ARSIMI

Deputeti Ismajl Kurteshi kërkon Interpelancë me Ministrin Arsim Bajrami

Deputeti Ismajl Kurteshi ka  kërkuar Interpelancë me Ministrin Arsim Bajrami për çështjen në vijim:

 

Përgjegjësinë mbi organizimin e arsimit parashkollor, parafillor dhe parauniversitar në Kosovë

 

Arsyetim

 

Pjesës dërrmuese të fëmijëve në Kosovë nuk u respektohet e drejta universale për edukim, garantuar nga Konventa e të drejtave të njeriut dhe Kushtetutës së Kosovës

 

Numri i fëmijëve në arsimin parashkollor është rreth 3900, ku mosha 3-4 vjeç janë vetëm 1087. Numri i fëmijëve në arsimin parafillor pra mosha 5-6 vjeç është rreth 22 000, ndërsa popullatë në moshën 3-6 vjeç janë mbi 120 mijë fëmijë.

 

Edhe pse në strategjinë 2011-2015 Qeveria e Kosovës, nëpërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë kishte marrë vendim që në 2016 të gjithë fëmijët do të ishin duke mësuar në sistemin parafillor, dhe të paktën 50% e fëmijëve do të ishin në sistemin parafillor, asgjë nuk ka ndodhur në këtë drejtim.

 

Ndërsa në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët mësojnë mbi 258 mijë, por ende nuk është bërë asgjë për arritjen e gjithëpërfshirjes në arsimin e mesëm të lartë.

 

Numri i braktisjes së shkollimit gjatë atij fillor, të mesëm të ultë dhe të mesëm të lartë ende mbetet shqetësues dhe deklarimet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës vijojnë të jenë në përqindje e jo në shifra të sakta.

 

Në vitin 2008 Kuvendi i Republikës së Kosovës pati miratuar Rezolutën për zbatimin e deklaratës së Mijëvjeçarit, ku një nga 8 pikat ishte dhe zhdukja e analfabetizmit të të gjitha llojeve deri në vitin 2015. Për këtë qenë zotuar edhe Qeveria e Presidenca e asaj kohe.

Kjo as nuk është arritur as nuk duket se po adresohet drejtë derisa ende sot institucionet përgjegjëse s’e deklarojnë zyrtarisht numrin e saktë analfabetëve klasik dhe atyre funksional në Kosovë.

 

Gjendja e cilësisë së arsimimit në secilin nivel po t’i referohemi formalisht vlerësimeve të brendshme të institucioneve shkollore dhe atyre të jashtme të bëra nga Ministria japin vlerësime pozitive madje jo rrallë të arritjes së suksesit të lart. Edhe pse po këto institucione kishin shpallur implementimin e të ashtuquajturës kurrikulës të re deri më 2015, kudo në Kosovë, deri tash vetëm në 10% të shkollave zbatohet. Por dhe në ato shkolla ku zbatohet raportohet se ka vështirësi e pakënaqësi të mëdha.

 

Referuar legjislacionit në fuqi për arsimin Ministria e Arsimit, zyrtarët e saj rezultojnë të kenë shkelur ligjin në dëm të shkollimit me standarde të fëmijëve në Kosovë si dhe të kenë dhënë raporte të rreme mbi nivelin e mësimdhënësve dhe nxënësve.

 

Duke marrë parasysh gjendjen e rëndë në arsimin parauniversitar, të dëshmuar së fundmi nga rezultatet e nxënësve në Kosovë përmes testit të standardizuar të PISA-s, të publikuara me 6 dhjetor  2016, por edhe dështimit institucional për të përmbushur formalisht dhe përmbajtësisht vetë objektivat e Planit Strategjik të Arsimit në Kosovë (PSAK)2011-2015 në shumë drejtime si:

  1. Dallimet e mëdha në mes të vlerësimeve të brendshme dhe atyre të jashtme, mungesa e monitorimit, vlerësimit dhe përgjegjësisë për sukses të dobët në arsim,
  2. Dështimet e njëpasnjëshme në testet e maturës,
  3. Mungesa e mjeteve të punës, laboratorëve dhe e mësimit praktik sidomos në shkollat profesionale,
  4. Mungesa e bashkëpunimit të shkollave me prindërit,
  5. Përdorimi i planprogrameve kundër kushtetuese në shkollat publike të Kosovës,
  6. Licencimi pa kriter i institucioneve arsimore në të gjitha nivelet,
  7. Mosfunksionimi i sistemit të inspektimit
  8. Mosmarrjen e masave për rritjen e përfshirjes së fëmijëve në edukimin parashkollor,

 

  1. Mungesa e investimeve në hulumtime, shkencë e teknologji,
  2. Mungesa e skemës së të ardhurave për punonjësit e arsimit bazuar në rezultatet e tyre,
  3. Mos rritja e pjesëmarrjes së shpenzimeve për arsim në BPV në përputhje me mesataren evropiane (edhe në buxhetin e vitit të ardhshëm)
  4. Mos planifikimi i garave në disiplinat shkencore e më gjerë në nivel shkolle, në nivel komune dhe në nivel vendi,
  5. Arritje minimale në krijimin dhe përmirësimin e agjencive që punojnë në fushën e arsimit
  6. Mungesa e kushteve dhe mundësive për punë praktike për nxënësit
  7. Funksionalizimi minimal i shërbimeve profesionale në shkolla,
  8. Zgjerimi i pamjaftueshëm i hapësirave shkollore duke bartur për çdo vit mësimin me më shumë se një ndrrim.

 

Për këto arsye Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i propozon Kuvendit të Kosovës për miratim këtë mocion përmbajtjesor:

 

Në mbështetje të Nenit 65.1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 6.1 të Rregullores së Punës së Kuvendit të Kosovës, Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën plenare të mbajtur më _________ 2016, miraton këtë:

 

R E Z O L U T Ë

 

  1. Rritja e buxhetit për Arsimin parauniversitar në Kosovë;
  2. Monitorimi dhe vlerësimi i performancës së të gjithë mësimdhënësve në nivel vendi dhe kategorizimi i tyre sipas rezultateve të vlerësimit dhe sidomos sipas rezultateve të testimit të jashtëm të nxënësve të tyre;
  3. Ndarja dhe ngritja urgjente e fondeve për arsimin parashkollor, për sigurimin e burimeve njerëzore shtesë dhe infrastrukturës mbështetëse;
  4. Mbyllja në rast të mospërmbushjes së kritereve për licencim të institucioneve parashkollore, parafillore apo fillore jashtë sistemit publik;
  5. Sigurimi i shujtës ditore dhe vizitave shëndetësore në nivel vendi për klasat I – V, si fillim.
  6. Rishikimi në themel i kurrikulës së re, plan-programeve dhe teksteve shkollore, në përputhje me kushtet dhe rrethanat e Kosovës.
  7. Ndalimi i përdorimit të teksteve shkollore me përmbajtje antikushtetuese.

 

You Might Also Like