Shkruajnë: Arton Hoxha, Sherafedin Kadriu – QRTK Gjilan
Xhamia gjendet në fshatin Cernicë të komunës së Gjilanit. Sipas të dhënave të Bashkësisë Islame të Kosovës, përkatësisht Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan, xhamia e Cernicës daton nga viti 1775. Xhamia ka shërbyer për ceremoni fetare myslimane. Gjatë luftës së viteve 1998-1999, xhamia është djegur nga forcat serbe, pikërisht më datë 17 prill 1999, ndërsa nga objekti mbeti vetëm minarja e xhamisë. Në komunën e Gjilanit kanë ndodhur edhe djegie të xhamive tjera, si: Xhamia e Mireshit (Dobërçanit), e vitit 1526, e cila u dogj që në themele nga forcat serbe, më 13 qershor 1999. e Sllakocit të Epërm e vitit 1770, muret e dëmtuara nga granatimet, Xhamia e Llashticës (1836), djegur nga brenda , xhamia e Bresalcit (1856), djegur më 10 prill 1999, e Zhegrës (1859) djegur nga brenda, e Stançiqit (1906), e djegur tërësisht, e Përlepnicës 1934, djegur më 14 prill 1999 së bashku me mejtepin, xhamia e Dunavit (1938), e shkatërruar në tërësi nga granatimet e pandërprera dhe e Livoçit të Poshtëm (1965), djegur tërësisht më 22 prill 1999.
Minarja e xhamisë është objekt i qëndrueshëm sa i përket statikës, ndërsa për material ndërtimi janë përdorur gurët, ndonjëherë edhe tullat. Relikte të këtilla, si minarja e Xhamisë së Cernicës, pas luftës, populli nuk i shkatërroi për të ndërtuar të reja në vend të tyre, sepse qe i interesuar t’i ruajë si një pjesë e historisë së dhimbshme për brezat e ardhshëm.
Kështu veproi edhe xhemati i xhamisë së Cernicës, – në vitin 2006 ndërtoi një xhami të re në vend të asaj që ishte djegur, por nuk ndërtoi minare të re. Përkundrazi, e rinovoi trungpiramidën e minares sepse ajo mund të shkatërrohej, pasi ishte ndarë nga lidhja që kishte me murin e xhamisë.