjeshmëri të veçantë për moshën delikate të nxënësve të ciklit fillor, nga klasa e parë deri në të pestën. Qasja është përshtatur me moshën, zhvillimin psikologjik dhe sfidat me të cilat përballen fëmijët në jetën e përditshme. Kujdes i veçantë i është kushtuar ndjeshmërisë së tyre emocionale, nevojës për afërsi, ndjenjës së sigurisë, socializimit të hershëm, argëtimit dhe disiplinimit të butë brenda ambientit shkollor.
Klasat e para, të dyta dhe të treta janë identifikuar si faza kyçe për ndërhyrje të hershme në formësimin e sjelljes dhe të kompetencave, duke ndërtuar gradualisht edhe kërkesën për dije. Përmbajtja e këtyre librave është në përputhje të plotë me Kurrikulën Bërthamë të Republikës së Kosovës, çka garanton koherencë dhe cilësi. Ky përputhje nuk është rastësor, pasi tri autoret janë trajnere të certifikuara me përvojë të pasur në zbatimin teorik dhe praktik të kurrikulës, si me mësimdhënësit, ashtu edhe me nxënësit.
Loja – si një nga format më të vjetra dhe më të efektshme të të nxënit – zë vend të veçantë në këta libra. Përmes lojës, fëmijët mësojnë të ndërtojnë situata reale, të përjetojnë ndjenja, të kuptojnë dhe të respektojnë rregulla, të bashkëpunojnë, të pranojnë humbjen dhe të gëzohen për fitoren. Loja është shndërruar në një mjet të fuqishëm për zhvillimin e kompetencave sociale dhe emocionale.
Përmes temave të përzgjedhura me kujdes, librat synojnë të vetëdijësojnë nxënësit që të bëhen qytetarë të përgjegjshëm, që njohin dhe çmojnë vlerat humane. Përfshihen tema që lidhen me festa, personalitete, ngjarje historike dhe zhvillime bashkëkohore, duke ndihmuar fëmijën të kuptojë më mirë botën përreth, globalizimin, ndërvarësinë dhe sfidat e kohës moderne, si psh: barazia gjinore, dita botërore e librit, dita botërore e fëmijëve, dita Europës.
Një shtyllë tjetër e rëndësishme e përmbajtjes së librave “Sjellja dhe komunikimi”, “Edukimi përmes lojës”, është edukimi për identitetin kombëtar, i cili integrohet në mënyrë të qëllimshme brenda kornizës mësimore. Temat si: dashuria për atdheun, historiku i abetares, Kongresit të Manastirit, Shpallja e Pavarësisë së Kosovës dhe simbolika e 28 Nëntorit, janë trajtuar me qasje pedagogjike që synon zhvillimin e kompetencave historike, kulturore dhe qytetare të nxënësve. Këto përmbajtje u mundësojnë nxënësve të njohin dhe të vlerësojnë trashëgiminë kombëtare, të ndërtojnë ndjenjën e përkatësisë dhe të formojnë identitetin e tyre në mënyrë të vetëdijshme, në përputhje me parimet e bashkëjetesës, diversitetit dhe respektit për vlerat universale. Në këtë mënyrë, librat kontribuojnë në edukimin holistik të nxënësve, duke i pajisur ata me njohuri, qëndrime dhe aftësi të nevojshme për të qenë qytetarë aktivë dhe të përgjegjshëm në një shoqëri demokratike.
Një pjesë thelbësore e kësaj përmbajtjeje është edhe reflektimi mbi ndikimin e teknologjisë në jetën e përditshme. Teknologjia nuk paraqitet vetëm si një mjet ndihmës, por edhe si një sfidë që kërkon ndërgjegjësim. Autoret kanë ditur të ndërtojnë tematika që ndihmojnë fëmijën të kuptojë fuqinë, por edhe rreziqet që sjell ajo – duke nxitur një përdorim të ndërgjegjshëm dhe kritik.
Kjo seri librash është dëshmi e një përkushtimi profesional dhe shpirtëror. Është dëshmi e besimit se edukimi nuk ndodh vetëm në manuale, por në përvojën e gjallë të atyre që çdo ditë i japin formë sjelljes dhe komunikimit të brezave të rinj.
Le t’i mirëpresim këto libra me respekt dhe mirënjohje – si një pasuri e re për shkollat tona dhe si një ftesë për të gjithë ne që të çmojmë më shumë rolin e mësimdhënësit dhe fuqinë e fjalës së shkruar.