Libri

THESAR I ÇMUAR ONOMASTIK NGA POLLOGU I EPËRM I MAQEDONISË SË VERIUT

Prof. dr. Bahtijar Kryeziu
THESAR I ÇMUAR ONOMASTIK NGA POLLOGU I EPËRM I
MAQEDONISË SË VERIUT
(Izmit Durmishi: “Socioonomastika e Pollogut të Epërm”, Gostivar, 2024)
Megjithëse profesor Durmishi është një emër i njohur dhe i pohuar si figurë e profesor i Universitetit të Tetovës, autor i një numri të madh studimesh, kumtesash dhe artikujsh shkencorë po edhe i 5 veprave të botuara, përsëri shqetësimi na mbetet, si recensues i veprës, nën drojën se në mos i japim më pak sesa meriton, se ndoshta nuk ia shëndoshim krahët duke mos qenë e mundshme t’ia përmendim të gjitha qasjet e shumënduarshme dhe prurjet e veprave dhe të veprimtarisë e përvojës së tij shumëvjeçare si mësimdhënës universiteti dhe studiues i matur e gjithmonë i pakursyer i gjuhës shqipe dhe i onomastikës shqiptare, në veçanti, të anëve të Maqedonisë së Veriut.
Lënda e veprës ˮSocioonomastika e Pollogut të Epërm”, e qëmtuar dhe e përkoqur me përkushtim dhe profesionalizëm të dalluar nga prof. dr. Izmit Durmishi, mbështetur në një literaturë të veçantë, ajo e gjuhësisë – onomastikës, ka vlera të larta historike, sociolinguistike, kulturore, e përtej kësaj edhe politike, duke mbajtur parasysh se çka, si dhe përse e ofron lëndën e përzgjedhur ai. Po, më mirë, le ta themi me fjalët e vetë autorit nga Parathënia e librit:
“Përmes toponimeve, mikrotoponimeve e antroponimeve, dëshmohet më së miri autoktonia e shqiptarëve në trojet e tyre, si dhe vijimësia e emrave të vendeve dhe emrave të njerëzve, qysh nga ilirishtja e deri në shqipen e sotme. Vendbanimet shqiptare të këtij rajoni janë të pasura me toponime, andaj morëm përsipër t’i ndriçojmë ato, me sa të jetë e mundur, e të mos na shkojnë në harresë” (f. 7). Pra, “Mbledhja dhe studimi i materialit toponimik dhe antroponimik për Pollogun e Epërm ka rëndësi të veçantë, po të marrim parasysh se onomastika është një nga disiplinat që, për shumë arsye shërben edhe si fiksuese e gjurmëve dhe udhës historiko-shoqërore të popullit” – vazhdon autori (f.10).
Do të jetë ky një botim i mirëpritur, kujtojmë ne, ndër studimet tona në onomastikë, një disiplinë gjuhësore relativisht e re dhe shumë e rëndësishme, por deri dje, jo dhe aq e hulumtuar dhe e studiuar, siç shprehet edhe akademik R. Qosja: “E vonuar në përpjesëtime botërore, ajo mund të quhet aq më e vonuar tek shqiptarët”, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë, qoftë në Maqedoninë e Veriut, një areal të së cilës republikë – atë të Pollogut të Epërm, autori e ka bërë objekt studimi, ose edhe në viset e tjera të banuara me këtë popullatë, ngaqë dihet se “të dhënat e onomastikës dhe hulumtimet e shqyrtimet e hapëta rreth emrave të viseve (toponimeve) dhe emrave të njerëzve (patronimeve dhe antroponimeve), kanë vlera të pallogaritshme” etno- dhe sociolinguistike, kulturore dhe historike.
Sado që dikur, pra, gjendja e kërkimeve në këtë fushë kishte mbetur gati krejt në fazën nistore, më fort në punë grumbulluese e sistematizuese, po të përjashtojmë, këtu te ne, ndonjë nga vështrimet si: “Kontribut për studimin e onomastikës mesjetare në territorin e Malit të Zi, Bosnës e Hercegovinës dhe të Kosovës” dhe “Kontribut për studimin e disa toponimeve të Malit të Zi” (të profesor Idriz Ajetit); “Mbi disa toponime në Serbi të Jugut dhe në Maqedoni të Veriut” dhe “Disa çështje të onomastikës mesjetare” (të akademik Rexhep Ismajlit); “Antroponimia e Dardanisë në kohën romake” (të prof. Zef Mirditës), e ndonjë tjetër trajtesë që nuk e zumë në gojë, dhjetëvjeçari i fundit i shekullit që lamë pas, si dhe vitet e para të mijëvjeçarit të ri, për fat të mirë, tregojnë se edhe fusha e onomastikës shqiptare, mbështetur në hullitë e mbara të korifeve të albanologjisë, prof. Eqrem Çabejt në Tiranë dhe të akademik Idriz Ajetit në Prishtinë, për fat të mirë, po ndiqen nga një numër i mirë studiuesish shqiptarë edhe përtej kufijve të RSH-së e të Kosovës dhe ka filluar të marrë hapësira të reja. Kemi parasysh këtu, ndër të tjera, botimet e rëndësishme nga studiuesit shqiptarë në RM së Veriut, si:
Asllan Hamiti: “Antroponimia e shqiptarëve të Maqedonisë dhe planifikimi gjuhësor”, Konferenca e parë Albanologjike, Ohër, 2007, “Toponimia dhe mikrotoponimia shqiptare në Maqedoni – dëshmi e autoktonisë”, vëllimi V, Shkup, 2014; Berton Sulejmani: “Emri Shkup, Manastir e Tetovë në tekstet shkollore të viteve 1980-1989 dhe pas vitit 1991 në Maqedoni, Filologjia, Tetovë, nr. 9-10/2018; Hasan Hoda: “Negotina me rrethinë”, Tetovë, 1995; Dr. Qemal Murati: “Dëshmime onomastike për autoktoninë e shqiptarëve në trojet etnike të tyre në Maqedoni” (Tiranë, 1993), “Apelativat toponimikë në toponiminë e Kërçovës”, Onomastika e Kosovës, Prishtinë, 1979, “Fjalor toponomastik i tërthoreve shqiptare të Maqedonisë”, UShT, 2008, “Onomastikë dhe identitete” etj; Fadil Sulejmani: “Toponimia e Malësisë së Tetovës”, në Onomastika e Kosovës, Prishtinë, 1979; Haki Ymeri: “Mikrotoponimet e regjionit të Markova Rekës”, “Patronimet dhe mikrotoponimet e Rajonit të Lipkovës”, “Jehona” nr. 3, Shkup, 1985; Mehmet Halimi, “Toponimet si dëshmi e autoktonisë së popullit shqiptarë në Maqedoni”, në Shqiptarët e Maqedonisë, Shkup, 1994; Mustafa Ibrahimi, “Mikrotoponimet në vendbanimet shqiptare të rrethit të Prilepit, Krushevës dhe Velesit”, Shkup, 2010; Sevdail Kadriu, “Leksiku toponimik dhe patronimik i rajonit të Kumanovës, Kumanovë, 2004; Shaip Sulejmani, “Debreshi nëpër shekuj”, Shkup, 2004; Xhemaludin Idrizi, “Mikrotoponimia e Karshiakës së Shkupit”, Shkup, 2003, si dhe disa materiale e stu¬dime autorësh të tjerë për disa vendbanime të Maqedonisë së Veriut.
Në këtë vargan studimesh bën pjesë, pa dyshim, edhe vepra që sapo u botua dje e profesor Durmishit, “Socioonomastika e Pollogut të Epërm”, e cila përfshin një lëndë të bollshme – një korpus prej 1246 e sa onomave toponimike nga më të ndryshmet të këtij areali të banuar me shqiptarë e popullatë heterogjene, si: emra fshatrash, lagjesh, arash, fushash, livadhesh, rrafshesh, brigjesh, kodrash, bjeshkësh, kepash, grykash, luginash, qafash, rrëzash, majash, pllajash, shpatesh, karpash, gurësh, malesh, shpellash, tumash, gjollesh, ujërash, krojesh, lumenjsh, kullosash, vende kulti – kishash (keshash – siç përmend autori i veprës), topikë të etimonit tonë që ruhen si të tillë te popullsia shqiptare në formë të fosilizuar, si dhe rreth 330 antroponime (mbiemra familjesh) që përdoren ose që janë përdorur nga shqiptarët denbabaden. Për këtë punë, sigurisht, autorit i është dashur një zotim i ngulmët e vetëmohues, shpirt e dashuri, një kohë mjaft e gjatë, gjatë së cilës ai është dashur të derdhë shumë mund, duke shëtitur fshat më shat, të gjurmojë arkiva institutesh, të kontaktojë shumë njerëz që dinë për të djeshmen e të sotmen e asaj treve, të shfletojë shumë libra të historisë, të gjuhësisë, të gjeografisë…, siç lipset zakonisht për një punë të këtillë kaq të madhe dhe kaq serioze – sikurse janë studimet në fushën e onomastikës; ngase onomastika në tërësi e toponomastika shqiptare në veçanti, përbën mbase dokumentin më kryesor, një përbërës aq i kontestuar nga kuazi-dijetarët sllavë, që vërteton autoktoninë e popullit shqiptar në vendbanimin e tij të sotëm: kulturën, doket e zakonet d.m.th. faktin që shqiptarët janë vendës në këto anë që nga kohët më të lashta të historisë e deri në ditët e sotme, me gjithë sfidat dhe telashet e mëdha që përjetoi pa ndërprerje deri edhe në formë gjenocidi.
Në vendbanimet e banuara me popullatë të përzierë, materiali toponimik i veprës “Socio-onomastika e Pollogut të Epërm”, është regjistruar vetëm nga informatorë shqiptarë (55 syresh, për 34 vendbanime) – njohës të vendeve të tyre, njerëz të moshuar, ndonjëri prej tyre edhe analfabet, me qëllim që të jenë sa më autentikë e besnikë gjatë shqiptimit të antroponimeve, patronimeve e toponimeve të kësaj zone. Vepra, përveç Parathënies dhe Hyrjes, përmban katër krerë – shkruan autori, që për model, në njëfarë dore, ka pasur parasysh monografinë “Onomastika e Hashanisë”, IAP, Prishtinë, 2000, të autorit të këtyre rreshtave.
Në kreun e parë jepet historiku i shkurtër i rajonit dhe një pasqyrë e shkurtër e fshatrave të Pollogut të Epërm në rrethinën e Gostivarit, harta e pozita gjeografike e Pollogut në kuadër të Republikës së Maqedonisë së Veriut, harta makro dhe mikrotopografike e rajonit të Pollogut; numri i banorëve dhe veprimtaria e tyre; reliefi dhe të dhënat klimatike; struktura topografike e vendbanimeve; veçoritë demografike dhe disa karakteristika të popullsisë; përkitazi me prejardhjen e toponimit: sllav. Pollog ˂ pod + llog “tokë me llumë”, të cilin ojkonim dr. Fadil Sulejmani e sheh të ardhur nga fjala “pellg”, që bazuar në shpjegimet e fjalorëve tanë, do të thotë “ultësirë; rrafsh i gjerë, i rrethuar me male. Pellgu i Shkodrës. Pellgu i Korçës” etj.
Në kreun e dytë bëhet vështrim i toponimeve, përkatësisht ojkonimeve dhe antroponimeve, kryesisht nga pikëpamja leksiko-semantike, e që autori i veprës është ndalur më tepër në shpjegimin e tyre, mbështetur në metodën sinkronike e sa e kanë lejuar mundësitë edhe në atë diakronike, duke provuar që ta gjejë rrugën e zhvillimit të dukurisë deri në rezultatin e fundit, natyrisht, pa mëtuar se i është vënë pikë kësaj pune, me aq vlerë, jo vetëm për onomastikën por edhe për gjuhësinë në përgjithësi.
Në kreun e tretë, toponimet dhe antroponimet janë vështruara nga aspekti fonetik dhe morfologjik, ndërsa në të katërtin është marrë në syzim struktura morfologjike-fjalëformuese e onomastikës së Pollogut të Epërm e në fund është dhënë edhe fjalori i toponimeve dhe antroponimeve.
Edhe pse aty, si shumëkund gjetkë në tërthoret shqiptare, ka edhe prani të elementeve alogjene: turke, sllave, greke, vllahe etj., prapëseprapë mbizotëron elementi shqiptar, si dëshmi e pranisë së hershme të shqiptarëve në këto hapësira, e këtë e dëshmon mjaft gjerë onomastika, sidomos emërvendet mjaft të moçme që janë grumbulluar e fiksuar me aq kujdes nga z. Durmishi. Këtë fakt e pohon edhe autori i veprës me fjalët: “Marrë në përgjithësi, numri më i madh i leksemave që kanë shërbyer për formimin e toponimeve të rajonit në rrethinën e Gostivarit, është ai i burimit të shqipes, pastaj i burimit të gjuhëve sllave, turke dhe shumë pak i burimit të gjuhës greke e ndonjë gjuhe tjetër. Kjo situatë sqarohet për vet faktin se rajoni i rrethinës së Gostivarit është i banuar me popullsi shqiptare afro 70 %, maqedone 20 % dhe turke 10 %. Elementi sllav mbisundon vetëm në ato lokalite te të banuara vetëm me maqedonofolës, ndërsa në vendbanimet e banuara me shqipfolës shtresa leksikore sllave është shumë e vogël” (f. 153).
Përveç topoleksemave shqipe të cilat i ka paraqitur të tilla autori i veprës, si: kep, lug, lak, mal, rrah, rrasë, shulla, gurishtë, baltë, kroj, prroj, ujë, zall, arrë, dardhë, dullejna (dëllinja) etj., ose edhe antroponimet me prejardhje arabe, të futura përmes turqishtes te ne, kryesisht të gjinisë mashkullore si p.sh.: Abas, Abdil, Ali, Ahmet, Asan, Asllan, Aziz, Bajram, Baki, Brahim, Dalip, Daut, Demir, Dil, Ferat, Fazli, Hajdar, Jusuf etj., ndeshim edhe sosh puro të shqipes të besimit të krishterë: Pal, Tanash, Gjon, Mark , Kolë etj., siç ka vërejtur prof. Durmishi. Te vepra “Socioonomastika e Pollogut të Epërm”, ne besojmë se, edhe shumë onoma të tjera kanë etimologji shqipe, si p.sh.: Roxha – ara (Patalisht), një plural i fjalës shqipe rogë, që do të thotë “vend në mal, i mbuluar me bar dhe pa drurë, rrahë; Bardhofca – ara të fshatit Forinë; toponime të formuara me fjalën botë, po ashtu fjalë e gurrës shqipe – siç shprehet Çabej e Klaiq; Balta – arë (Sërmnovë), fjalë e vjetër shqipe, për të cilën tregojnë edhe shumica e fjalorëve etimologjikë krahasimtarë, me gjithë ndonjë mendim tjetër; Çafa – ara (Turçani i Madh), të cilën fjalë Shufflay me të drejtë e paraqet si fjalë shqipe; Taumat – ara (Gradec) e Tumba – kodër (Zdunjë), po ashtu fjalë me etimologji shqipe; Ligata – ara të buta (Gjurgjevisht), fjalë shqipe, e cila, sipas profesor Ajetit, në shqipet është derivat nga lag dhe prapashtesa e vjetër shqipe -atë, -ata, që nga pikëpamja gjuhësore mund të shpjegohet lehtë: prej lagatë > lëgatë > ligatë etj.
Pa dyshim se në këtë areal, gjëllin mjaft shumë, nën ndikimin e administratës, edhe elementi sllav, si: gradishte, jama, kamen, solishte, vllag, doll, razdoll, crvenica, etj.; ai turk: bunar, tepe, çeshme, gjol, kajnak, karaagaç, etj.; vlleh: banja, tumba etj.; grek: kallugjer, kolibë, livadh, manastir, oriz e emërtime të ndonjë gjuhe tjetër – siç ka pohuar me të drejtë autori i dorëshkrimit të veprës që e kemi në dorë.
Për shumë glosa të onomastikonit të Pollogut të Epërm, pavarësisht nga qasjet e (pseudo) shkencëtarëve sllavë ose të tjerë, autori i veprës ka dhënë vlerësimet dhe gjykimet e tij të drejta, që i përgjigjen realitetit objektiv, ngase të shqyrtuara nëpërmjet shqipes dhe ligjeve fonetike – historike të saj, ato mund të zbërthehen e të dalin më të kapshme, më të kuptueshme dhe shkencërisht më të pranueshme.
Për hartimin e kësaj vepre, pos informatorëve, autori ka shqyrtuar një literaturë të bollshme dhe të nduarduarshme profesionale e shkencore. Andaj, ky botim është një vepër e llojit të vet dhe, pa dyshim, do të jetë edhe një gur ndërtimi më shumë në kështjellën e dijes e të vërtetës shqiptare për këtë hapësirë. Sepse, po parafrazojmë: “çdo pëllëmbë toke e tërthoreve tona është një motiv, çdo njeri është një legjendë, çdo bjeshkë është një epope” – siç ka thënë dikush edhe para nesh. E këto, shihet, i ka kuptuar mirë e drejt autori gjatë punës së bërë për onomastikën e Pollogut të Epërm të Maqedonisë së Veriut.
Nga e gjithë kjo që u tha më sipër, shprehim opinionin tonë se vepra “Socioonomastika e Pollogut të Epërm” përbën një punë të vyer, të kujdesshme dhe me rëndësi për gjuhësinë shqiptare dhe onomastikën. Ajo dëshmon, pos tjerash, edhe për ecurinë rritëse e pjekurinë e plotë shkencore të autorit, po edhe një tregues të gëzueshëm të kaheve serioze, gjithmonë e më të epërme që po marrin studimet shkencore edhe në Maqedoninë e Veriut nga studiues të mirëfilltë e të pasionuar, siç është edhe prof. dr. Izmit Durmishi, të cilit i urojmë nga zemra shëndet e vullnet për prurje të reja kësodore!
Shëngjin (Rana Hedhun), 22 tetor 2024

You Might Also Like