Shkruan: Fitim RIFATI
Pushtimi i Kosovës nga Mbretëria e Serbisë dhe Malit të Zi më 1912 si dhe aneksimi i tyre me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 1913, rrjedhimisht reflektoi edhe në strukturën etnike dhe demografinë e Kosovës. Për shkaqe politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturo-arsimore, shqiptarët e Kosovës duke mos parë perspektivën e tyre brenda pushtetit arbitrar e të dhunshëm ushtarak, policor dhe administrativ serb, ndodheshin para tri opsioneve mbi të ardhmen e tyre: 1. Emigrimi si mundësi për të shpëtuar nga gjendja e rëndë me shpresën për një jetë më të sigurt; 2. Organizimi i një kryengritje si shans i fundit për t’u çliruar nga dhuna e përditshme ose përfundimisht për t’u flijuar në trojet e veta; 3. Asimilimi ose serbizimi, që nënkuptonte pranimin e pushtimit dhe administrimit mbretëror serb me të gjitha dispozitat e tij politike, ekonomike, shoqërore e kulturo-arsimore. Kjo situatë e rëndë e përcolli edhe Gjilanin e viset përreth, popullsia e të cilit në strukturën etnike përbëhej nga shumica shqiptare.
Historiografia serbo, duke anashkaluar veprimet e dhunshme të pushtetit mbretëror serb në Kosovë, priret që shkaqet e emigrimit masiv të shqiptarëve nga Kosova ti shoh të nxitura nga faktorë të brendshëm e të jashtëm. Ndër arsyet kryesore që ajo u vë theksin këtyre shkaqeve janë: përkatësia fetare myslimane e shumicës shqiptare, e cila nuk do të mund të qeverisej nga një pushtet jomysliman; lidhjet fisnore shqiptare, të cilat zhvilloheshin të ndërthurura e të pandara në një territor homogjen; krimet e kryera nga myslimanët ndaj popullatës ortodokse në kohën e Perandorisë Osmane; borxhet e pashlyera etj. Mirëpo, bazuar në dokumentacionin e kohës, burimet e publikuara dhe studimet përkatëse, shkaqet themelore që nxitën dhe forcuan dukurinë e emigrimit ishin: pasiguria e terrori i vazhdueshëm, presioni i taksave, rekuizimi, grabitja e tokës, shtypjes e diskriminimi kombëtar, kulturor dhe aktet e gjenocidit ndaj shqiptarëve.
Synimi i politikës mbretërore serbe ishte, që përmes formacioneve ushtarake e administrative të përdorte mjetet e metodat më të ashpra të presionit e dhunës, të cilat manifestoheshin me vrasje e masakra dhe në këtë mënyrë të nxisnin konsekuenca të tjetërsimit e ndryshimit të strukturës etnike të popullsisë së Kosovës, e cila dominohej nga shqiptarët. Organizimi i grupeve komite serbe, të cilat përkraheshin dhe trajnoheshin nga organet shtetërore, ndikoi që ato të ndërmerrnin aksione ndaj familjeve dhe pronave të shqiptarëve me qëllim grabitjeje, terrori dhe masakrimi. Gazeta proqeverita serbe “Politika”, më 8 mars 1914, shkruante ndër të tjerash se “shqiptarëve nuk u mjafton dajaku”. Për mizoritë e pushtetit mbretëror serb në Kosovë, shtypi shqiptar i kohës shkruante: “Shpijat janë t’rrënueme me mija, graat janë t’dhunueme e mandej t’mytuna, fmiit e pleqt janë t’shkyem gjallë!…”. Prandaj, vështruar në aspektin e sigurisë, popullsia shqiptare nuk ndihej dhe as nuk ishte e sigurt të jetonte dhe qëndronte e kërcënuar në Kosovë nën atmosferën e përligjur e të vazhdueshme të vrasjeve, masakrave dhe akteve të gjenocidit që ushtrohej ndaj saj.
Në kuadër të zhvillimit ekonomik, presioni i pandërprerë i taksave jashtëzakonisht të rënda, ku autoritetet administrative peshën kryesore të veprimtarisë e koncentronin në vjeljen arbitrare të tyre dhe gjobave në të holla, e rrezikonin bazën dhe sigurinë elementare ekonomike të shqiptarëve. Ndër këto taksa ishte edhe ajo e “ndihmës” (“pomoç”), e cila përpos të rriturve përfshinte edhe fëmijët, ndërsa vlera e saj arrinte shifrën e 24 dinarëve për kokë banori. Duke vënë në krye të organeve ushtarake dhe administrative në Kosovë njerëz të papërvojë dhe me nivel të ulët administrativ, pushteti mbretëror serb kishte përhapur dhe lejuar dukurinë e korrupsionit deri në atë shkallë sa nuk ishte zhvilluar më parë. Edhe burimet e fitimit shteroheshin, ndërsa tregtia, e cila i siguronte mjetet e jetesës një pjese të popullsisë, tashmë kishte stagnuar dhe si pasojë ishte përhapur shtrenjtimi i përgjithshëm. Krahas elementit serb, shqiptarët ishin të detyruar të paguanin taksën e doganimit të mallrave si një veprim i shfrytëzimit sistematik të tyre. Pronat dhe pasuritë e tyre përdoreshin e shfrytëzoheshin edhe për nevoja të ushtrisë. Atyre u mungonte ushqimi, veshmbathja e strehimi dhe nuk u lejohej të ushtronin besimin e tyre në mënyrë të qetë, ndërsa shkollat ua kishin mbyllur, duke i detyruar t’i ndiqnin shkollat e porsahapura serbe.
Përballë kësaj situate, një numër i madh shqiptarësh, ndonëse shfrytëzoi të gjitha alternativat e protestave nga ato paqësore deri te revoltat e armatosura, përfundimisht zgjodhi dhunshëm të emigronte drejt Turqisë. Kësisoj, kundër shqiptarëve u zbatua një politikë shtetërore e cila motivoi emigrimin. Përmes organeve të autoriteteve lokale ushtarake e administrative, si dhe një numri të elementit minoritar serb në Kosovë, Mbretëria e Serbisë nisi të monitoronte dhe inkurajonte hapur procesin e braktisjes së imponuar të shtëpive dhe pasurisë së tundshme e të patundshme të shqiptarëve. Me anë të shpalljeve publike e tellallit ato njoftonin se të interesuarit për emigrim nuk do të përballeshin me telashe për t’u pajisur me certifikata të vlefshme (pasaporta) udhëtimi, të cilat lëshoheshin në mënyrë të paligjshme pasi të interesuarit të jepnin si shpërblim një bakshish në vlerë prej 15 dinarësh, pasi të pagunin taksat e prapambetura dhe përfundimisht vetëm pasi të bënin dorëzimin e tapive të pronave të tyre, të cilat i shitnin me një çmim fare të vogël (8 dinarë për një dynym tokë). Shitja e pronave kalonte nëpër cikle të ndryshme pagesash, të cilat hëpërhë nënkuptonin një plaçkitje të drejtpërdrejtë. Detyrimi i dorëzimit të tapive të pronave të patundshme shprehimisht paraqiste uzurpimin e tyre dhe për më keq pamundësinë e kthimit në të ardhmen të shqiptarëve në atdheun e tyre. Mirëpo, krahas këtyre parregullsive, shqiptarët detyrimisht ishin të kënaqur nëse nga pasuria që shitnin arrinin të siguronin një shumë të vogël parash sa për të siguruar shpenzimet e udhëtimin dhe përkohësisht çështjen e banimit në adresën e emigrimit. Ky proces përfshiu struktura të ndryshme të popullsisë si: zanatçinj, tregtarë, zotërues pronash të mëdha, agallarë e bejlerë, mirëpo masën kryesore të këtij procesi e përbënte fshatarësia, pronarët e vegjël të lirë dhe akoma më shumë fshatarët e varfër.
Në Gjilan dhe viset përreth, në pranverë të vitit 1914, popullsia shqiptare kishte filluar të emigronte në masë të madhe në drejtim të Turqisë, sado që bëheshin përpjekje për ta penguar këtë eksod, i cili potencialisht rrezikonte shpopullimin shqiptar të kësaj treve. Shtypja e përgjithshme dhe e pandërprerë që ajo po përjetonte nga ana e pushtetit mbretëror ushtarak dhe administrativ serb, nxiti që për këtë çështje të ankoheshin edhe krerët shqiptarë të këtyre viseve si Idriz Seferi, Said Aga, Hoxhë Myslim Efendiu e Shukri Efendiu. Ata, jo vetëm se bënë përpjekje për ta penguar procesin e emigrimit të shqiptarëve nga Gjilani e viset përreth, por përmes inspektorit të policisë, Ceroviq, i dërguan një letër princit trashëgimtar serb, Aleksandër Karagjorgji, me anë të së cilës shprehnin gjendjen e vërtetë dhe situatën e pakënaqshme tek banorët e kësaj treve. Mirëpo, qeveria serbe nën drejtimin e Nikolla Pashiq, duke i vlerësuar të parëndësishme, nuk u përgjigjej fare ankesave të shqiptarëve, por përkundrazi i kalonte ato në heshtje të plotë.
Në bazë të informacioneve të përditshme që siguronin qarqet diplomatike të kohës, fluksi i emigrantëve shqiptarë nga rrethina e Gjilanit në veçanti dhe Kosova në përgjithësi ishte aq i lartë sa rrezikonte zbrazjen etnike nga shqiptarët. Pothuajse 1000 familje në muaj, që vinin nga këto treva kalonin Shkupin drejt Turqisë, por edhe në këmbë drejt Bullgarisë për në Edrene. Këto familje, sapo arrinin në Shkup prisnin në stacionin e trenit dhe kalonin natën në të ftohtë, duke qëndruar mbi vagonë dhe pa kurrfarë ndriçimi. Kjo shkallë emigrantësh nga i gjithë territori i Kosovës për çdo vit arrinte deri në 36.000 familje ose 180.000 vetë. Burimet e kohës pandehnin se procesi i emigrimit, si platformë e orkestruar nga pushteti mbretëror serb, viseve të “Kosovës mund t’i hiqte 70% të banorëve”. Edhe pse është e vështirë të saktësohet numri i përgjithshëm i eksodit shqiptar drejt Turqisë, si nga Gjilani dhe rrethina e tij, por edhe nga e tërë Kosova, në bazë të hulumtimeve dhe studimeve përkatëse ndërmjet viteve 1912-1914 nëpër portin e Selanikut nga viset e Kosovës dhe më gjerë kanë kaluar për në Turqi më shumë se 300.000 shqiptarë.
Mbretëria e Serbisë i kompensonte dhe kompaktësonte vendbanimet dhe pronat e shqiptarëve me elementin minoritar serb në Kosovë, por edhe me kolonë serbë nga viset qendrore të saj, nga Mali i Zi, Bosnja, Hungaria madje edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo nisi të hartonte urdhëresa mbi kolonizimin e viseve të Kosovës. Investimin që qeveria serbe (Ministria e Ekonomisë) do ta bënte për realizimin e këtij projekti, përcaktonte se çdo kolonizator mashkull (mbi 15 vjeç), përfshirë edhe serbët e Mbretërisë, do të merrte 1-5 hektarë arë madje edhe më tepër. Realizimi i këtij projekti parashihej të niste në shtator të vitit 1914. Ky program entuziazmoi popullsinë serbe gjithandej. Serbët nisën të ndërmerrnin turne nëpër viset e Gjilanit, Mitrovicës, Prishtinës, Shkupit e Kumanovës me qëllim përzgjedhjeje të parcelave të tokave e vendbanimeve shqiptare që ata i konsideronin më të përshtatshme për t’i kolonizuar dhe përvetësuar. Mirëpo, fillimi i Luftës së Parë Botërore ndërpreu përkohësisht procesin e emigrimit të shqiptarëve, tjetërsimit etnik dhe kolonizimit serb të Kosovës.