Kuvendi Komunal i Gjilanit ka mbajtur të hënën dëgjim publik për ndryshimet dhe plotësimet e Statutit të Komunës, si nevojë për riorganizimin e ekzekutivit, për t`iu dhënë mundësi edhe qytetarëve që t`i paraqesin sugjerimet, vërejtjet dhe propozimet e tyre, por interesimi i tyre nuk ka qenë i kënaqshëm.
Sadri Arifi, shef i Shërbimit të Kuvendit, ka thënë se kryetari i Komunës ka ndërmarrë nismën për ndryshimin e statutit ekzistues, si nevojë për rikthimin e dy drejtorive komunale – Drejtorisë për Kulturën, Rini e Sport dhe Drejtorisë së Inspeksionit.
Është propozuar që në statutin e Komunës të parashihen edhe Grupi i përbashkët punues, Grupi punues për preventivë lokale kundër ekstremizmit dhe radikalizmit si dhe Mekanizmi koordinues kundër dhunës në familje.
Mehmet Dërmaku, qytetar, ka thënë se dokumenti është mjaft përmbajtjesor, por sipas tij, Komunës së Gjilanit i duhet një statut që krijon një administratë bashkëkohore në të ardhmen si dhe një sistem informativ modern.
Shemsedin Mustafa tha se zyra e avokatit të popullit i monitoron të drejtat e njeriut dhe në këtë aspekt, sipas tij, komuna e Gjilanit qëndron mirë.
Statuti është akti më i lartë juridik në nivel lokal, që rregullon organizimin e brendshëm të Komunës, si njësi themelore e vetëqeverisjes lokale në Republikën e Kosovës, e cila ushtron pushtetin në pajtim me ligjet në fuqi.
Herën e fundit, Komuna e Gjilanit ka bërë ndryshime dhe plotësime në Statut, në nëntor 2014.