Libri

VARGJE QË SHIHEN NGA NJË PRIZËM TJETËR

Muhamet HALILI
VARGJE QË SHIHEN NGA NJË PRIZËM TJETËR
( Për vëllimin e parë poetik të Hevzi Mustafës, “Dhembja mban emrin tënd” që doli kohë më parë në dritë, nga Shtëpia botuese BEQIR MUSLIU )
Duke qenë se jam ithtar i varianteve më përuruese, më joformale dhe pa zyrtarizëm të tepruar të aktiviteteve promovuese të librit, edhe fjala ime në këtë ngjarje të sotme do të jetë më tepër e urimit dhe vlerësimit nga prizmi i një gazetari, krijuesi të prozës, e mbi të gjitha të një lexuesi e shijuesi të vargjeve të shpirtit, siç është në këtë rast poezia e mikut tim Hevziut, sesa e një studimi të thellë kritik për veprën.
Po ashtu vlerësoj se audienca në një promovim libri, te ne, kryesisht e përbërë nga miq, dashamirës të fjalës së shkruar, pastaj edhe krijues, e në fund pse jo edhe studiues e kritik letrar, do të duhej ta determinonin formatin e një ngjarje të tillë shumë të rëndësishme për një komunitet, në këtë rast, atë kulturor, veçmas kur kemi të bëjmë me libra të rinj, e në veçanti me promovim autorësh të rinj.
Parapëlqejë që në përurime librash, pjesa më e madhe e audiencës të ketë pasur mundësi ta ketë pasur paraprakisht librin në duar, ndërsa për pjesën tjetër, një mundësi e mirë për ta marr librin. Pastaj në minutat e rezervuar përuruese, të flitet lirshëm për brendësinë në mes të kopertinave të librit që e përurojmë, qoftë si tërësi, qoftë për veçoritë e një poezie, a vargut konkret, të deklamohen poezi, të bashkëbisedojmë me autorin, e të tjerë të përfshirë në këtë botim, të shpërfaqen interesime që mund të marrin përgjigje, e mbi të gjitha të shijojmë kënaqësinë që mund ta ofrojnë vetëm aktivitetet e tilla kulturore letrare.
Megjithatë, sot nuk po i ikim standardit të zakonshëm të promovimit të paraparë nga organizatori apo autori, andaj edhe unë do të përpiqem shkurtimisht t’i përmbledhë pak fjalë, nën titullin “Vargje që shihen nga një prizëm tjetër”, për vëllimin e botuar të Hevziut, “Dhembja mban emrin tënd” që doli kohë më parë në dritë, nga Shtëpia botuese Beqir Musliu, për të kontribuar kështu në llojllojshmërinë e mendimit kritik mbi këtë vepër, që mund ta kemi këtu nga folësit që do prezantohen para jush, me kumtesat e tyre.
Hevzi Mustafa, nuk është emër i panjohur për dashamirët e fjalës së shkruar. Ai me poezitë, por edhe me tregimet e tij, ka kohë që si fllad vere, ka depërtuar në shpirtin e lexuesit. Krijimet e tija letrare kanë gjetur hapësirë në portale e revista, por edhe janë vlerësuar në ngjarje të ndryshme kulturore – letrare, madje duke marrë vëmendjen e jurive dhe duke u shpërblyer, në Gjilan e gjetiu.
Për kënaqësinë tonë si krijues e lexues, ai e solli në dritë përmbledhjen e parë me poezi, “Dhembja mban emrin tënd”, përmes shtëpisë botuese “Beqir Musliu”.
Nga pikëpamja e renditjes tematike, kjo përmbledhje poezish, është e strukturuar brenda shtatë kapitujve a cikleve, me një karakteristikë të posaçme duke lënë jashtë kapitujve poezinë, “Ëndërr hyjnore” me të cilën nis libri, për ta përmbyllur me një poezi katërvargëshe, Egërsi” e cila përmbyll krejt këtë vëllim poetik, me një dilemë që mbetet edhe më tej e hapur: “pse ende nuk e hëngër njeriu ujkun, apo ujku njeriun”.
Përndryshe, vëllimi poetik “Dhembja mban emrin tënd” ndërtohet prej këtyre shtatë kapitujve a cikleve: Etno, Le të pres dashuria, Ekskluzivisht në Kullë, Nën palmë kokosi, Glemte fragmenter, Orkidea ime dhe Vetmia më gdhend.
Mustafa me vargun e tij, nuk është pesimist, edhe pse një nga poezitë e tija të kësaj përmbledhje mban një titull të ngjashëm “Pesimizëm”, por është një lloj “inatxhie” në thonjëza, që ia shpif morali i rrejshëm i shoqërisë sonë, koncepti i gabuar për atdhedashurinë, për dashurinë, për femrën…, që e ka një pjesë e shoqërisë.
Për autorin njerëzit rrugëtojnë, por nuk e dinë ku shkojnë! Andaj ai në këtë botë të “rrejshme” nuk ngarendë pas famës dhe shkëlqimit sepse ”nuk i duhen”, sikur më tepër “jeton” sot për nesër, i irrituar nga shoqëria demagoge, për të treguar atë se, nëse nuk mund ta ndryshojë rrjedhën, së paku do të qëndrojë në anën e kundërt të demagogjisë.
Poezia e mirë për mua është poezia që pas leximit shndërrohet edhe në pikturë, në insert filmi, që ngacmon edhe shqisat tjera, që preket, që ka aromë, që ka shije… e në këtë libër, ka poezi të tilla që, te lexuesi mund të prodhojë ndenjën e tillë, sepse mund ta personalizojnë me përvojat e tyre, apo të të tjerëve, për të cilët lexuesi ka njohuri paraprake.
Poezitë të cilat vlen të veçohen nga ky vëllim që po e përurojmë janë: Kur pushtova qiellin, Legjendat, Rilindur në Helsingør, Mikeshës nga Armenia, Mungesë prezervativi, Dhembja mban emrin tënd, Egërsi, poezitë e ciklit Orkidea ime, e ndonjë poezi tjetër.
Përndryshe, me botimin e këtij vëllimi poetik, që njëherësh është edhe libri i tij i parë, stimulohet krijimtaria e krijuesve të rinj, nxirret në pah talenti, përurohen vlera dhe ofrohen për lexuesit vargje që shihen nga një prizëm tjetër.
Botimi i këtij libri është me interes për faktin se poezitë e Mustafës e pasurojnë më tej letërsinë shqipe dhe fuqizojnë edhe më shumë vlerat e përgjithshme letrare-nacionale e më gjerë.
Për fund, duke qenë se jam njëri ndër shtytësit që poezitë e Hevziut të nxirren nga sirtarët e të grumbullohen në një vëllim, falë edhe përkushtimit që e ka pasur Ars Club-i, përkatësisht “Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”, e në veçanti shkrimtari Sabit Rrustemi, për çka e përgëzoj, do të doja që autori, që na ka bërë bashkë këtu sot, të vazhdojë me kultivimin e poezisë, por pse jo edhe prozës, e të mos ketë shumë nevojë për shtytje, për inkurajim, thjeshtë të jetë akoma njëfarë “inatxhie”, ose të vazhdojë të jetë një moskokëçarës për do norma shoqërore, që ia shpifin, për t’iu ngacmuar kështu shpirti krijues, të ulet e të shkruaj, e të na vije sa më shpejtë edhe me krijime tjera, pse jo edhe me një libër tjetër.
__________________
( Fjalë e paraqitur në takimin përurues të këtij libri, mbajtur më 18 mars 2023 në Bibliotekën e Qytetit të Gjilanit, në nderim të Ditës Botërore të Poezisë – 21 Marsit )

You Might Also Like