Sot Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan, ka përvjetorin e 15-të të saj. Kjo kohë specifike e pandemisë, imponon edhe ndërrim të formës së shënimit të formave tradicionale të përvjetorit të Qendrës sonë. Çdo përvjetor sa vjen e bëhet më i rëndësishëm si për anëtarësinë, aktivistët dhe gjithë strukturat e Qendrës sonë e të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Edhe sivjet në kushte të tjera, këtë përvjetor do e shënonim me solemnitet, me prani të madhe të aktivistëve, anëtarëve e simpatizantëve tanë, por edhe me personalitete tjera edhe qytetarë, me ç’ rast do përkujtonim format e aktivitetit, duke vënë në pah një bilanc një vjeçar të punës sonë. Takimi do të gumëzhinte nga aktivistët, anëtarët e simpatizantët, nga bisedat, e idetë e edhe nga aktivitetet kulturore e jo rrallë edhe përformanca artistike.
Tashmë shtëpia jonë, pra Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan, është bërë një shtëpi e madhe, e cila çdo ditë pret e pranon anëtarë të rinj, të cilët brenda vitit bëhen me qindra. Janë këta qytetarë që po përqafojnë orientimin tonë politik dhe programin e platformën politike të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, si një alternativë e vetme, e cila po merr përkrahje masive ndër të gjitha shtresat qytetare. Programi i saj, udhëheqja e mbi të gjitha Lideri i Lëvizjes VETËVENDOSJE! z. Albin Kurit është bërë sinonim i udhëheqjes së mirë, sinonim i drejtësisë, urtësisë, vendosmërisë, besueshmërisë e përfaqësimit të denjë, sinonim i luftës kundër korrupsionit, nepotizmit e çdo forme e veprimi që bie ndesh me interesat qytetare dhe interesat e shtetit.
Kjo më së miri u pa edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, ku subjekti ynë, në garë i vetëm, doli i pari, si në nivel vendi edhe në komunë, me rezultatin më të mirë në përqindje. Ndër të tjera ky është edhe rezultat i aktivitetit të aktivistëve, anëtarësisë, simpatizantëve e përkrahjes qytetare.
Për fat të keq, ata që janë të prirur të abuzojnë me pushtetin, siç e kanë dëshmuar tashmë disa herë, ata që janë shpërdorues të vullnetit qytetar e të votës së tyre, edhe njëherë, grumbulluan të gjitha grimcat e partive politike, për të krijuar një qeveri të arnuar, pa legjitimitet qytetar, e cila qëndron në këmbë të qelqta, me varëshmëri të plotë nga përfaqësues të Listës serbe, me qendër komanduese në një shtet armik, të cilët bëjnë presion nga jashtë e sabotojnë nga brenda.
Por pikërisht tash, qytetarët, më kthjellët se kurrë, po shohin kush në të vërtet çka përfaqëson, prandaj kudo në paraqitjet e tyre, në sondazhe, intervista e në opinionet e tyre, po shprehin zhgënjim me këtë qeverisje e po japin përkrahjen për Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe me padurim po presin e kërkojnë shkuarjen në zgjedhje.
Edhe Qendra jonë është e përgatitur për këtë, jemi në përgatitje për zgjedhje të brendshme, për zgjedhje lokale por edhe për zgjedhje të përgjithshme. Lëvizja është e pandalshme dhe e panënshtrueshme në çdo situatë e rrethanë.
Sot në këtë përvjetor, në pamundësi objektive për të qenë bashkë edhe fizikisht, e duke dashur të ruajmë shëndetin e njëri-tjetrit, do të jemi shpirtërisht e mendërisht bashkë. Urojmë aktivistët, strukturat tona, anëtarësinë e simpatizantët edhe për plot përvjetorë të tjerë edhe më të suksesshëm, si të Qendrës sonë ashtu edhe të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në përgjithësi.
Gjilan, 20.08.2020
QENDRA E LËVIZJES VETËVENDOSJE! NË GJILAN