LAJME

Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan ka shënuar 9 vjetorin e themelimit

Fillimisht janë intonuar himnet, i  Kombëtar, i Kosovës dhe himni i Universitetit nga kori i shkollës së muzikës në Gjilan.

Me pas të pranishmëve u është drejtuar me një fjalë rasti Rektori Bajram Kosumi.

Rektori Kosumi, pasi ka uruar të gjithë për 9 vjetorin e themelimit, ka shpalosur të arriturat e Universitetit.

Si pikë të fortë të vitit 2021, Rektori ka përmendur akreditimin institucional dhe ri/akreditimin e  programeve studimore. Ai ka thënë se përkundër vështirësive me Pandeminë COVID 19, viti që po e lëmë pas ka qenë vit i sukseseve më të mëdha të UKZ-së në procesin e akreditimit, pasi që për herë të tretë kemi marr akreditimin Institucional, Akreditimin e disa programeve master, akreditimin deri në pesë vjet të disa programeve dhe  ri / akreditimi i 9 programeve studimore.

 Rektori ka përmendur edhe Sigurimi e Cilësisë si e arritur e UKZ-së për vitin 2021, në kuadër të së cilit është krijuar Plani Zhvillimor Individual (PZHI)  dhe kalendari vjetor për sigurim të cilësisë. Ai po ashtu ka cekur edhe funksionalizimi i zyrës për Hulumtime Shkencore, derisa duke folur për studentët Rektori ka thënë se gjatë vitit 2021, janë realizuar dy konkurse për pranimin e studentëve të rinj, ku ka pasur rritje të interesimit për shkencat e edukimit, për shkencat kompjuterike dhe për të gjitha programet në studimet master,  njëherësh gjatë vitit 2021 UKZ ka ofruar bursa për 77 studentët e shkëlqyeshëm. 

Stafi Akademik dhe administrativ, ka thënë Rektori Kosumi, gjatë vitit të kaluar, ka bërë disa përparime.

Ai ka thënë se hapësira e bashkëpunimit ndërkombëtar është zgjeruar edhe më tepër. Gjatë vitit 2021, përkundër vështirësive pandemike, UKZ është pjesë e 3 projekteve të reja në ERASMUS+, si partnere. Mobiliteti i stafit dhe studentëve për këtë vit është rritur dukshëm.

Ndër tjerash, Rektori ka folur edhe për nevojën e ndërtimit të kampusit Universitar, edhe pse gjatë vitit që po e lëmë pas, janë bërë disa renovime në hapësirat mësimore, laboratorike dhe administrative. Rektori ka thënë se është koha përfundimtare që sidomos Komuna e Gjilani, po edhe komunat përreth, si dhe Qeveria e Kosovës të gjejnë zgjidhje për hapësirat e reja për UKZ. Objekti ekzistues mezi i mbulon minimumin e nevojave për punë. Është koha që Gjilani dhe gjilanasit të kuptojnë të qenit qytet universitar dhe qytet jo-universitar.

Kurse në fjalën e tij, Kryesuesi i Këshillit Drejtues të UKZ-së z. Agron Hajdari, pasi ka uruar të gjithë për përvjetorin e themelimit, ka thënë se, sot fatmirësisht, përveç mundësisë për tu arsimuar kemi edhe mundësinë për të zgjedhur se ku duam të arsimohemi. Në një treg të hapur e dinamik si kurrë më parë, universitetet ballafaqohen me kërkesën dinamike të tregut për kualifikime që kërkon ky treg e që vazhdimisht po ndryshon. Sipas Kryesuesit të KD-së z. Agron Hajdari, sot Kosova në 14 vjetorin e shtetësisë së saj, njëra ndër sfidat më të mëdha të këtij vendi mbetët arsimi, larg asaj të dëshiruarës.

Ai ka thënë se UKZ ballafaqohet me mungesën e kampusit, zgjerimin e kapaciteteve, përgjigjen e kërkesave të tregut me profile dhe drejtime konkurruese, ballafaqimin me kërkesat e akreditimit, si dhe shumë çështje tjera, por në UKZ kam parë shumë vullnet, e dëshirë për të ecur tutje për të quar Universitetin aty ku të gjithë do të dëshironim, për të përafruar UKZ me universitetet evropiane, aty ku aspirojmë të jemi si shtet, në familjen evropiane.

Në fjalën e tij Kryetari i Komunës së Gjilanit z. Alban Hyseni duke uruar të gjithë për 9 vjetorin e Universitetit, ka thënë se Universiteti si një tempull i dijes i zhvillimit intelektual e profesional, është mundësia më e mirë për progres shoqëror. Universiteti është shtëpia  e atyre që nuk tremben të ndjekin rrugën e shkencës drejt formimit intelektual. Themelimi i UKZ-së 9 vite më parë  ishte nevojë e pashmangshme e qytetit të Gjilanit si qendër  kryesore e Republikës së Kosovës, në vijë kufitare me  Luginën e Preshevës, andaj duhet të punojmë e ta zhvillojmë edhe më shumë Universitetin “Kadri Zeka”, ka thënë Kryetari Hyseni.

Kurse Kryetarja e Parlamentit të Studentëve,  Sara Keqmezi duke uruar të gjithë për përvjetorin e themelimit të Universitetit Publik “Kadri Zeka”, ka thënë se  datëlindja e Universitetit është festë për Studentët. Ajo ka thënë se beson se çdo student i këtij Universiteti  meriton të ketë  një Kampus Universitar, i cili edhe pse është premtuar të realizohet qoftë nga Ministrat paraprak qoftë nga  menaxhmenti, ende nuk është as në fazat e para të planifikimit dhe zhvillimit të tij.

Më pas nxënësit e shkollës së muzikës, kanë interpretuar këngën korale “Shkojti qika” nën dirigjimin e profesoreshës Florentina Rushiti.

Në vazhdim Rektori Bajram Kosumi i ka dhënë  diplomën “Student i Dalluar” për nga një studentët me notën më të lartë mesatare në secilin fakultet.

Në Fakultetin e Edukimit diplomën studente e dalluar e ka marrë Elsa Karaliti, Monika Hyseni ka marrë diplomën studente e dalluar në Fakultetin Juridik, në Fakultetin Ekonomik  Almedina Hyseni ka marrë diplomën student i dalluar, kurse  në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike diplomën studente e dalluar e ka marrë Erblina Qeli,     Dea Lota studente e Fakultetit te Shkencave Aplikative ka  marrë diplomën studente e dalluar, Labinot Avdiu, student i programit master Qeverisja Lokale dhe Shoqeria Demokratike, dhe Donikë Hyseni studente e programit master E-Qeverisja,

Ne emër te këtyre studenteve ka folur Elsa Karaliti, e cila ka falënderuar Rektorin për  ndarjen e mirënjohjeve, dekanët e fakulteteve dhe të gjithë stafin akademik e administrativ të cilët ishin  pjesë e pandashme e rrugëtimit të dijes, ka thënë Elsa.

Në vazhdim studentet e Fakultetit të Edukimit, të Universitetit “Kadri Zeka”: Arbisë Krasniqi, Arlindë Basha, Alisë Bekteshi, Elisë Xheladini, Jetë Surdulli, Shqipe Mustafa, nën udhëheqjen e Ass. Liridonë Mehmeti dhe Rinë Rasimi, janë paraqitur me një recital me tematikë për historikun e gjuhës dhe shkollës shqipe.

Po ashtu gjatë manifestimit të 9 vjetorit të themelimit të UKZ-së, Rektori Bajram Kosumi, ka  ndarë mirënjohje për kontribut akademik për profesorët e Universitetit “Kadri Zeka”, Musa Ajeti, Emin Krasniqi dhe Fehmi Azemi. Në emër të tyre një fjalë falënderuese e ka mbajtur profesori Emin Krasniqi, i cili ka uruar të pranishmit për 9 vjetorin e themelimit.

Kurse për kontributin e dhënë në zhvillimin e punës dhe administratës së Universitetit, Rektori Bajram Kosumi, i ka dhënë mirënjohje z. Refik Ibrahimi, zyrtar për çështje akademike, kurse mirënjohje me rastin e pensionimit për kontributin e dhënë në administratën e Universitetit, i është ndarë znj. Zijavere Idrizi, zyrtar për çështje te studenteve ne Fakultetin e Edukimit.

Për mbështetje në procesin e zhvillimit të Universitetit mirënjohje u wshtw ndar nga Rektori Kosumi, studentëve alumni, Freskim Musliu  dhe Arboneta Lecaj.

Po ashtu Rektori Bajram Kosumi ka ndarë mirënjohje për mbështetje në procesin e zhvillimit të Universitetit, z. Agim Sahiti, drejtor i Kompanisë KONSONI dhe Nezir Rexhepi, drejtor i qendrës për mjekësi fizikale dhe rehabilitim ‘Banja e Kllokotit’.Per me shume foto, ja dhe linku.
https://www.uni-gjilan.net/lajmet/universiteti-kadri-zeka-ne-gjilan-ka-shenuar-9-vjetorin-e-themelimit/

You Might Also Like