Libri

Lutfi Haziri ia dorëzon çmimin letrar “Beqir Musliu” fitueses së këtij viti, Edi Shukriu

Gjilan, 16 qershor 2019 – Në Grykën e Karadakut, në shkollën “Bajram Curri në Shurdhan të Gjilanit, është mbajtur të premten edicioni i nëntë i manifestimit rajonal të poezisë “Trekëndëshi poetik i paqes”,  pjesë e të cilit aktivitet ka qenë edhe ceremonia e dorëzimit të çmimit letrar “Beqir Musliu”, për fituesen, Edi Shukriu.

Komuna e Gjilanit, në bashkëpunim me Ars Club-in “Beqir Musliu”, ka organizuar këtë ceremoni për t’ia dorëzuar shkrimtares dhe arkeologes  Edi Shukriu, këtë çmim letrar, të cilin e ndan kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, për arritje të veçanta në letërsi.

Në fjalën e tij, kryetari Haziri, ka vlerësuar laureaten e çmimit “Beqir Musliu“, znj. Edi Shukriu, si një fituese meritore  e çmimit  “Beqir Musliu”,  këtij çmimi me një emër që ka qenë ndër të parët që i ka dhënë kulturës dimension të veçantë.

Ai ka vlerësuar kontributin e Musliut në periudhat më të rënda, por në të cilat është punuar me përkushtim, duke vënë në pah edhe aktivitetet e viteve të 90-ta. Madje, i pari i komunës e ka vlerësuar kulturën e asaj kohe si arma më e fuqishme që e kemi përdorur si rezistencë.

Prandaj, Haziri tha se zonja Edi Shukriu, profesoreshë dhe autoritetet  i lartë, na bënë nder që si laureate e këtij  çmimi të rëndësishëm, do të vendoset emri i saj në murin e “Beqir Musliut” në Gjilan.

Kreu i komunës ka shtuar tutje se Gjilani e Karadaku, ka dëshmuar përherë që njerëzit e vendit, të atdheut, e të Zotit, i do njëjtë kudo që ata jetojnë. Ai i mori disa shembuj të këtij nderimi, duke shtuar  se i respektojnë deri në gjunjëzim të gjithë ata që kanë dhënë kontribut.

“Karadaku dhe kjo pjesë e Kosovës i nderon kotributdhënësit, mbi të gjitha, sepse kjo neve na bënë nder,  dhe ky çmim na ka nderuar me emrin tënd, shpallur nga juria si laureta dhe ne të falënderojmë për punën e madhe që ke bërë”, i ka thënë Haziri, laureatës Edi Shukriut.

Përndryshe, Haziri në fjalën e tij ka falënderuar edhe Ars Club-in për begatimin me aktivitete të ditës së çlirimit të qytetit, i cili, si sot, para 20 viteve, e rikthej shpresën dhe besimin në realizimin e ëndrrës për liri, për të qenë i lirë dhe i pavarur.

“Njëzet vite kanë kaluar shpejtë, por fakt është që përmes kësaj Gryke legjioni i parë francez ka hyrë dhe e ka marrë nën kontroll qytetin, për të ardhur 12 orë më vonë marina amerikane dhe për ta pushtuar, në thonjëza, okupimin e serbëve dhe për ta përfunduar brenda një ore procesin e largimit të forcave ushtarake policore, paralamilitare, sipas marrëveshjes”.

Haziri kujtoj tutje se si me 15 qershor, pra po atë ditë, kanë defiluar edhe ushtarët e Brigadës së Zonës Operative të Karadakut në qytetin e Gjilanit, për t’iu rikthyer popullit të vet dhe qytetarëve që kishin mbet në Gjilan.

Haziri foli për kontributin e të gjithëve edhe më herët, duke thënë se ata politikën dhe kulturën nuk e kanë ndarë nga rezistenca. Njëra prej institucioneve të para që është themeluar në Gjilan, përveç strukturave ushtarake dhe të tjerave që është dashtë me ndihmua rezistencën ka qenë edhe kultura, Këshilli Komunal për Kulturë, Rini e Sport, që ishte  kumbarë dhe themelues i të gjitha aktiviteteve kulturore që ne sot e 30 vite i ruajmë për zemër dhe po i ruajmë në kalendarin tonë kulturor sepse na kanë ndihmua me mbijetua, e sot me rrjedhë fjalë të mira, fjalë të shkruara, që neve na bëjnë një nderë, tha Haziri.

Ai  duke uruar për ditë të çlirimit, ka kërkuar që ta gëzojmë jo vetëm 15 qershorin, si ditë të çlirimit të Gjilanit, por duhet të gëzojmë çdo ditë të vitit si ditë të çlirimit, e të falënderohemi që emi gjallë.

“Në fund të kësaj vere, pas nëntë edicioneve të “Trekëndëshit poetik”, si presion, dhe pas 15 viteve punë si institucion hapet vendkalimi kufitar Stanqiç e Bellanoc apo Kosovë  – Maqedoni e Veriut,  për ta lënë prapë një krah të trekëndëshet hapur . Do të donin edhe vendkalimin Miratoc  – Llojan dhe po punohet të bëhet realitet”,  ka thënë tutje Haziri.

Kjo zonë, shtoi ai, përveç që do të çlirohet në komunikim do të ketë mundësinë edhe  të zhvillimit të aktiviteteve, në veçanti në fokus e kemi vendosur bujqësinë, turizmin malor dhe zhvillimin lokal ekonomik dhe mundësia po vije për Karadakun e Gjilanit dhe Karadakun e Shkupit.

Kurse, Sabit Rrustemi udhëheqës i Ars Clubit “Beqir Musliu”, duke iu dëshiruar të gjithëve mirëseardhje në Manifestimin rajonal të poezisë “Trekëndëshi poetik i paqes”, ka thënë se ky është edicioni i nëntë i këtij manifestimi, që i përkushtohet, lirisë së Kosovës, lirisë së Gjilanit, ku përmes vargjeve, përçojmë afri, paqe e dashuri për njerëzit.

Ai e vlerësoi faktin se edicioni i sivjetmë po mbahet në një jubile shumë të rëndësishme për Kosovën, 20-vjetorin e çlirimit.

“Si përkushtim për gjithë ato sakrifica, martirizime e flijime nëpër luftëra të parreshtura, ky Manifestim, nga edicioni i saj i parë e këndej, përmes vargjesh, ka përçuar mesazhe paqeje e afrie midis popujve të kësaj pjese”, ka thënë ndër tjerash Rrustemi.

Para se fituesja e çmimit, Edi Shukriu, ta thotë fjalën e saj, është dhënë arsyetimi për vendimin e Jurisë nga shkrimtari, Ibrahim Kadriu, derisa për portretin letrar të Edi Shukriut, foli Anton Nikë Berisha.

Fituesja Edi Shukriu tha se ndihet e nderuar shumë, aq më tepër që shpërblimi mban emrin e shkrimtarit të saj të  preferuar “Beqir Musliu”.

Ajo tha se Gjilani ka bërë shumë për kulturën, që sipas saj, është qendër e kulturës, ka qenë edhe qendër e Dardanisë, andaj ndihet e nderuar.

“Për mua ky shpërblim është një ndriçim, prandaj porosia ime do të ishte që nëse edhe iu duket diçka errësirë, mos harroni gjithmonë ekziston një dritë që iu nxit të ecni përpara. Ky shpërblim është për mua një dritë që të mos të ndalem. Mos u ndalni as ju”, ka përfunduar Shukriu.

Manifestimi ka vazhduar tutje me ecurinë e saj duke përfshirë edhe “kohën e poezisë”, ku  janë preznatuar njëzet poetë si simbolikë për njëzetvjetorin e lirisë së Kosovës.

You Might Also Like