SPORTI

Gazetarët që lanë gjurmë në sportin gjilanas: Xhemail Veseli

Xhemail Veseli, në fillet e karrierës së tij me gazetari është marrë me enigmatikë duke botuar në revistën e parë shqipe të këtij lloji, “Horizonti”, e cila botohej në Gjilan si organ i Shoqatës së Enigmatëve “Ndre Mjeda”.

Ka studiuar në Shkollën e Lartë të Gazetarisë “Faik Konica” (1997 – 1999) dhe studime themelore e posdiplomike në DAD – Dramaturgji në Prishtinë, (2003 – 2007) dhe (2009-2011).

Para luftës ka bashkëpunuar me gazetën “Fjala Jonë” dhe ka qenë redaktor përgjegjës në Revistën Enigmatike “Thesari”. Gjatë asaj periudhe ka botuar disa numra të Revistës Kulturore – Zbavitëse – Enigmatike “Aurora”.

Si gazetar e redaktor përgjegjës në “Radio Kamenica” në Dardanë ka punuar gjatë periudhës 2001 – 2004 nga ku ka kaluar në të përditshmen “Koha Ditore” si gazetar i kulturës.

Gjatë periudhës 2014 – 2018 ka punuar në televizionin lokal “TV Vali” në Gjilan. Gjatë kësaj periudhe, krahas ngjarjeve lokale ka mbuluar edhe aktivitetet sportive të skuadrave nga “Anamorava”, duke mos lënë anash edhe ngjarjet e rëndësisë veçantë në sportin e gjithëmbarshëm vendor e ndërkombëtar.

Paralelisht, ka bashkëpunuar me revista e gazeta të ndryshme, si: Bashkëpunëtor gazetën  “Metropol” – Tiranë, bashkëpunëtor në revistën “Tung. Ch” – Zurich e portalin “InfoGlobi” etj. Së fundi ka qenë korrespodent nga Anamorava në Televizionin Publik (RTK), ku ka dhënë një kontribut modest në pasqyrimin koherent të ngjarjeve të përditshmërisë nga “Anamorava”!

Ka botuar një sërë shkrimesh edhe gjatë periudhës më të rëndë të sportit, gjegjësisht futbollit të Kosovës, gjatë viteve 90-të, por edhe sporteve tjera, në gazetën periodike sportive “SportPlus” si dhe të përditshmet “Bujku” , “Dardania Press”, Gazeta “Dita”etj, duke përcjellur e trajtuar me objektivitet aktivitetet garuese të skuadrave FC Drita, FC Gjilani, KF Kika, KF Vllaznia, KF Kaolini KF Dardana etj, por edhe ngjarjet tjera sportive në basketboll, volejboll e sporte tjera.

Aktualisht jeton e vepron si gazetar i pavarur në Gjilan, ndërsa merret me shkrime të ndryshme gazetarie, me synim parësor avancimin gradual të kanalit në Youtube “Tv Gjilani”.

 

You Might Also Like