Libri

Libri “Pistoletat dhe revolverët” i Fadil Kajtazit, autor gjilanas

 

Fadil Kajtazi është i pari autor i librit me titull: “Pistoletat dhe revolverët”. libër e  botoi Shtëpisë Botuese “Beqir Musliu” në Gjilan. Libri nuk është vepër në prozë, as me poezi, por as një dokumentar, por është një libër që trajton historikun e zhvillimit të dy armëve, pra sistemet e funksionimit, reduktuesit e krismës, balistikën e jashtme dhe të mbrëmshme, llojet e municionit, sistemet e shejzimit të municionit, karakteristikat fizike dhe balistike të municionit etj.

Është libër më i veçantë nga të tjerët, për faktin se, autori i është qasur fushës në fjalë që ta përfolë e ta shoshis armën, revolverin si mjet për mbrojtje apo në të kundërtën. Librit i ka dy recensentë, si janë: kolonel Zaho Golemi, nga Akademia Ushtarake e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë si dhe kolonel Anton Quni.

Andaj, Kolonel Golemi, në parathënien e librit të F. Kajtazit shton se autori ka mundur dhe ia ka dalë me sukses të skedojë gjithë pistoletat dhe revolverët e përdorur nga sulmues e mbrojtës të trevës përreth Kosovës e Shqipërisë e më gjerë. Pra, ai shton se, “Aktualisht kur kemi një Shqipëri 102 vjeçare dhe Kosovën shtet të lirë të njohur nga 108 shtete të globit, njohja e armatimit dhe municioneve, kalibrat që janë përdorur në Kosovë e Shqipëri, por sidomos nga fqinjët është sfidë për të gjitha organet e institucionet e sigurisë të të dy shteteve shqiptare në gadishullin e Ballkanit.

Libri i autorit Kajtazi depërton në kohë pothuaj në dy shekujt e fundit në pistoletat që u përdorën në fundin e shekullit të XIX dhe përgjatë gjithë shekullit XX”. Ai shton edhe më tej, kur thotë se, duke shtuar se me këto armë e këto kalibra janë lidhur shumë ngjarje luftarake, të hapura e të fshehta, të zbuluara dhe të fshehura nga misteret e kohës. “Të njohësh armët do të thotë të njohësh rreziqet e kërcënimet dhe të ofrosh sigurinë. Zoti Kajtazi ka bërë një punë të spikatur njohëse që është njëherësh edhe një vlerë për të gjitha organet e sigurisë së shtetit shqiptar e kosovar…”.

Ndërsa, kolonel Anton Quni ka shtuar se, ky libër plotëson kurreshtjen për informacion për pistoletën dhe revolverin, dy armët me të cilat shqiptarët kanë pasur dhe kanë marrëdhënie të veçanta, si dhe ndihmojnë në aftësimin profesional të kadetëve, pjesëtarëve të FSK-së dhe Gardës së Kosovës. “Shqiptarët kanë mundur të mësojnë vetëm për disa llojesh të armëve në shkolla, kur janë hapur ato, pra shumë vonë, ose gjatë shërbimit ushtarak, por jo edhe më herët dhe në mënyrë më të detajuar.

Prandaj, edhe në literaturën tonë nuk ka ndonjë numër të theksuar që trajtojnë çështjen e armëve, të llojeve dhe të mënyrave të funksionimit të tyre”.  Andaj, Quni thotë se “në këtë mungesë literature, libri i Fadil Kajtazit vjen si një domosdoshmëri njohjeje dhe përshkrimi për dy nga llojet më popullore dhe më të përhapura ndër qytetarë, pra edhe ndër shqiptarë: pistoletat dhe revolverin.

Pra, përveç informacioneve të përgjithshme që ka ky libër për pistoletat, revolverët dhe municionet për to, dhe që shuajnë kureshtjen e çdo lexuesi, ky libër ka edhe informacione të veçanta, profesionale dhe shkencore për to, e që janë me interes për njerëzit profesionistë, për pjesëtarë të FSK-së, të Gardës, dhe për kadetë të Akademisë së FSK-së”.

Libri në fjalë është i përbërë nga njëmbëdhjet njësi apo kaptina. E ato janë: Fillet e zhvillimit të pistoletës dhe revolverit, Zhvillimi historik i pistoletës, Pistoletat e para me sistemin e dridhjes të mbyllësit dhe me mbëshjellës, Konceptet teknike që përfundojnë përsosjen e pistoletës në shekullin XX, Revolverët, Aksesorët e pistoletave dhe revolverave, Municioni, Balistika, Fishektët, identitefikimi dhe llojet, Karakteristikat balistike e llojeve të fishekëve dhe Karakteristikat tekniko-taktike të pistoletave dhe revolverëve të prodhaur nga viti 1870 deri më 1999.

Këto janë vijat e trasha të këtij libri, ku autori e ka konceptuar mirë librin e tij “Pistoletat dhe revolverët”. Libri në fjalë ka 240 faqe tekst. Të shtojmë edhe këtë se, ky libër dokumentar është i shoqëruar më tepër së njëqind fotografi e skica më të ndryshme, të cilat librin e ilustrojnë më së miri, që për lexuesin e interesuar është i kapshëm dhe tërhqës si materje e studiuar nga autori në fjalë.

Sidoqoftë, libri “Pistoletat dhe revolverët” i Fadil Kajtazit, gjilanas, i plotëson nevojat e lexusve tanë, sepse, ky lloj libri i kësaj fushe ka munguar gjer më tani tek ne. Fadil Kajtazi është autor edhe i librit tjetër “Armët dhe lufta”. Ky është libri i dytë i tij me radhë./Tefik Selimi

 

 

 

You Might Also Like