Libri

DHE SHPIRTIN MA PUTH ZOTI

Anila KRUTI

DHE SHPIRTIN MA PUTH ZOTI

(Nga dorëshkrimet e librit në proçes)

KUAJ GJELBËRIMI

Kuaj gjelbërimi
si nuk më kujtuat mbrëmë të puthja pyllin?
Të këndoja ninunillën e luleve.
Pa të zgjoheshin burimet
Të më mbështillte me krahë ere kaltërsia.
Mars me duar të gjelbra
flokët prej uji
Si erdhe kështu ?!
Brishtësi…
Arnoj mes gishtash të gjakosur një këmishë të blertë.
E blertësi ëndërroj.
Pastaj shoh një kumbull
që qan e çel
gjithë dhimbje
në oborr…

ZAMBAK UJI

Erërat e Olimpit
Më shqepin
nëpër gishtat e ajrit.
Bie me
duart e gjelbra
mbi mantelin e ujit.
Flokët e bardhë
shtrihen nëpër krahët e diellit.
S’ka qiell mos të vdes në gjithë këtë bukuri.
Dhe shpirtin ma puth Zoti
frymë e ëmbël
E bardhë
E bardhë
Vdes
zambak mbi ujë

UNË JAM NJË PEMË

Të gjitha dashuritë
i kam të lidhura me pemën
Të gjyshes.
Të mëmës .
Timen …
Unë jam një pemë !
Kështu kam qenë që në vogëlinë time.
Puthja diellin dhe vishja vjeshtë .
Po,ja erdhe ti,
zgjate krahët gjithë lule dhe më bëjë hije .
Befas të ra në krahë një dimër i tërë
dhe të thau.
Ku të të gjej?!
Tani,
shpirtin e mbjell me pemë ,
të të ngjajnë ty.

NJË STINË …

Në buzën e gjethes
një grusht erë shpirti im.
Sa më sheh ti
me sy.
Qënien time e pushton
stuhia …

*
Në gjoksin e pemëve
lulëzim i çmendur.
S’ka stinë që e mbledh
në duar këtë
Mall…
*
Ne
Përqafim zotash
*
Poezia
Një grusht mendimesh mbi materie.
I mbledh për të krijuar
veten.

NJË GRUA DASHURI

Mos e merr të lehtë
një femër që lexon
Që hedh hapa dhe hap dritare.
Që kujdeset të zbukurojë shpirtin
Me orët e mëngjesit
Dhe muzgjet e mbrëmjeve.
Që njeh mirë peshën e fjalës .
Që puthet me blerimin
Dhe mahnitet nga bardhësia.
Që fle në pragun e stinëve
Dhe ngrihet në lotët e shiut.
Mos e merr të lehtë një grua
që qesh bukur edhe përlotet
për një syçelur gjethesh .
Që ngrihet pas një tragjedie shpirti.
Që ngjyroset me dritë dhe gatuan poezi.
Mos e mer të lehtë një grua
që di mirë ç’është seksi, orgazma, dashuria.
Drithërima …vdekja në shtrat.
Parajsa e përqafimit …ferri i mungesës.
Mos e merr të lehtë
një grua
që mban brenda vetes
diellin , erën ,shiun dhe stuhinë.
Një grua dashuri…
Se një grua të tillë
e ka bekuar Zoti!

MUNGON …

Duart e bardha të shiut
më lagin flokët
këtë mëngjes how to take oxandrolone çelur bajamesh.
Ti më kujton mes krahëve të tu
që unë mbetem gjithnjë e bukur.
Pëshpërij me zë malli nëpër mars:
“Jemi të dënuar me plakje më keq,
sesa me vdekje”
Mos vono të vish!

POEZISË

Një pemë e gjelbër puth diellin.
Shkon një zog nëpër degët saj
e mbi duart e mia shkund krahët.
Ndizet poezia..

TA KAM MBVJELLË SHPIRTIN MBI PËLLËMBË

Isha mësuar në duart e Zotit.
Të bardha, të buta, me fije drite.
Shpesh më ngjanin me ato të tim eti.
Isha lart mbi re. Zbrita mbi duart e tua.
E di,
ta kam mbjellë shpirtin mbi pëllëmbë.
Vazo agimi, që lëkundet në ajër.
Ki kujdes, si i mban duart !
Mos, vrapo nga gëzimi ta mbjellësh në erë.
Mos e thyej kur të ta bëj ditën mungesë.
Mos, ma mëso kaq shpejt trishtimin.
Mbaji duart mbi pemë të puth çeljen.
Dhe laji me shpirtin tim sytë prej uji.
Pastaj,
do të mësoj këngën e zogjve.

TY, TË TË GJEJA
Ftoit në livadhin e shtatorit
i ranë gjethet.
Vjeshta mbeti vetëm .
Në oxhakun e natës u ndezën
një nga nië yjet në pëllëmbën e qiellit.
Hëna lart
në ranishten e ullinjve rri mekur
si në shteg malli.
Një qiri në tavolinën time
mbrëmë tretej nëpër duart e natës.
Ty..
Ty ,të të gjeja edhe një herë.
Të më ndizje zjarrin në shpirt
Pa botës
do t’i vija flakën…

DY KARFICA PREJ DIELLI

Pa ty
nje mengjes prilli
ika neper ere
Dy karifica prej dielli
pashe mberthyer
ne floket e mi.
qava…

SI ZOG I KAKTËR

Zoti e di nga vjen kjo dritë e bardhë
Mbi gishtat e pemës e rrjedh në sytë e mi.
Jam e bardhë.
Krejt ditë ,siç nuk kam qënë kurrë.
Jemi dashur edhe më parë.
Në një botë ku mbillnin pemë.
Dhe shuanim yje me sy.
I këndonim pyllit ,atherë.
Edhe sot ,
Jam ditë. Krejt e bardhë.
Ti më flet sërish me gjuhën e Zotit.
Duart e diellit më kapin flokët
Strukem në pemë si zog i kaltër.
Kam mësuar të flas gjuhën e tyre.
Zoti e di nga vjen kjo dritë e bardhë.
Mesa duket, të dua për të dytën herë.

You Might Also Like