Trashëgimi

Eksponate të gjetura “Te Kodra e Kishës” në Verbicë të Zhegocit

Muzeu i Gjilanit u pasurua edhe me disa artefakte të cilat janë gjetur para disa viteve, përkatësisht në fund të viteve 80-ta e në fillim të viteve 90-ta të shek. XX nga Tefik Zymberi, tani hero i kombit. Këto eksponate një kohë i ka ruajtur vet Tefiku e kohëve të fundit kanë qëndruar në shtëpinë e Mejdi Musliut nga fshati Verbicë e Zhegocit.
Tefik Zymberi si profesor i Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, interesohej edhe për trashëgiminë kulturore, përkatësisht edhe për arkeologjinë, pasi e dinte se në fshatin e tij kishte vendbanime të vjetra. Duke u bazuar në emërvendin “Te Kodra e Kishës”, e cila gjendet në pjesën perëndimore të Verbicës, kishte kërkuar mos po has ndonjë gjurmë: mure të vjetra, qeramikë, apo diç tjetër në këtë vend. Dhe vërtetë, ai kishte gjetur disa eksponate dhe pjesë të qeramikës.
Bile për këtë kishte shkruar një tregim me titull “Për qytetin antik Zygo”, i botuar në librin e Tefik e Tefik Zymberit, “Dielli nuk vritet”, i përgatitur nga Ismet Tafili. Ja seç shkruan në fillim të tregimit: “Edhe pse atë natë Trimori (Trimori është Tefik Zymberi –I.T.) deri pas mesnate kishte lexuar dhe kishin filluar t’i djegin sytë nga leximi i tepërt, assesi s’mund të flinte, ta largonte nga mendja preokupimin për gjetjet e shumta arkeologjike, duke menduar për vlerën e madhe që kishin ato gjetje….. Duhej të zgjohej heret për të shkuar në Prishtinë e të takonte arkeologun N. , të dëgjonte mendimin e tij lidhur me materialin arkeologjik që ia kishte ofruar…….”
Dhe pikërisht një pjesë të këtyre eksponateve janë ruajtur deri më sot, të cilat tani do të jenë pjesë e muzeut Rajonal të Gjilanit, siç janë: Guri i mokrës, gyp prej qeramike i ujësjellësit, vegsh i dëmtuar, dhe qeramika të ndryshme.
Ismet Tafili

You Might Also Like