KULTURA

U kujtua krijimtaria e Agron Berishës

Qendra e Artit Bashkëkohor “Varg e vi” në kuadër të aktiviteteve kulturore në mbrëmjen e kësaj të shtune, ka organizuar një mbrëmje të vecantë kulturore, ku është përkujtuar krijimtaria e artistit me prejardhje nga Gjilani, Agron Berisha.

Në këtë mbrëmje janë kënduar këngë të këtij këngëtari të njohur, sikurse që Shpresa Hajdari, drejtoreshë për Kulturë, Rini e Sport dhe aktorët Alban Shahiqi e Avni Shkodra kanë shpalosur hollësi nga jeta dhe krijimtaria e Agron Berisha.

Organizatorët kanë thënë se “Varg e Vi” përmes projektit “Me ‘G’, a me ‘Gj’?”, synon kthimin e vëmendjes kah trashëgimia kulturore, historike dhe urbane e qytetit të Gjilanit. Kujtimet tona na çuan në aktivitetin e parë me këngë të interpretuara nga grupet lokale muzikore, e pastaj kënga pas një kohe tjetër, do të na çojë edhe në aktivitete dhe shenja të tjera të kujtesës së re urbane: tek Ëmbëltorja, te Faraxhia, te Përmendorja, te Soliteri, tek Ura e Maskatarit…
Qyteti ka kujtime, ashtu si njerëzit. Kujtimet e para dhe më të lehta, riprodhohen nga muzika. Një këngëtar me origjinë nga Gjilani, Agron Berisha, u lind në Shkup, u kthye herë pas herë në Gjilan – në vendlindjen e familjarëve të tij, si dhe u bë pjesë e kujtesës kolektive të këtij qyteti, duke kënduar rok e balada dashurie në “Ish-Shtëpinë e Armatës”, “Palestrën e Sporteve”…
Qyteti krijon kujtime. Ato kodohen, depozitohen dhe riprodhohen nga njerëzit dhe duke i parë monumentet. Njerëzit që lënë gjurmë në një qytet, numërohen në gishta. Kujtesa nuk ngjizet vetëm me njerëzit e lindur në një qytet, por edhe me ata dhe ato që ecën nëpër të, kënduan në të dhe lindën rrëfime urbane, duke u kujtuar ende edhe sot nga shokët e tij të dikurshëm. Qyteti krijon figura, profile, portrete, zëra, fytyra dhe kujtime. Njëri nga këto është edhe Agroni. Duke e kujtuar atë, i kujtojmë sidomos vitet e ’70-ta dhe ’80-ta (shek. XX) të Gjilanit.

Biografia e shkurtër e Agron Berishës

Agron Berisha u lind më 27 shtator 1955, në Shkup të Maqedonisë. Në një faqe internet, e kanë shkruar se është lindur në Gjakovë, por është gabim. Agroni ishte biri i aktorit, poetit, dramaturgut dhe regjisorit Zija Berisha, i cili ishte lindur në Gjilan në vitin 1931. Babai i Agronit, mësimet e para i kishte kryer në Gjilan, më pas në gjimnazin në Prishtinë dhe pas kryeqytetit, ndoqi një kurs pedagogjik në Pejë, dhe në një moshë adoleshence si 16-vjeçar, punoi si mësues në disa fshatra të Gjilanit. Në vitin 1951, përkatësisht në moshën 20 vjeç, Zijau shkoi në Shkup për të kërkuar punë dhe për t’u avancuar edhe më shumë në arsimim, duke u punësuar atje si aktor në Teatrin e Kombësive në dramën shqipe dhe mund të konsiderohet ndër themeluesit e parë të Teatrit Shqiptar në Shkup. Agroni bashkë me motrën e tij morën pjesë në shumë drama (radio drama), pika teatrore dhe shumë aktivitete të tjera kulturore. Nëna dhe daja i Agronit po ashtu këndonin, duke trashëguar nga kjo lidhje biologjike nga ana e nënës, edhe talentin për këndim. Shtëpia e Agronit ishte e rrethuar përditshëm nga poezia, tingujt e kitares e të pianos, teatri e filmi. Në programet shkollore, Agroni ishte zakonisht si pjesëmarrës.

Disa nga veprat e Agronit

Adriatik; Metroja-Të shkojmë në Jug; Pësimi i Orfeut; Malsorja; E imja je; Baladë për dashurinë; I vetmuar; Emine; Nena; Rock&Roll; Mos e humb bozhurin; Moja Sumnja; Moj laroke; Kënga e çiftelisë; Oj dora me kanë; Kënga e Tetovës; Unë e di; Ty të don shqiptari; Të dashurës; Pa ty; Mos qaj, mos qaj; Malësorja; Hajt së bashku të këndojmë; Era; Eja Vera; Edhe një hap; Dua të takoj; Dashuri, dashuri; Adriatik; Kosovë, bijë e Ballkanit; Dua me t’marr; në duet me grupin Foleja “Jehon kënga”; në duet me Ismet Bexhetin, kënga “Gurbeti” me G, e jo me K sikur shënohet në fjalorin e gjuhës shqipe; në duet me bashkëshorten e tij, Naxhije Berishën, kënga “Miss Albania”, e shumë e shumë këngë të tjera. Por kënga “Vetëm 5 minuta” i ngelet në mendje më shumë publikut sesa dhjetra këngë të tjera.

Artistët që performuan:

Valdrin Halimi: muzicient/ koordinator i pjesës muzikore
Njomëza Hyseni: Vokal
Xhaner Gashi: Vokal/ Kitarë
Premtim Selimi: Klaviaturë
Gramos Kërqeli: Perkusione
Luftim Dalipi: Vokal/ Kitarë

Dizajni: Florent Buca
Teksti i konceptit: Avni Rudaku
Ndihmuan: Ministria e kulturës, rinisë dhe sportit dhe
Komuna e Gjilanit/ drejtoria për kulturë, rini dhe sport.

You Might Also Like