OPINION

VRASJA DHE ZHDUKJA E SHQIPTARЁVE – TRADITЁ SERBO-SLLAVE

Prof. dr. Bahtijar Kryeziu
Nga e kaluara barbare serbe
VRASJA DHE ZHDUKJA E SHQIPTARЁVE – TRADITЁ SERBO-SLLAVE
(Në 110-vjetorin e ekzekutimit të roganasve nga bandat serbo-çetnike)
Rezistenca shekullore e shqiptarëve në përgjithësi, pra edhe ajo e roganasve dhe e anamoravasve kundër robërisë serbo-sllavo-bullgare, është e shënuar me përplot ngjarje heroike por edhe të llahtarshme, të cilat kanë lënë gjurmë të dhimbshme e të pashlyeshme në zemrat e banorëve të kësaj nahije e më gjerë. Kjo rezistencë vazhdoi, jo vetëm në kohën e pushtimit turko-osman, por edhe pas vitit 1912, pasi që roganasit, gjatë të gjitha ngjarjeve historike-kombëtare dhe mosnënshtrimit nga armiku, çdoherë ishin në ballë të tyre. Kështu që në vitet e para të dhjetëvjetëshit të dytë të shekullit 20, për shkak të rezistencës, mosbindjes dhe moszbatimit të urdhrave të pushtetit serbo-sllav, nga i ashtuquajturi Vojvodë Veliçk Domorovci (I quajtur si Veličko Domorovski, Wikepedija (Slobodna enciklopedija): Lista četničkih vojvoda, https://sh.wikipedia.org/…/Lista_%C4%8Detni%C4%8Dkih…), një çetnik e krimi¬nel i llojit të vet, në vitin 1914, u morën, u ekzekutuan dhe u zhdukën pa gjurmë, nga regjistri i hartuar që më parë, ata roganas të cilët i hante puna më shumë, si: 1. Molla Rexhep Hyseni, 2. Rrustem Ahmet Geci, 3. Ismajl Osman Mehmeti, 4. Vesel Ismajl Osmoni, 5. Halim Ukë Mehmeti, 6. Hasan Hima.
Nga ky ekzekutim, e deshi fati që të shpëtojnë: Ramadan Halim Uka dhe Hysen Fazli Mehmeti, të cilët treguan për kidnapimin, maltretimet e ushtruara ndaj tyre dhe në fund edhe për ekzekutimin e 6 roganasve të cekur më sipër.
Ditën e kobshme, çeta çetnikësh në krye me Vojvodë Veliçk Domorovcin, ia mësyn Roganës. Veliçki ecte rrugës së fshatit me një pjesë të grupit të tij famëkeq (rrëfen Ramadan A. Kryeziu), ndërsa Jefta dhe Niça, dy serbë gjakpirës nga lagjja serbe e Kërshlanëve të Hodanocit, dalin në Cukel (një vend paksa më i lartë në mes të fshatit), për të vëzhguar në mos po ik kush nga shtëpitë e veta. Nga vendvrojtimi i tyre – Cukeli (një vend më i lartë fshati) vërejnë Rrustem Gecin, duke dalë nga shtëpia e xha Ali Himes, të cilin e detyrojnë të dalë te Ura e Musë Veselit, në mes të fshatit. Kur Rrustemi del tek ura, banda çetnike e grupit të Vojvodës, e lidhin Rrustemin. Aty e marrin, sipas regjistrit që kishin, edhe Molla Rexhepin dhe Hasan Himën, e pastaj edhe Vesel Ismajl Osmanin dhe Ramadan Halim Ukën. Pas prangosjes së tyre, ata i dërgojnë në fshatin Hodanoc, në shtëpinë-shtab çetnikësh të Ali Dërvishit. Me të marrë vesh Ismajli dhe Halimi, dy baballarët e dy djemve të tyre të kidnapuar, shkojnë në Hodonoc me shpresë që t’i lirojnë bijtë e vet, Veselin dhe Hasanin, por, për të keqen e tyre, edhe këta dy kidnapohen nga çetnikët dhe i bashkojnë me roganasit e tjerë të prangosur në shtëpinë e Ali Dërvishit. Thuhet se deri në mbrëmje të asaj dite të kobshme, ata janë maltretuar e rrahur pa mëshirshëm. Në mbrëmje, pasi kishte rënë terri, me duar lidhur prapa dhe njëri me tjetrin, nën përcjelljen e çetnikëve, i nisin për në vendin e përgatitur që më parë për ekzekutimin e tyre. Me të arritur në fund të Hodanocit, Ramadani dhe Hyseni, me zhdërvjelltësinë e tyre, arrijnë që t’i lirojnë duart. Nga errësira e madhe, këta dy ulen skaj rruge dhe për fatin e tyre, ekzekutuesit nuk arrijnë t’i vërejnë. Nga frika se do të hetoheshin, ata futen në lumë (Reka e Madhe) për të shpëtuar jetën, madje të zhytur edhe me kokë nën ujë, duke marrë ajër me nga një kërcell kallami (shavari) – kishin rrëfyera ata. Derisa ishin në lumë ata dëgjojnë krismat e armëve – ekzekutimin e dy djemve dhe vëllezërve të tyre pa farë faji e gjyqi. Pas shkrepjes së rafalëve, çetnikët ndezin një dritë për të vërtetuar në mos ka shpëtuar ndonjëri gjallë. Kështu kishin rrëfyer xha Ramadani e xha Hyseni në familjet e tyre pas shpëtimit dhe kthimit në shtëpi, pas një kohe të gjatë, të frikësuar se do të merreshin prapë peng dhe do të ekzekutoheshin nga barbarët serbë.
Ditën kur u morën këta roganas, shumica e banorëve të fshatit, nga paniku në zemër, kishin ikur nga fshati dhe kishin dalë te Guri Gat, siç e quajmë edhe sot atë vend, për t‘i shpëtuar ndonjë masakre të radhës.
Pas këtij aksioni “të spastrimit”, Veliçki, me grupin e tij bëjnë analizën “e suksesit të tyre” për likuidimin e roganasve “rebelë”. Nga regjistri që kishin, vërejnë se nuk e kishin realizuar tërësisht detyrën që e kishin planifikuar, besohet, jo edhe pa “këshillat” e ndonjë anasi puthadorë e servil shqiptar – siç tregojnë edhe sot të afërmit e viktimave.
Të frikësuar nga ndonjë hakmarrje për masakrën e ushtruar ndaj grupit të ekzekutuar të roganasve, çetnikët organizojnë zënien edhe të dy prijësve të fshatit, burra të fuqishëm e trima në zë, kapedanë, jo vetëm fshati: Vesel Ismajl Musa (gjyshi im) dhe Raqip Avdi Sinani. Dhe kështu, pas dy ditësh ekzekutimi të grupit të përmendur, Veliçki, me dinakëri e plan organizon një aksion vullnetar pune (angari), diku të Dheu i Bardh siç quhet sot, me qëllim të futjes në kurth të Veselit e të Raqipit, të atyre që nuk u përkuleshin Vojvodës dhe ndonjë këshilltari të tij. Meqë Veseli e Raqipi dalin me qerre për t’i dërguar në vend të tyre (në atë aksion) shërbyesit e tyre romë (moçmit), banda e Vojvodë Veliçkit, pa vonuar fare i prangosin këta të dytë dhe i dërgojnë edhe këta në shtëpinë e Dërvish Aliut në Hodonac. Nëna e Veslelit, halla Salë, e merakosur për të birin e saj, meqë ai ishte marrë pa paralajmërim dhe i papërgatitur as me rroba e ushqim, e dërgon rrogëtarin (momkin – i thoshin), Jashar maxhupin, për t’ia dërguar Veselit disa rroba e pak bukë në Hodanoc. Jashari shkon në Hodanoc dhe, pasi hyn në shtëpinë e Dervish Aliut, sheh trimat e gozhduar në mur, pa krye e me xhepa të nxjerrë në trupat e tyre (të Veselit e Raqipit). Menjëherë pas asaj që kishte parë “momki” Jashar, kthehet në Roganë, për të treguar ndodhinë. Këtë ua kishte rrëfyer edhe familjarëve të Veselit të masakruar. Jashari, pasi kishte rrëfyer me shumë ankth e trishtim gjithë atë tmerr që kishte parë me sytë e tij, nga ajo ditë e kobshme, ishte larguar nga shtëpia e Vesel Ismajl Musës dhe nga fshati Roganë, pa lënë farë gjurme se ku kishte shkuar, e për të mos u kthyer kurrë më aty. Thuhet se të gozhduarit, para se të japin shpirt, kishin kërkuar vdekjen sa më të shpejtë, porse xhelati (rom) qenkësh përgjigjur: “Jo zotërinj, jo, drapni korr nalt”.
Halla Salë, nëna e Veselit (e gjyshit tim), duke mos dashur t’u besonte fjalëve të rrogëtarit Jashar, e me shpresë që ato fjalë ogurzeza të mos jenë të vërteta ashtu siç i kishte rrëfyer rrogëtari i tyre për të birin e saj, kishte shkuar te një familje fshati që besohej se mund të dinte diçka për fatin e Veselit. Me të trokitur në dyert e asaj shtëpi, del një vajzë, e cila kishte dëgjuar nga familjarët për rastin e Vesleit e të Raqipit dhe i drejtohet nënë Salës: “Mos u mërzit halla Salë, Veselin e Raqipin i kishin pre promë”. Me të dëgjuar këto fjalë bombë, nga zemra e plastë, e shpirti i këputur, nëna e Veselit ia kthen: “N’e paçin pre Veselin, e kam Sahitin”, që ishte vëllai i Veselit: Veseli një burrë shumë i fuqishëm, i cili qerren e druve, në tatëpjetat jo aq të mëdha, e ndalte me dorën e vet e kungullin e çante zakonisht me grushtin e tij të fortë – tregonin e tregojnë edhe sot familjarët dhe të afërmit tanë.
Pas 4-5 ditësh banda çetnike serbe largohet nga Rogana dhe shtabi i tyre në Hodanoc, për të vazhduar “spastrimet” edhe në fshatrat e tjera. Me të kuptuar këtë, sipas rrëfimeve të pleqve tanimë të ndjerë: Selman Musë Veseli, Zylfi Murat Hyseni, Xhemail Fetah Shabani, Salih Shaban Ymeri, Shefki Abaz Musa, roganasit hulumtojnë terrenin përreth Hodanocit për t’i gjetur bile kufomat e Rexhepit, Rrustemit, Veselit, Ismajlit, Halimit, Hasanit dhe të dy të ekzekutuarve dy ditë më vonë (Vesl Ismaj Musa dhe Raqip Avdi Sinani). Porse, me gjithë kërkimet e bëra në ara, përroska e deri në kodrën e Bello Vodës, mbi Hodanoc, askund nuk gjejnë gjurmë kufomash të bijve të tyre. Megjithatë, gjatë këtij gjurmimi, roganasit kishin ndeshur kufoma të shumta njerëzish që ishin marrë nga Malësia e Dardanës dhe ishin ekzekutuar nga çetnikët, në përrenj e shkurre të shpateve të Bellovodës.
Se gjakun e zbulon edhe ferra, siç thuhet në popull, më vonë mësohet se 6 roganasit e ekzekutuar në ditën e parë të kobshme, ishin varrosur, në një arë të një serbi të Kërshlanëve, sot pronë e Hotnjanëve të Starakuqes. Thuhet se para ekzekutimit, sipas një serbeje plakë, ishte përgatitur një gropë e madhe në atë arë, për varrosjen e roganasve të ekzekutuar dhe humbjen e gjurmëve. Dhe, pas ekzekutimit dhe fshehjes së kufomave, gropa ishte mbuluar, po atë natë dhe ara ishte lëruar e tëra. Edhe pse trupat e 6 të masakruarve të grupit të parë supozohet (përafërsisht) se ku ishin varrosur, për gjurmët e trupave të dy të ekzekutuarve dy ditë më vonë (Raqipi dhe Veseli) edhe sot e kësaj dite nuk dihet gjë, as për ata e as për qet e qerret e tyre, “shkollë” kjo e serbëve që u pa edhe në luftën e fundit në Kosovë, ku mbi 1600 vetë ende janë të pagjetur.
Pas bombardimit të të ashtuquajturës Ura e Mbretit, te Dheu i Bardh, gjatë LDB nga ushtria gjermane, Ramiz Hysen Musa me Vesel Vesel Ismailin, djali i Veselit të ekzekutuar, të cilin, me rastin e ekzekutimit të babait të tij, sipas traditës shqiptare e pagëzojnë me emrin e babait, meqë kishte mbetur në barkun e nënës kur ekzekutohet babai i tij, nisen kinse për te Ura e Mbretit, për të marrë shufra hekuri për zhegra – si arsyetim para familjarëve të tyre. Ata as që shkojnë atje, por ia mësyjnë shtëpisë së Vojvodë Veliçk Domorovcit, në Domarovc, për të nxjerrë gjakun e Veselit.
Ramizi (kushëri i Veselit), me Veselin (djalin e Veslit), hyjnë brenda në shtëpinë e Veliçkit, e kur këta kërkojnë ta takojnë Veliçkin, gruaja e tij u del para duke u thënë se “Veliçki nuk është në shtëpi dhe nuk dimë gjë për vendndodhjen e tij”.
Ramizi, si më i madhi që ishte me moshë, hyn brenda, e kontrollon shtëpinë për ta vrarë Veliçkin, në shenjë hakmarrje për vrasjen e Veselit dhe të Raqipit, por edhe të bashkëvendësve të tij. Meqë nuk e gjen atë aty, i bie dy-tri flakaresha gruas së Velçkit, me shpresë se do ta zbulojë të vërtetën përkitazi me Veliçkin, por më kot. Ajo nuk tregon gjë. Vojvodë Velçki atë ditë shpëton pa një ferrë në këmbë.
Nga të dhënat e roganasve, të mësuara më vonë, thuhet se Vojvodë Veliçk Domorovcin, ato ditë, e marrin Ibrahmajt e Kranidellit për ta shpëtuar, duke e fshehur në një qerre të mbushur me kashtë dhe e strehojnë në fshatin Kranidell. Gjatë rrugëtimit nëpër fshatrat Hodanoc, Roganë, Muçivërc, Veliçki, nga frika, ishte mbuluar me kashtë, por me të arritur te Livadhet e Muçivërcit, rrugës për në Kranipërdell, nga barinjtë e Roganës, ai është parë ulur këmbëkryq mbi qerren e ngarkuar me kashtë.
Për shërbimin e bërë Veliçkit, Brahimajt shpërblehen me disa hektarë tokë në fushën e Qarakocit, e cila tokë edhe sot është pronë e dikujt prej pasardhësve të tyre.
(* Shumë të dhëna të kësaj ngjarjeje i morëm nga Ramadan Abaz Kryeziu (e ky nga gjyshi Shefkiu) dhe unë nga nëna ime Hana (e kjo nga vjehrra e vet, gjyshja ime – Hamidja).
Vrasja dhe zhdukja e viktimave nga çetnikët serbo-sllavë nuk pati të ndalur. Ishte dhe mbetet prore një shëmti sadizmi, sëmundje patologjike, e rrënjosur në shpirtin dhe gjakun e tyre, si dje, ashtu dhe sot. Edhe bashkë-kombësi i tyre serb, Dimitrije Tucoviq, duke pranuar të zezat serbe ndaj shqiptarëve, në një vend thotë se në Lumë, “për dy orë vdiqën 500 shpirtra, fëmijë, gra dhe pleq (1913) – mbështetur në Projektplanin e “Naçertanije”-së, të vitit 1881, për pastrimin etnik viseve arnaute” (Fadil Kajtazi, ˮTelevizioni shqiptar lëshon muzikë serbe, acarohen nga Kosova”, 2 janar 2020. (https://www.botasot.info/…/televizioni-shqiptar-leshon…/).
Për t’u fshehur krimi, kufomat u futën nëpër shtëpi dhe shtëpive ju vu zjarri. Në Tivar ekzekutohen mbi 1600 veta (e përmendet edhe numri rreth 4 mijë të ekzekutuar), kurse në Dubrovnik helmohen mbi 800 shqiptarë. Edhe gjatë LDB-së, të njëjtat banda çetnikësh, të veshur me petkun e ushtrisë proletare, nga viti 1944, deri me 1946, kryejnë masakra të shumta, nga më të tmerrshmet ndaj popullatës së pafajshme shqiptare.
Pa hyrë më thellë në historinë e popullit tonë, sa krenare, po aq edhe e dhimbshme, të njëjtat banda policore-ushtarake, sipas ekspertëve të Asociacionit Amerikan për Përparimin e Shkencës (AAAS), vlerësohet se në periudhën nga 20 marsi e deri më 12 qershor të vitit 1999, kanë vrarë rreth 10.500 shqiptarë të Kosovës, moshash të ndryshme (https://kipred.-org/repository/docs/RAPORTI_KOSOVAR_466917.pdf), kurse mbështetur në të dhënat e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq vlerësohet se, gjatë periudhës së bombardimeve të NATO-s, janë zhdukur përafërsisht 2.500 persona. Nga ky numër, përafërsisht 2.000 kanë qenë të kidnapuar nga forcat serbe, që nënkupton se ata ishin shqiptarë, disa nga të cilët, mbi 1.600, me ndonjë përjashtim, ishin shqiptarë, të cilët edhe sot e tërë ditën nuk janë gjetur (Sipas Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq thuhet se mbi 1.600 veta janë të pagjetur (shumica shqiptarë), publikuar më 30 gusht 2020 (përcjell Radio Evropa e Lirë). https://www.xn--evropaelire-jpa/ org/a/kush-jane-te-pagjeturit-ne-kosove/30810611.html). Po ato hordhi dhunuan edhe rreth 20 mijë femra (Vlerësohet se gjatë konflikteve luftarake në Kosovë janë dhunuar rreth 20.000 femra – pjesa dërrmuese shqiptare, por edhe serbe e rome. https://telegrafi.com/20-mije-femra-u-dhunuan-ne-luften-e-kosoves-gjurmet-e-paduk¬¬sh¬me¬-¬ne-emer-te-gjakut-dhe-tokes/+0), pjesa dërrmuese shqip¬tare, në mesin e tyre edhe të mitura. Të gjitha këto të zeza, vetëm sa na e kujtojnë barbarinë (holokaustin) serbo-sllav ndaj popullatës shqiptare, dëshmi këto të hidhura e jo lojëra ndaj të cilave duhet heshtur. Jeta e çdokujt është e shtrenjtë, pavarësisht përkatësinë etnike, racore apo fetare, e dhimbja e të gjallëve për trupat e të dashurve të tyre, të vrarë, të masakruar, e sidomos të atyre të pagjetur, është plagë e pashërueshme, dy herë më e dhimbshme, deri në gjetjen e tyre. Kjo, edhe pas 26 vjet lirie e 17 vjet pavarësie, për arsyet që më së miri i dinë ata që kanë udhëhequr me këtë shtet, nuk u ka prekur ndërgjegjen (sa duhet) për të bërë më shumë për ta e familjet e atyre që ende janë me shpresë e me veshë në krahë, për të ditur diçka më shumë për të dashurit e tyre.
Me këtë rast duhet shtuar se mbetet obligim e përgjegjësi morale e ligjore e udhëheqësve të shtetit tonë, të Republikës së Kosovës, pavarësisht se kush udhëheq me Te, që të bëjnë më shumë për viktimat dhe femrat e dhunuara, duke kërkuar më me ngulm që përgjegjësit të dalin para drejtësisë së organeve të shtetit tonë ose të asaj ndërkombëtare dhe të marrin dënimin e merituar.
Dhe në fund, kur është fjala thjesht për roganasit, duhet shtuar se nuk janë vetëm këta 8 roganas të masakruar, të vrarë e të zhdukur. Sipas disa vlerësimeve tona, fatin e tyre, që nga koha e sundimit turko-osman e serbo-sllav…, del se viktima të atyre sundimeve barbare, janë afro 50 viktima, për të cilat edhe roganasit duhet të bëjnë diçka më shumë.
Ç’është e vërteta, edhe më parë, por në vitin që e lamë pas, me një këshill që formuam, organizuam 3 takime, caktuam komisione e detyra për secilin komision, për vendosjen bile të një Pllake përkujtimore, për të gjithë ata që e kishin pësuar gjatë historisë, porse “nuk patëm kohë” që ta takojmë as dikë nga organet kompetente komunale, e as kryetarin e komunës për të biseduar për sigurimin, përkatësisht lejimin e vendit (të caktuar) për vendosjen e një Pllake të tillë (!), kur dihet se Rogana dikur ishte fshati më aktiv në komunë. Shih për këtë, në vitin 1979, edhe u shpall si fshat i tillë në shkallë vendi, si “Rogaçica ‘79”. Megjithëkëtë, edhe pas kësaj neglizhence nga administrata e fshatit, ky projekt mbetet obligim dhe borxh yni që të kryhet, deshi dikush apo jo. Një nderim e kujtim, për viktimat e tyre, e kanë bërë shumë fshatra të Dardanës, e pse jo edhe Rogana ime?!
Kumtesë e përgatitur për Konferencën shkencore:
“Kamenica në rrjedhat e historisë”,
Kamenicë, 20 – 21 shkurt 2025
Ilustrim: banda çetnikësh serbë

You Might Also Like