Shkruan: Mr. Aliriza Selmani
Kjo temë është mjaft e gjerë dhe e rëndësishme, por gjer më tani e pa përpunuar në mënyrë komplekse. Autorët tanë për këtë dhe tema të ngjashme kanë shkruar në mënyrë fragmentare dhe zakonisht duke u nisur nga paragjykimi i ideologjisë komuniste, se çdo gjë fetare është regresive.
Më poshtë do të përpiqemi të japim një pasqyrë të shkurtër për shkollat dhe arsimin islam në Anamoravë e cila nuk ndryshonte shumë nga viset tjera shqiptare në shtetin SKS, duke u bazuar më tepër në burimet e shfrytëzuara nga të tjerët, por duke u nisur nga një këndvështrim më objektiv sepse tani për tani vështirë mund të hulumtohen dokumentet të kohës e të cilët janë të shumta. Ky punim modest mund të jetë cytje, që temat e ngjashme të përpunohen më thellësisht dhe në këtë mënyrë sado pak t’i ndriçojmë veprat e shumë personaliteteve fetare e të tjerëve të cilët flijuan jetën për kauzën kombëtare e fetare, një numër i të cilëve ishin ndjekur, persekutuar dhe likuiduar nga pushteti serbosllav, si ndërmjet dy luftërave botërore ashtu edhe më vonë.
Pas fillimit të luftërave ballkanike dhe okupimit të Kosovës nga ushtria serbe në vjeshtën e vitit 1912, u suprimuan shkollat fetare islame në gjuhën osmane iptidaijet (filloret), ruzhdijet (progjimnazet) dhe idaditë (gjimnazet), pos medresesë së Gjilanit dhe të Novi \pazarit, të cilat ishin toleruar që të punonin. Po ashtu vetëm një numër i vogël i mësimdhënësve të këtyre shkollave mori leje të punonin në shkollat shtetërore serbe, ku do të japin mësimin fetar islam për fëmijët myslimanë.
Si gjatë okupimit serb (1912-1915), ashtu edhe gjatë okupimit bullgar (1915-1918), arsimi fetar islam ishte në pozitë të njëjtë, sepse gjatë kësaj kohe e vetmja shkollë fetare islame që veproi në rrethin e Gjilanit e kjo ishte medreseja e qytetit me rreth 26 nxënës. Ndërsa shumica e lokaleve shkollore si dhe shumë xhami u shfrytëzuan për nevojat ushtarake serbe e bullgare duke u shndërruar në kazerma, depo, stalla për kuaj etj. Prandaj në këto rrethana të luftës arsimimi islam ka mundur fare pak të zhvillohej neper shtëpi private apo lokale të tjera.
Pas themelimit të Mbretërisë SKS më 1919, në kuadër të këtij shteti mbeti gjysma e popullit shqiptarë dhe në trojet e veta etnike. Pas vitit 1920, u bë ndarja administrative e këtij shteti, ku rrethi i Gjilanit hynte në kuadër të Qarkut të Kosovës, kurse nga viti 1929 në kuadër të Banovinë së Vardarit, ishte rrethi më i madh i Kosovës në Mbretërinë jugosllave, me 17 komuna, 208 vendbanime dhe rreth 95.000 banorë.
Menjëherë pas okupimit më 1919, ministria e fesë e këtij shteti kishte urdhëruar të bëhet regjistrimi i pasurisë së vakëfeve dhe të bashkësive fetare islame, të cilat do të ishin nën pushtetin e ministrisë së drejtësisë. Parashihej që në 100-300 shtëpi myslimane të ishte nga një imam, kurse imamët pos obligimeve fetare ishin të obliguar të mbanin evidencën e myslimanëve, të lindur të kurorëzuar dhe të vdekur për fshatin apo lagjen ku shërbenin. U formuan komisionet e vakëfeve mearife, të rretheve dhe diçka më vonë gjyqet e sheriatit për jetën familjare e trashëguese të myslimanëve. Duhet cekur se bashkësitë fetare ishin të vetmit institucione legale që tubonin pjesën dërmuese të popullit shqiptar.
Pasi që në këtë kohë vetëm 2% e popullsisë së rrethit të Gjilanit dinte shkrim-lexim, me qëllim që të plotësoheshin kërkesat e kolonistëve serb për shkolla dhe njëherit për t’iu kundërvënë kërkesave të shqiptarëve për shkolla private shqipe, inspektori i arsimit kërkoi hapjen e shkollave shtetërore serbe në këto anë, ku pos shkollave ekzistuese filloi të hapen shkolla edhe në disa fshatra të këtij rrethi, kurse nga viti 1920 filloi punën edhe gjimnazi i ulët në Gjilan, në lokalet e shkollës së mëparshme ruzhdije, ku punoi deri më 1929, kur me urdhërin e ministrisë së arsimit ishte mbyllur, kurse ndërtesa e sajë iu dorëzua gjykatës komunale. Kështu në vitin shkollor 1937/38,? punoni 36 shkolla të tilla. ?Duhet cekur se në viset malore ku nuk kishte serb e malazez nuk ishin hapur shkolla shtetërore.
Shkollat shtetërore ishin katërklasëshe në gjuhën serbe, në të cilat regjistroheshin edhe një numër i vigël i fëmijëve shqiptarë, pasi që kryenin klasën përgatitore. Mirëpo pranimi dhe vijimi i fëmijëve shqiptarë në këto shkolla ishte i vështirësuar, jo vetëm për shkak të kushteve ekonomike e pengesave gjuhësore por edhe për shkak të përparësisë së fëmijëve serb në regjistrim, si dhe për shkak të fyerjeve dhe nënçmimit në baza nacionale e fetare, si nga nxënësit ashtu edhe nga mësuesit serb. Shkollat punonin më tepër neper ndërtesa private. Në këto shkolla mësimi fillonte dhe mbaronte me lutje, prandaj pos lëndëve të tjera ishte i obliguar edhe mësimi i fesë, ku fëmijët mysliman mësonin Kur’an, shkencën mbi fenë dhe gjuhën turke nga katër orë në javë dhe zakonisht pas mësimit të rregullt. Kështu çdo shkollë fillore pos mësuesit kishte edhe një teolog për nxënësit e besimit islam. Si mësues të parë të fesë islame përmendet Bajram Rashiti, Myftar Xheladini dhe Shaip Rexhepi. Duhet cekur se me qëllim të shkollimit të femres myslimane shqiptare, Binaze Dauti (njohur si Hoxha Hanmi), më 1920 kishte hapur një paralele kishte hapur një paralele për vajza në shtëpinë e saj në Gjilan, ku zhvillohej mësimi fetar. Mësuesit fetarë në këto shkolla emëroheshin nga ministria e arsimit dhe financoheshin nga shteti. Mirëpo për shkak të dyshimit në orientimin dhe punën e këtyre mësuesve, kjo ministri urdhëroi organet e shtetit që ta shtonin kontrollin ndaj tyre dhe shumë prej tyre mbetën pa punë, sepse nuk i plotësonin kushtet moralo-politike çfarë kërkonin organet e pushtetit. Kështu ekzistojnë të dhëna se më 1924, për këto shkaqe u shkarkuan nga puna këta teologë: Ruzhdi Mehmeti nga Rogoqica, Bajram Rashiti, Hysen Hajdari e Binaze Dauti nga Gjilani, Raif Hoxha e Isuf Ibrahimi nga Mogilla, kurse më 1927, Ramiz Rexhepi nga Mogilla dhe Ramadan Halili nga Livoçi.
Në mbretërinë SKS nuk u lejua hapja e shkollave në gjuhën shqipe, edhe pse ishte e garantuar me kushtetutën e këtij shteti, por kjo u realizua vetëm për hungarezët e gjermanët, por jo edhe për shqiptarët, turqit e maqedonët. Janë bërë përpjekje të shumta për legalizimin e shkollave në gjuhën shqipe dhe në këtë drejtim kanë bërë përpjekje të mëdha Hasan Prishtina, Bajram Curri, Qamil Bala e të tjerë si udhëheqës të “Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës” me qendër në Shkodër. Hasan Prishtina kishte protestuar ashpër në Gjenevë duke kërkuar shkolla shqipe për një milion shqiptarë, sa kishte në atë kohë në shtetin SKS. Po ashtu duhet përmendur organizatën e myslimanëve të jugut, për Kosovë, Maqedoni, Sanxhak E Mal të Zi “Xhemijeti” (bashkimi), në krye të së cilës në fillim ishte Nexhip Draga , kurse pas vdekjes së tij më 1921, erdhi i biri i tij Ferat draga, ky dhe disa deputet patriot tjerë vazhdimisht kërkonin hapjen e shkollave në gjuhën shqipe. Mirëpo kjo nuk u arrit pasi që shkolla shqipe paraqitët rrezik për shtetin. “Xhemijeti” ishte i lidhur me komitetin e Kosovës…?
Për shqiptarët ishte i lejuar vetëm edukimi fetar në mejtepe dhe disa medrese si shkolla private, duke menduar se me këto shkolla do të shuhet ndjenja kombëtare shqiptare, mirëpo si do të shohim më poshtë doli e kundërta. Pasi që nuk lejohej hapja e shkollave në gjuhën shqipe, kurs arsimi në shkollat shtetërore serbe nuk jepte mundësi as minimale për arsimimin fetar e kombëtar, e vetmja mundësi ishte hapja e shkollave fetare private mektebet dhe medreset të ngjashme me ato të PER. Osmane, për punën e të cilave në fillim nuk interesohej shteti dhe as që e pengonte hapja e tyre. Këto shkolla filluan të hapen me iniciativën e vet popullit, por meritë më të madhe për hapjen e tyre në fillim ekishte partia “Xhemijeti”, e cila merrej edhe me organizimin shkollave islame dhe angazhohej në autonominë e tyre. Ndërkaq për shkak të interesimit të madh për mejtepe me ndërhyrjen e Ylema Mexhlisit të Shkupit, nga viti 1933, filloi me të madhe hapja e këtyre shkollave. Kështu në vitin shkollor 19 38/39, në tërë Kosovën ishin gjithsejt 296 mejtepe më 11.362 nxënës, ku rrethi i Gjilanit kishte numrin më të madh me 75 mejtepe legale, nga të cilat 8 të meshkujve dhe 67 të përziera me 3.460 fëmijë, në të cilat punonin 72 teolog, mësues. Këto shkolla hapen si në qytet ashtu edhe neper fshatrat më të mëdha dhe ishin bartëse kryesore të arsimimit të masës shqiptare në këto anë. Mejtepet ishin shkolla të ulta tre vjeçare të cilat punonin në kushte mjaft të vështira. Në mungesë të lokaleve shkollore përdoreshin shtëpitë private, lokalet e vakufeve, xhamitë etj. Në to mësimet i mbanin imamët, mualimet etj. Mësimi zhvillohej në gjuhën arabe e turke kurse komentimi bëhej në gjuhën shqipe. Fëmijët në këto shkolla ishin të moshave të ndryshme dhe zotonin bazat themelore të edukatës islame, Kur’an, shkencën mbi fenë dhe shkrimin turqisht. Mualimët financoheshin nga vetë populli, kurse mualimët që arrinin sukses në punën e tyre edukativo-islame, shpërbleheshin nga Ylema Mexhisi i Shkupit.
Shkollat fetare islame të rangut të dytë të cilat u lejuan të vepronin, por në numër të kufizuar ishin medresetë. Më 1931 punonin 8 medrese në qendrat më të mëdha të Kosovës, në Prishtinë, Prizren, Mitrovicë, Gjilan, Pejë, Vushtrri dhe Ferizaj. Medresetë ishin shkolla tetëvjeçare të karakterit fetar të trashëguara nga koha e Per. Osmane, ku regjistroheshin nxënës nga të gjitha viset e rrethit dhe ishin në mbikëqyre direkte të këshillit të vakëfeve të rrethit. Në krahasim me mejtepet këto shkolla ishin në një nivel më të organizuar, me lokale më të rregulluara, inventar më të mirë me një bibliotekë të vogël librash dhe dhomë të fjetjes për nxënës. Shkollat kishin programin, kohën e caktuar të mësimit ku shënoheshin orët e mësimit si dhe mungesat e nxënësve, kurs si lëndë mësimore kishin: Kur,ani kerim me tevxhidin (rregullat e leximit të Kur’anit), ilmihal, fikh (e drejta e sheriatit), suli fiht (burimet e të drejte islame), feraiz (e drejta e trashëgimisë), akaid, hadis (tradita islame), tefsir (komentimi i Kur’anit), belege (stili i retorikës arabe), gjuha arabe (etimologjia arabe), arab (letërsi) dhe histori islame. Mësimëdhënsit e këtyre shkollave ishin myderrizët (profesorët), shumica e të cilëve merreshin me kohë të caktuar pasi që nuk kishin kualifikime përkatëse. Ata gjatë vitit shkollor pos shpjegimit bënin edhe vlerësimin e diturive të nxënësve, ku përdoreshin edhe dënimet fizike, kurse në fund të çdo viti shkollor organizonin provimet e nxënësve para komisionit të posaçëm. Nxënësi i cili kishte më tepër se 30 mungesa të pa arsyeshme gjatë vitit nuk mund t’i shtrohej provimit. Pas kryerjes së provimit nënësit i lëshohej certifikata me nënshkrimet e komisionit dhe me ktë mirrej titulli i ulët fetar me të cilën mund të emëroheshin si imam xhamie, nëpunës fetarë ose mund të vazhdonin shkollimin në medresenë e lartë “kral Aleksandri” në Shkup e cila punoi prej vitit 1925-1941, në medresenë “Isa beg” të Shkupit, ose mund të studionin në vende arabe etj.
Në rrethin e Gjilanit që nga gjysma e dytë e shek. XIX, punonin dy medrese njëra në Gjilan dhe tjetra në fshatin Dobërçan, ku shkolloheshin nxënës nga të gjitha viset e rrethit dhe më gjerë. Derisa medreseja e Dobërçanit ndërpreu punën me fillimin e Luftës së parë ballkanike më 1912, ajo e Gjilanit vazhdoi të punojë në mënyrë permanente deri me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, në lokalet e xhamisë “Atik’, ku kishte 22 dhoma që shërbenin si klasë, zyre dhe dhoma për banimin e nxënësve. Në këtë shkollë punonin zakonisht nga dy myderrizë, pas okupimit serb të vitit 1912, si myderrizë dhe drejtor të sajë ishin: Ymer efendia deri më 1916, kurse më së gjati qëndroi Abdyrrahim ef. Nga Llashtica prej 1916-1937, i cili shkollimin e kishte të kryer në Stamboll, tahir ef. Ishte shkurt, Mehmet ef. 1939-1941 dhe Haki ef. 1940-1944. ky i fundit ishte nxënës i Ata Hoxhës (Ataullah Kurteshit) në medresenë “Medah” të Shkupit dhe shquhej për patriotizmin e tij të dalluar. Haki ef. Kishte aplikuar ehe gjuhën shqipe në medrese si lëndë të obliguar.
Siç thamë edhe më parë se në fillim organet e shtetit në fillim nuk përziheshin në punët e medreseve e të mejtepeve si shkolla fetare private, por duke e pa se ato nuk kishin karakter të thjesht fetar, sepse shumë e alimët e fesë islame kishin orientim kombëtar dhe krahas aktivitetit fetar vepronin në ngritjen e vetëdijes kombëtare te masat e gjëra të popullit, kurse nxënësve ua mësonin ilegalisht edhe abetaren në gjuhën shqipe e të tjera duke u thënë “Ja kjo është gjuha jonë”. Ministria e arsimit kishte të dhëna nga agjentët në terren, se aty këtu në Anamoravë dhe në viset tjera të Kosovës po vepronin edhe shkolla ilegale shqipe në të cilat punonin hoxhallarët. Edhe pse ishte bërë kotrollimi në Smirë e Stubëll të Ulët nuk kishin arritur që t’i zbulonin, sepse mësimi zhvillohej në ilegalitet të thellë. Kjo bëri që organet e pushteti të shtojnë dyshimin në punën e të gjitha llojeve të shkollave dhe me urdhrin e Ministrisë së arsimit filloi të përcillej puna e të gjitha shkollave fetare islame, duke i detyruar që për punën e tyre të merrej leja e shtetit, kurse nga imamët e alimët kërkohej raport me shkrim për hapjen e këtyre shkollave, për selinë e mejtepit, numrin e nxënësve, moshën e tyre dhe listën e teksteve që do të përdorin. Raporti përmes myftisë së rrethit do t’i dërgohej Ministrisë së fesë. Mirëpo me që interesimi për këto shkolla ishte i madh, shpesh nuk pritej leja e shtetit.
Se misioni i mësuesit shqiptar pra edhe i atij fetar çdoherë ishte rrezik për okupuesin serb, kjo shihet edhe nga shkresa dërguar Ministrisë së Arsimit në Beograd më 1928, ku mes tjerash thuhet: “Në Kosovë veprojnë 50 myfti dhe 600 imam, të gjithë këta janë të edukuar në frymën armiqësore sepse shumica për punën e tyre marrin instruksione nga Hasan Prishtina, Bajram Curri, Ferat Draga, Qamil Bala etj. Udhëheqës të komitetit për mbrojtjen e Kosovës”. Kjo ishte e vërtetë sepse pothuaj të gjithë hoxhallarët ose ishin anëtarë të Komitetit të Kosovës, ose anëtarë të “Xhemijetit”, si dhe bashkëpunëtorë të revistës “Liria Kombëtare” në Gjenevë dhe revistës “Koha”, ku kritikonin pushtetin dhe u jepnin informata udhëheqësve të komitetit të Kosovës. Duke e ditur për këtë aktivitet Qeveria e pashoqit urdhëroi agjentët e vet që në Kosovë të përcjellin dhe të shënojnë imamët e xhamive dhe mësuesit e fesë si njerëz të rrezikshëm të cilët me tru e shpirt ishin shqiptar të përbetuar dhe çdoherë punonin kundër shtetit duke thënë se “Pa vatan e liri nuk mund të ketë komb as fe”. Mirëpo përkundër presioneve të shumta, vrasjeve, burgosjeve dhe shpërnguljeve për Turqi, pjesa dërmuese e imamëve si dhe të tjerët i qëndruan stoik idealeve të veta fetare e kombëtare.
Një rol të rëndësishëm në aspektin fetar e kombëtar e luajti Ulema mexhlisi i Shkupit, i cili u konstatua më 1930, si organ mbikëqyrës e drejtues i BFI në viset e jugut. Mexhlisi mes tjerash hartonte planprogramet për shkollat fetare islame dhe lëndën e fesë për shkollat fillore shtetërore. Për shkak të shpërnguljes së vazhdueshme të shqiptarëve për Turqi, BFI në krye me mexhlisin e Shkupit vazhdimisht apelonin nëpër tubime të ndryshme kundër shpërnguljes, kurse nga imamët e xhamive kërkonin që gjatë vazit të këshillonin popullin kundër shpërnguljes e sidomos pas konventës Jugosllavo-Turke më 1938. Për këtë aktivitet Ulema Mexhlisi kërkonte raporte me shkrim nga çdi imam.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore me mbylljen e të gjitha shkollave fetare islame, si në viset tjera të Kosovës, ashtu edhe në Anamoravë, një numër i imamëve apo mësuesve fetarë, në rrethana të reja dhe me qëllim që të kontribuonin në arsimin e popullit shqiptarë , për shkak të mungesës së mësuesve, filluan të punonin në shumë vise të kësaj ane në arsimimin e gjeneratave të reja, po duke mos hequr dorë nga obligimet e tyre fetare islame. Këta ishin: Tefik Jakupi nga Desivojca, Ferid Berisha nga Svirca, Faik Behluli nga Gjilani, Fehmi Jakupi nga Topanica, Reshat Hoxha nga Përlepnica, për një kohë të shkurtër edhe Binaze Dauti-Kacabaqi nga Gjilani e të tjerë.