Nuk është e panjohur për publikun dhe qytetarët e komunës së Gjilanit, që kaherë po ballafaqohen me mungesë të hapësirës për varre, ku do të prehen familjarët tanë. Ky është një problem i pazgjidhur në tërë periudhën e pasluftës. Në radhë të parë për shkak të pakujdesisë për shfrytëzim racional të hapësirës ekzistuese dhe së dyti, për shkak të udhëheqjes shkel e shko të punëve publike, ku hyjnë edhe varrezat.
Duhet theksuar se problemi i hapësirës për varreza është trajtuar disa herë, apo shumë herë por që deri më tash nuk ka gjetur trajtimin e merituar.
Le të kujtojmë që në vitin 2006 Drejtoria e Urbanizmit kishte hartuar një projekt për varrezat e qytetit, ku parashihej një sipërfaqe prej 12 hektarësh e 67 ari. Sipërfaqja më e madhe, mbi 7 hektarë ishte destinuar për varre, mbi 3 hektarë të hapësirë ishin destinuar për komunikim, mbi një hektar do të ishte zonë gjelbërimi, 6 ari ishin paraparë për objektet ndihmëse, 8 ari si plato dhe 20 ari të tjerë ishin planifikuar për parking. Gjithashtu ishte paraparë edhe ndarja e varrezave sipas përkatësive fetare e etnike.
Natyrisht pra projekti i varrezave do të përfshinte edhe objektet tjera përcjellëse shërbyese, morgun, ndriçimin publik, rrugët kalimtare, shtigjet, kroin për ujë, rrethojën e varrezave, parkun e automjeteve, stabilimentet sanitare, gjelbërimin, pastërtinë dhe rendin në varreza.
Të gjitha këto plane e projekte mbetën vetëm fjalë goje, apo diçka edhe në letër, por deri më tash asgjë nga kjo nuk është realizuar nga qeverisjet e deritashme dhe sigurisht që qytetarët nuk bartin as më të voglën përgjegjësi, përpos faktit që në forma të ndryshme është dashur të bëjnë presion që të gjendet një zgjidhje e mirë dhe e qëndrueshme.
U dashtë të kalojnë 10 vjet deri në vitin 2016, për t’u ri aktualizuar problemi i varrezave të qytetit dhe për t’u gjetur gjoja një zgjidhje e përkohshme për 2-3 vjet, me një investim prej 150.000 – 200.000€, donacion nga Komisioni Evropian, i cili do të implementohej nga UNDP-ja. Çfarë u bë me këto para? Në vend se të njëjtat të shtohen edhe për aq për të paguar lokacionin e varrezave për një periudhë më të gjatë, ato u përdorën më shumë për rrethoja e çështje të tjera që ishin më të dorës së dytë në krahasim me mungesën e hapësirës. Pra në vend se të investohej në zgjerim të hapësirave, më shumë u investua në rrethoja. Pra kanë kaluar 2 vjet dhe jemi në vitin 2018 dhe hapësira në varreza pothuajse nuk ka. Për një kohë të shkurtër një pjesë e hapësirës qe mbushur me dhe, i cili vetëm ishte i hedhur ashtu dhe mjaftonte një shi i imët ose pak borë gjatë dimrit dhe hyrja në atë hapësirë ishte e vështirë e bezdisshme dhe do të baltoseshe deri në gju. Ndërsa të vdekurin nuk dukej se e kemi varrosur, por sikur e ke mbuluar me një grumbull dheu a balte. U mbush edhe kjo hapësirë dhe të gjithë qytetarët flisnin se si do të bëhej tash. U gjet edhe një hapësirë e vogël, më afër varrezave ortodokse për t’u shtyrë edhe një kohë, por edhe ajo hapësirë është mbushur dhe nuk ka më vend. Gjatë gjithë kësaj kohe institucionet tona kanë bërë sehirë, s’kanë ndërmarrë asgjë, sepse ata nuk janë të aftë për planifikuar e realizuar diçka më të qëndrueshme e më jetëgjatë, por vetëm për të improvizuar. Aktualisht varrosja e të vdekurve të qytetit është duke u bërë në një pjesë të hapësirës që nga rrethojat tregon se është brenda
hapësirës së varrezave, por që dikur ka qenë jashtë saj edhe ka shërbyer si një deponi mbeturinash të ndryshme. Pikërisht në këtë vend janë duke u varrosur qytetarët tanë të vdekur. Pra në mbeturina. A nuk është kjo e turpshme?! Nuk po çmohet e mbrohet dinjiteti i të gjallëve, por tash as i të vdekurve tanë! Provoni dhe shkoni e shikoni, si do të ndjeheshit Ju kur familjarin, të afërmin, do të duhet ta varrosni në varrë plot mbeturina nga më të ndryshmet, si mbetje plastike, llamarina, tjegulla, tulla, pjesë betoni, eshtra kafshësh e çka jo tjetër!! A nuk duken false gjithë ceremonitë tjera që tradicionalisht ua bëjmë të vdekurve krahas kësaj?
A nuk po tregojmë një degradim kulturor, qytetarë e civilizues?! Natyrisht që nuk mund të presim që të vdekurit të protestojnë dhe të thonë “ Nuk dua të më varrosni në këtë vend”. Por ne të gjallët, apo secili duhet të reagoj vetëm kur është fjala për vete personalisht? Ku është zëri ynë qytetarë, apo edhe këtë gjë e konsiderojmë të natyrshme?!
Fotografitë më poshtë e dëshmojnë këtë:
Ne si Qendër e LVV, në Gjilan e konsiderojmë të pa pranueshme dhe alaramante këtë situatë dhe në kundërshtim me çdo normë ligjore, e në kundërshtim me traditat tona kombëtare e tradicionale, prandaj kërkojmë që organet kompetente komunale në radhë të parë, që deri sa të bëhet një zgjidhje më afatgjate, të vdekurit të varrosen në hapësirën nën rrugë të varrezave, ku ka ende hapësirë, pra paralel me varrezat ortodokse, ndërsa në ndërkohë pjesa e hapësirës ku momentalisht po bëhet varrimi i të vdekurve të pastrohet nga mbeturinat, të hidhet dhe i pastër dhe të ngjeshet mirë e pastaj mund të përdoret për varrim. Sepse edhe të vdekurit tanë meritojnë të trajtohen dinjitetshëm, sepse ata kanë jetuar, kanë punuar, kanë kontribuar për këtë vend e këtë qytet e shtet. Dy metra vend i meriton çdonjëri, pas vdekjes, por jo dy metra kub mbeturinash.