Libri

TRAGJIZMI SI EMULACION JETËSOR

Emin AZEMI
TRAGJIZMI SI EMULACION JETËSOR
(Recension për librin me tregime PIKA E ZEZË të Sabit Rrustemit, botuar nga Redaksia e botimeve “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 1993)
Paraqitja e individualiteteve në letërsinë shqipe gjithmonë është përcjellur me një paradoks socio-estetik.Duke filluar që nga plejada e shkrimtarëve të viteve tridhjetë, sidomos të atyre të qarkut katolik të Shkodrës, e deri në vitet tona, ky paradoks ka qenë gur i pashmnagshëm në peshoren e “vjedhur” nga kusarët e partishmërisë në art dhe në letërsi.
Në letërsinë shqipe që u krijua viteve tetëdhjetë në Kosovë, individualitetet krijuese pamëshirshëm u peshuan me kritere të politikës ditore dhe krejt jashtëletrare, kurse veprat e tyre (të Sabit Rrustemit, Adem Gashit, Arif Demollit, Rrahim Sadikut etj.) do të mbeten të vlerësohen “post festum”.
Paraqitja e Sabit Rrustemit në letrat shqipe aty nga fundi i viteve shtatëdhjetë, rikonfirmon edhe këtë vlerësim tonin “post festum” përkitazi me zhvillimin dhe me fatin e individualiteteve krijuese (epigonët s’po i zëmë në gojë).
Lërimi paralel i prozës dhe poezisë nga Sabit Rrustemi do të thyej edhe një kanon të përvojës së deritanishme të kredos së krijuesve. Tash së fundi ky shkrimtar me botimin e vëllimeve me poezi dhe me prozë, sikur na ka obliguar që ta ndriçojmë më me kompetence krijimtarinë e tij, kuptohet jo nga arsyet jashtë estetike.
Vëllimi me tregime “Pika e zezë”, i botuar tash së fundmi, komunikon me të gjitha nuancat që nënkuptohen brenda poetikës së receptimit. Një segment i përvojës së shkrimtarit bashkë me vizionin e tij për njeriun e ambientit tonë sikur sintetizohen në fragmentet plot ekspresivitet të këtyre tregimeve.
Sabit Rrustemi tregimin nuk e shkruan nga motivi i autorit që me çdo kusht dëshiron të bëhet poliedrik, por nga disa shtytës të brendshëm të natyrës së vrojtimit specifik. Ndaj, me një bindje të tillë ai lëshohet në nënshtresat etnopsikologjike të njeriut tonë dhe prej andej sublimon filozofinë e ekzistencës së tij.
Shtrirja ambientale e subjektit rrëfimor projektohet me një poetikë mjaft funksionale e që si më dendur këtu kufizohet me poetikën e hapësirës së mbyllur. Mbase, Sabit Rrustemi edhe në këtë mënyrë është dëshmuar si njohës i shkëlqyer i ambivalencës estetike të hapësirës, si mjet funksionalizues i atmosferës dhe brendisë shpirtërore të personazheve. Një karakterizim i tillë ndoshta do t’i atribuohej më së miri tregimi “Deti parapa krahëve” me të cilin shkrimtari prezanton plotninë e një bote të shqetësuar si dhe konfliktin e kësaj bote me forcat e jashtme destruktive që ndikojnë në prishjen e shtratit normal të jetës së njerëzve. Në këtë tregim, Sabit Rrustemi, pa kurrfarë konstruksioni skematik bënë modelimin e vijave të heronjve që bëjnë luftë të pakompromis me pasojat rrënuese të Akullit, symbol ky i të këqijave dhe i pasojave që sjell pushtuesi. Pellgu i ujit dhe Pika e Zezë në brendi të copes së akullit do të jenë konsekuencat e një simbolizmi të ngjeshur në funksion të paradigmes së identifikuar në vërshimën eujit dhe kobin e Pikës së Zezë (“Po nga jo Pikë e Zezë doli Pikëzinjeriu”).
Veli fascinant i paraqitjes së pasazheve rrëfimore është një prej aftësive të rralla krijuese të Sabit Rrustemit. Tregimi, “Pesha e dheut”, bie fjala, karakteristik për llojin e vet (fantastik), ndonëse i shkruar dhe i modeluar sipas teknikës së fragmentarizmit narrative, është i mbështjellur me një pëhurë të hollë fascinante, brenda së cilës lëvrin një botë e trazuar, e udhëhequr nga filozofia e vazhdimësisë dhe trashëgimisë jetësore. Inkarnimi si mit dhe trashëgimia si realitet, do të jenë shtyllat kryesore mbi të cilat do të ndërtohet teknika dhe procedeu narrative i këtij tregimi.
Tregimet e vëllimit “Pika e zezë” nuk janë kronika të thata të jetës. Përkundrazi, procedimi i paklishetizuar i autorit do të imponojë një rrëfim pa pozë dhe pa mbështetës artificial. Një përshtypje e tillë na imponohet edhe pas leximit të tregimit “Një jetë në peshojë”, e që ndryshe do të mund të quhej edhe baladë urbane për varfanjakun e verbër. Duke i ikur rrëfimit intelektualist, Sabit Rrustemi në faturën tekstore të këtij tregimi vendosi galerinë e ashtuquajtur njerëz të vegjël. Personazh qendror dhe ambienti ku është locuar psikologjia e njeriut me të kaluar traumatike, figurativisht qëndron në një peshojë, baraspeshën e së cilës e prish mospërfillja e rrethit ndaj dramës së individit, sado i parrëndësishëm të jetë ai në shoqëri. Rëndomësia e ambientit (stacioni i autobusëve) dhe drama e brendshme e varfanjakut të verbër, paraqesin elementet tipike të tragjizmit të emulacionit jetësor.
Plasticiteti në rrëfim që përjashton artizmin e thatë, në këtë vëllim me tregime përshkon linjën qendrore të strukturës fabulare të tregimeve. Kjo i autribuohet edhe një aftësie tjetër të autorit, e cila karakterizohet me prirjen për të shkri kufirin në mes të njeriut dhe natyrës (tregimet “Pesha e dheut”, “Deti që nuk e shoh”, “Amullia” ). Te disa shkrimtarë kjo teknikë rrëfimi del si dobësi krijuese, kurse te Sabit Rrustemi – si sprovë e suksesshme. Aq më tepër kur spontaniteti i kapjes së parabolave brendapërbrenda kufijve narrativ krijon një atmosferë të mbushur me lirizëm kreativ.
Manifestimi i lirizmit në funksion të fundusit dhe të prapavisë së veprimit të personazheve lidhë segmentet semantike të tregimeve në mënyrë mjaft sugjestive. Kjo mund të vërehet edhe te tregimi “Deti që nuk e shoh”, teksti i të cili është i organizuar sipas metodës së përngjitjes së dy formave të procedimit fabulativ. Monologu që operon me veten edytë të rrëfimit eksplikon situate të caktuara në botën ekspresive të njeriut, duke filluar nga pakënaqësia dhe kërkersat specifike të njeriut e deri te kombinimi i peisazhit të jashtëm me kornizat me kornizat e një bote të brendshme njerëzore. Në këtë dhe tregimet engjashme, psikologjia e botës së brendshme shpesh here resemantizohet nga toposet e jashtme, ndaj edhe kemi sintagma figurative që ndajnë kufijtë e rrëfimit, sikundër janë: “Pylli artificial”, “Goja me ujë”, “Memeci ujor”, “Peisazhi i kaltër” dhe “Dita e ardhme”.
Përditshmëria, sin ë tregimin “Amullia”, ose “Fjalëkryqi”, e bën optikën e vrojtimit të autorit edhe më të pasur. Dimensioni i distancës kohore është studuar mirë dhe nuk që për hir të aktualitetit të humbë eleganca estetike e rrëfimit. Simbolika ambientale dhe insistimi që jeta të paraqitet ashtu si është, janë pikat kyçe prej nga fillon poetika e rrëfimit. Me një stil të tillë mbase është shkruar edhe tregimi “Diçka mbi dashurinë”, i cili edhe pse del nga atmosfera tematike e stilistike e vëllimit, megjithatë ai sikur përplotëson botën kontemplative të krijuesit.
Vëllimi me tregime “Pika e zezë” i Sabit Rrustemit pos si përvojë estetike, do të na imponohet edhe si insistim i suksesshëm i lëvrimit të prozës së shkurrër, aq deficitare në letërsinë bashkëkohore shqipe. Prizmi specifik i vrojtimit të jetës ku kalueshmrëia kohore e hapësinore bëhet gati në mënyrë filmike, do ta vendos këtë vepër në horizontin e kërkimit modern të individualitetit, jo vetëm krijues, por edhe njerëzor. Se edhe një vepër mund të jetë tregues i një kërkimi të tillë, dëshmon edhe ky vëllim, me çka Sabit Rrustemi tash e tutje ska nevojë të studuohet nga aspekti që e vumë në spikamë në fillim të këtij vështrimi kritik, por thjesht nga aspekti teoriko-estetik. Veptrat e ardhshme të tij mbase do ta konfirmojnë këtë konstatim.
(Shkup, “Flaka e vëllazërimit”, 23 prill 1993)

You Might Also Like