OPINION

SHKOLLAT FETARE ISLAME NË KAZANË E GJILANIT NË GJYSMËN E DYTË TË SHEKULLIT XIX DHE NË FILLIM TË SHEKULLIT XX

aliriza  Shkruan: Mr. Aliriza Selmani

Vilajeti I Kosovës u formua më 1868 me qendër në Prizren,u riorganizua me 1877 me qendër në Prishtinë (1877-1888),dhe mandej kaloi në Shkup (1888-1912).Ishte ndër  pjesët më të mëdha administrative të Perandorisë Osmane me 32.900 km2, i ndarë në 7 sanxhaqe dhe në 37 kaza (rrethe).  Kazaja e Gjilanit i takonte Sanxhakut të Prishtinës dhe ishte ndër rrethet më të mëdha të Vilajetit të tanishme Kamenicë e Viti, si dhe disa pjesë të komunave të Prishtinës e të Ferizajt.

Në vitet e fundit të studimit osman, pushteti I Stambollit për të pasur një kontroll sa më të mirë mbi një territor aq të gjerë, për shkak të lëvizjeve të shumta çlirimtare me urdhërin (iraden) e Sulltanit (janar 1910),u formuan dy nahije, njëra në Moravën e Epërme me qendër në Lubishtë dhe tjetra në Moravën e Poshtme me qendër në Hogosht.

Niveli i arsimit në Perandorinë Osmane lidhej ngushtë me shkallën e zhvillimit ekonomik. Sistemi I arsimit në Vilajetin e Kosovës zhvillohej në kushte të pavolitshme. Me kushtetutën e vitit 1876  dhe me ligjet e veçanta parashikohej që në çdo qytet e fshat të çeleshin shkolla fillore të detyrueshme për fëmijët e moshës 7-vjecare, kurse nga viti 1883. ishte caktuar taksa e veçantë për financimin e arsimit. Kjo deri diku i dha mundësi masivizmit të shkollave në gjuhët turke, greke, bullgare e serbe, por jo edhe në gjuhën shqipe, sepse pushteti osman mundohej që përmes gjuhës turke besimit islam, të bënte osmanizimin e shqiptarëve myslimanë duke e quajtur muslim millet, osmanli apo turq. Me anë të kësaj propagande, pushteti osman mundohej që edhe më tutje me anë të shqiptarëve, të mbahej në Ballkan duke mos qenë i ndërgjegjshëm se po numëronte ditët dhe se ishte gjykuar nga Evropa që të shkatërrohej,prandaj nuk lëshonte pe para kërkesave të shqiptarëve për autonominë dhe për shkollën shqipe. Në fund të shek.XIX dhe në fillim të shek. XX edhe në Vilajetin e Kosovës filloi të shtohej numri i shkollave shtetërore osmane në gjuhën turke: Iptidaije (shkolla fillore), mruzhdije (gjimnaze të ulëta) dhe daryl mualimin (shkolla normale).pos këtyre, punonin edhe medresetë si shkollat më të vjetra që zbatonin plan-programet e vjetruara dhe kishin më tepër, dhe,pos lëndëve fetare në to mësoheshin gjuha turke, gramatika, sintaksa, gjuha arabe dhe e drejta e sheriatit.

Në këtë kohë edhe në kazanë e Gjilanit shtohet numri i shkollave fetare në gjuhën turke, të cilat ishin të forcuara në mënyrë  organizative dhe me kuadro. Shtimi I shkollave u bë për të plotësuar nevojat për kuadro administrative,por edhe për t’iu kundërvënë kërkesave të shqiptarëve për shkolla në gjuhën shqipe. Të gjitha llojet e shkollave ishin të caktuara nga ana e Ministrisë së Arsimit, kurse me ligj ishin të caktuara kualifikimet e arsimtarëve,të ardhurat dhe detyrimet e tyre.

Në qendrën e vilajetit në Shkup, ekzistonte Kuvendi Arsimor me drejtoratin e arsimit, i cili përcillte gjenden arsimore në tërë vilajetin, pra edhe në Kazanë e Gjilanit, dhe për këtë përgjigjej para Ministrisë së Arsimit.  Në fillim të shek. XX në Shkup filloi të botohej revista pedagogjike “Jeni Mekteb” (Shkolla e re), ku jepeshin këshilla pedagogjike për mësuesit.  Ndërkaq në Kazanë e Gjilanit ishte Komisioni Arsimor prej tre vetash dhe  inspektori (myfetishi) i arsimit.

Në gjysmën e dytë të shek. XIX dhe në fillim të shek.XX  në Gjilan dhe në rrethin e tij kishte shkolla fillore (iptidaije), ruzhdije (progjimnaze) dhe medrese, si shkollat më të vjetra. Të gjitha këto ishin në gjuhën turke, me alfabet arab dhe me programe e me tekste të caktuara sipas llojit të shkollave, të cilat ishin të botuara në Stamboll, në Selanik, në Manastir e në Shkup.

Nga burimet shihet se gjatë pjesës së dytë të shek. XIX  numri u shtua në vijimësi. Për shembull, me 1874 në Gjilan e në rrethinë, kishte pesë shkolla fillore dhe dy medrese (njëra në qytet e tjetra në fshatin Dobërçan), kurse nga viti 1887 përmendet edhe ruzhdija në Gjilan me 36 nxënës. Në “Sallnamen” e vitit 1893, në tërë kazanë ishin 7 shkolla fillore me 341 nxënës dhe një shkollë fillore për femra në qytet .

Ndërkaq, në fillim të shek.XX, në Gjilan punonin pesë shkolla zyrtare iptidaije-fillore, nga të cilat tri ishin për meshkuj me 260 nxënës dhe dy për femra me 75 nxënëse, ndërsa në rrethinën e Gjilanit vetëm në 40-43 fshatra të mëdha kishte iptidaije të përziera, për djem e vajza, në të cilat kishte afro 1300 nxënës.

Kështu, në vitin 1900/1901, në Gjilan vepronin  këto shkolla: Shkolla iptidaije e meshkujve e Mëhallës  së Çarshisë, me 120 nxënës, ku arsimtar i parë ishte Hafëz Abdylhalim ef. dhe arsimtar i dytë Haxhi Osman ef.: Shkolla iptidaije e femrave e Mëhallës së Çarshisë, me 45 nxënëse  dhe me arsimtarin Haxhi Ali ef.;Shkolla iptidaije e meshkujve, e Mëhallës së Xhamisë së Vjetër, me 110 nxënës, ku arsimtar i parë ishte ishte Hajrulla ef. dhe arsimtar i dytë Hafëz Mustafa ef.; Shkolla iptadaije e femrave e Mëhallës së Xhamisë së Vjetër me 30 nxënëse dhe me arsimtarin Tahir ef.:Shkolla iptidaije e Mëhallës së Re (Muhaxher mahalla), me 30 nxënës dhe me arsimtarin Jusuf ef.

Ndërkaq, shkolla iptidaije të fshatrave, ku zakonisht jipet mësimi imami I xhamisë, ishin disa. Në rrethinën ë afërme të Gjilanit iptidaije kishte në 10 fshatra më të mëdha; në Moravën e Epërme në 11 fshatra; në Moravën e Poshtme në 10 fshatra; në viset e Gallapit në 7 fshatra dhe në Karadak në 3 fshatra. Gjatë decenies së fundit të sundimit osman, numri i iptidaijeve dhe nxënsave qe shtuar si në qytet, ashtu edhe në fshatra.

Mirëpo, krahasim me numrin  e banorëve, shkalla e përfshirjes së fëmijëve në shkolla ka qenë shumë e vogël, sepse në vitet e fundit të sundimit osman,Gjilani kishte mbi 1000 shtëpi, me 7-8000 banorë, kurse kazaja (rrethi I tij) kishte rreth 70.000 banorë, ndër të cilët mbi ¾ ishin shqiptarë të besimit islam.

Mësimet në këto shkolla zhvilloheshin në gjuhën turke dhe arabe,që krijonte vështirësi veçanërisht për fëmijët e fshatrave, të cilët nuk e njohin gjuhën turke, prandaj edhe vijimi i tyre në këto shkolla ka qenë më dobët. Në mësim zbatoheshin dënime fizike, kurse notimi bëhej me numra prej 1-5.  Në programin e këtyre shkollave ishin këto lëndë:lexim, shkrim, mësimet morale (ahlak), lektura, mësim përmendesh i pjesëve të Kur‘anit, artmetikë, histori, e shkurtër osmane, bazat e shkencave natyrore dhe ushtrime për konkretizim. Lëndët me karakter laik më tepër kishin karakter formal.  Në cdo iptidaije të Gjilanit punonin zakonishtnga dy mësues (muslimë) , kurse në fshatra nga një. Mësuesit kishin të kryer medresenë ose shkollën normale (daryl mualimin), drejtimin për mësues të iptidaijeve ose idadijen (gjimnazin) në Shkup ose në Prishtinë.

Si shkollë fetare e rangut të dytë ishte medreseja. Në Gjilan dhe në kaza punonin dy medrece nga gjysma e shek. XIX, njëra në Gjilan, e cila duhet të ketë punuar edhe më parë, dhe tjetra në fshatin Dobrëçan. Këto medrese në fillim të shek. XX kishin nga 60 nxënës në nga tri klasa, ku shkolloheshin fëmijët nga e tërë rrethina. Shkollat kanë qenë të tipit konviktor.Medreseja e Gjilanit punonte në lokalet në oborrin e Xhamisë së Vjetër, ku kishte 22 oda (dhoma), të cilat shërbenin si klasa, zyra dhe dhoma banimi për nxënësit. Ndërkaq, Medreseja e Dobërçanit kishte 9 dhoma,që shërbenin si klasa dhe për banimin e nxënësve.Kjo medrese ndërpreu punën me fillimin e Luftës Ballkanike,kurse ajo e Gjilanit vazhdoi të punojë deri me përfundoi deri me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore.

                      Medresetë kanë qenë shkolla të rangut të mesëm; ato punonin me programe të vjetruara, kryesisht të karakterit fetar, nga të cilat dilnin kuadro për nevojat fetare.  Në medresenë e Gjilanit punonin zakonisht nga dy ose tre mësimdhënës. Në kohët e fundit si drejtor dhe mësimdhënës të saj kanë qenë: Adem ef. nga Tërnoci gjer më 1905 (apo 1903),Ymer ef. i Janjevës gjer më 1916, Abdyrrahim ef.i Llashticës për një kohë të gjatë, prej 1916-1937. Ky ka qenë shumë i nderuar për shkak të aftësisë së tij, sepse shkollimin e kishte kryer në Stamboll.  Mandej, Mulla Idris Velekinca, pak kohë,Tahir ef. pak kohë dhe Mehmet ef.i Shkupit deri më 1941, kurse i fundit qe Haki ef. Sermaxhaj; (1941-1946) i Hogoshtit, shumë i aftë dhe patrioti shquar, i burgosur dhe i likuiduar në burgun e Sremska Mitrovicës,më 27 janar 1948.

Ruzhdija (gjimnazi i ulët) në Gjilan, filloi punën pas vitit 1877 dhe punoi deri më 1912. Kjo shkollë e mesme zyrtare, katërvjeçare,në krahasim me të tjerat,kishte më tepër karakter laik,nga kjo dilnin kuadro për administratën osmane ose për vazhdimin e shkollimit të mëtejmë.  Kjo shkollë më 1887 kishte 36 nxënës, kurse më 1900 kishte 55 nxënës,me tre arsimtarë –Mehmet Tefik ef., Kamber ef. dhe Ymer ef. Në decenien e fundit të sundimit osman, në këtë shkollë mësonin rreth 70 nxënës me tre arsimtarë –Shahabedin ef.nga Tërnoci, i cili ishte edhe drejtor i fundit i ruzhdijës, arsimtar i dytë ishte Kamber ef. dhe arsimtar i tretë Ali ef. Në vitet e fundit mësimit e Kur’anit e zhvillonte Hafëz Mustafa.

Këta mësimdhënës e zhvillonin mësimin për lëndët fetare, ishin mësues me shkollë normale (daryl mualimin),drejtimi i mësimdhënies në ruzhdije,ose I kishin të mbaruar gjimnazin (idadijen) në Shkup a në Stamboll,  kurse lëndët jofetare,si gjeografi, histori, matematikë, gjeometri etj. ijepnin disa oficerë të ushtrisë osmane, ndërsa gjuhën frënge e jepte Sabri ef. nga Shkodra. Notimi i nxënësve bëhej me numra prej 1-10,dhe, si në shkolla e tjera, edhe këtu zbatoheshin dënimet fizike.

Në vitet e fundit të sundimit osman nxënësit e ruzhdijes, të ndihmuar edhe nga dy mësues, bënë përpjekje që mësimi të zhvillohej në gjuhën shqipe, por pa sukses, sepse me iniciativën e disa agallarëve gjilanas, organet e pushtetit intervenuan me të shpejtë dhe dy mësuesit u përzunë nga Gjilani.

Duke përfunduar, duhet të vihet në pah se, me gjithë kushtet e vështira materiale, disa të rinj nga Gjilani e rrethina edha nga viset e tjera shqiptare, pas kryerjes  së shkollave të mesme në Gjilan, Shkup e Prishtinë, vazhduan shkollimin në Universitetin e Stambollit ose në vende të tjera.

 

You Might Also Like