Libri

STUDIM SA I VEÇANTË PO AQ I RËNDËSISHËM

Ajete Zogaj

/Arsim Halili, “Rrëfimi poetik në tri romane të Anton Nikë Berishës”. Studim. Botoi Sh .B. “Beqir Musliu” Gjilan 2024/

“Leximi – ja, ky është mësimi më i mirë. Të shkosh pas gjurmëve të mendimit të një njeriu të madh – kjo është shkenca më e dobishme.” A. Pushkini

“Misionari” i pasionuar për letërsinë

Studimi “Rrëfimi poetik në tri romane të Anton Nikë Berishës” i autorit Arsim Halili, është sa i veçantë po aq i rëndësishëm për njërin ndër shkrimtarët më prodhimtarë në letërsinë shqipe, Anton Nikë Berishën.

E veçanta e këtij studimi është qasja teorike që autori Halili u bën teksteve të romaneve “Bimorja”, “Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar” dhe “Ferri i lodhur”, duke hedhur dritë në rrafshin teorik të poetikës së tyre.

Me studimin e vet Arsim Halili dëshmon se u ka bërë një lexim të kujdesshëm këtyre romaneve, duke depërtuar thellë në botën krijuese dhe në thesaret poetike që mjeshtërisht janë skalitur nga pena e këtij romansieri.

Autori ka qenë i vetëdijshëm se hartimi i studimit s’ka qenë punë e lehtë, por ai sikur ka vendosur që të shkojë, siç thoshte Pushkini, pas gjurmëve të mendimeve të mëdha, për të sjellë një studim të dobishëm, i cili do t’u shërbejë studiuesve të veprës së Anton Nikë Berishës, veçmas atyre që do t’u qasen romaneve të tij.

Qasja interpretuese mbështetet në dukuri teorike të studiuesve të njohur të letërsisë mbi të cilën autori, Arsim Halili, e mbështet studimin e tij, duke u ndalur në elementet artistike e stilistike që i cilësojnë tekstet e romaneve, sidomos gjuhën e pasur me fjalë e shprehje burimore, pastaj çështje të analizave narrative, koha si nocion narrativ, harmonizimi dhe përballja e personazheve, kodet poetike e sistemi rrëfimor, prania e autorit si rrëfimtar, problemet retorike në rrëfim, masat kohore, dhe elemente të tjera të interpretimit teorik të tri romaneve, janë një pasuri e këtij studimi, ku autori i ka trajtuar në mënyrë argumentuese duke u mbështetur në tekstet e romaneve dhe duke i konkretizuar me qenësinë e botës poetike të tyre.

I strukturuar në tetë kapituj, studimi i Arsim Halilit “Rrëfimi poetik në tri romane të Anton Nikë Berishës” është një studim serioz dhe mjaft i kompletuar. Në të janë vështruar aspekte të prozës dhe mendime e vlerësime të zgjedhura jo vetëm të autorëve shqiptarë, por edhe të huaj që janë marrë me studimin e veprës së autorit të romaneve. Kështu, albanologu dhe profesori i shquar universitar, arbëreshi Françesk Altimari, e vlerëson veprimtarinë e Berishës si dashuri “misionare” për letërsinë shqiptare . Pra, nëse kjo botë letrare sot është më e afërt dhe më përfillëse sesa ishte dje, shkruan ai, merita i përket edhe Antonit me veprën e tij të frytshme të “përkthimit” e të ndërmjetësimit të pareshtur, që është shprehur dora-dorës midis Italisë dhe Ballkanit, midis Kalabrisë dhe Kosovës, me të cilin veprim në këto dyzet vjet ka ndërtuar një urë të qëndrueshme të ballafaqimit, duke nxitur një këmbim autentik të vlerave e të kulturave midis këtyre realiteteve, që falë pikërisht atij sot janë më pak larg njëra- tjetrës”

Mjaft domethënës është edhe vlerësimi i Anton Çefës rreth krijimtarisë së Anton Nikë Berishës, të cilin e sjell Arsim Halili në studimin e tij: “Tek personaliteti i Anton Nikë Berishës është mishëruar në mënyrë të përsosur njohja dhe interpretimi teorik i problemeve të artit letrar në kompleksitetin e tyre, talenti i padiskutueshëm dhe aftësitë e tij të çmuara në krijimin e realiteteve artistike që përsëdytin me mjeshtëri realitetet historike të botës shqiptare, pa lënë mangut dimensionet humane.[…] Te Antoni ka gjithnjë një “e tjerë”

Vështrimi analitik i kodeve poetike të romaneve “Bimorja”, “Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar” dhe “Ferri i lodhur”, sipas autorit Arsim Halili, vë në dukje punën e vëmendshme të romansierit me tekstin letrar që “realizohet me një tog konceptesh të qarta”.

Për studiuesit Halili, proza e Anton Nikë Berishës, përmes modalitetit narrativ, dëshmon diskursin e pasur poetik, kompleton vijën e tekstit, si dhe ka përmasën e poetizimit dhe shtresës lirike që përbëjnë vlera të veçanta të teksteve të romaneve përkatëse.

Poetika si element qenësor

Duke i analizuar me kujdes tekstet e tri romaneve të Anton Nikë Berishës, Arsim Halili me të drejtë thekson se poetika që i përshkon tekstet e tyre është element kryesor, ku përmes teksteve poetike shprehen skenat dramatike të rralla, siç ngjet te romani “Bimorja” me rastin e zhvarrimit të Pjetër Bogdanit ose skena e kuvendimit me lëkurën e gjarprit në malin e djegur te “Gjin Brdhela i arbresh& Etja e gurëzuar”.

Pra, sipas studiuesit Halili, gjuha poetike e romaneve të përmendur është një dukuri që shndërrohet në sistem vlerash të ngritura dhe përcakton rëndësinë e tyre.

Arsim Halili vë në dukje se diskursi poetik dhe kodi poetik janë bashkë dyzuar në tri këto vepra në prozë, që në rrjedhën e ngjarjeve dhe të zhvillimeve kohore, sikur e ndalojnë dhe ngurtësojnë kohën, ndërkaq që elementet e legjendave dhe baladave shqiptare janë ndërthurur bukur në tekstet përkatëse, gjithnjë në shërbim të së bukurës që dëshmohet në romane. Të gjitha këto së bashku në këtë studim shpalosin botën postmoderniste të tri romaneve.

Edhe te romani “Ferri i lodhur” autori trajton elementet e ndërthurjes së mitikes e të përfytyrimit, shtresimet ligjërimore të pësimeve të luftës, humnerat e shpirtit të personazheve, me elemente ndërtekstuale dhe hipertekstuale, ku janë ndërlidhur teksti rrëfimor me tragjedinë bashkëkohore kosovare me tragjedinë antike eskiliane. Në roman janë marrë në shqyrtim edhe paratekstualiteti dhe periteksualiteti, si dy tipa të përbërjes intertekstuale.

Qasjen e rrëfimit në tri romanet e Anton Nikë Berishës autori i këtij studimi e ka vënë në analogji me konceptet teorike të artit të teoricienëve botërorë Aristoteli, Platoni, Tzvetan Toodorovi etj. Ai thotë: “Në pikën e parë të çështjes duhet të pajtohemi se tri romanet e Anton Nikë Berishës janë digjetikë; secila nga këto tri vepra ka rrëfimin në relacion me tri kohët që i klasifikon Todorovi” (tri kategori të kohës: marrëdhënien midis kohës, historia dhe diskursi) .

Në studim janë dhënë shembuj nga romanet “Ferri i lodhur” dhe “Gjin Brdhela i arbresh& Etja e gurëzuar” ku personazhi Sutë Sutorja dhe Gjin Bardhela janë intradigjtikë, rrëfejnë ngjarjen dhe marrin pjesë aktive në ngjarje. Te romani “Bimorja” protagonisti narrator nuk merr pjesë aktive në ngjarje, por vetëm përmes formës pasive – epistolare, kurse zëri i brendshëm i autorit bartet tek personazhet. Arsin Halili shkruan: “Autori i romaneve “Ferri i lodhur” dhe “Gjin Badhela i arbresh & Etja e gurëzuar” e krijon agjentin e tij” , e bart këtë narrativë nga vetja pra “unë” tek zëri fiktiv që mund të identifikohet me “unë”.

Në studim janë trajtuar gjithashtu çështje të shumta teorike si: komentet jorrëfimore, komentet jonarrative, motivimi dhe funksioni retorik, të shikuarit, të folurit, të vepruarit, hapësira motivuese, pastaj sistemi i figurave stilistike, zbatimi retorik rrëfimor, përmasa kohore në rrëfimësi, përcaktimi i kohës referenciale, rrëfimi i formës mitologjike, krijimi i të bukurës brenda linjës rrëfimore, hapësira, koha, vendi, eksterieri, riprodhimi i rrëfimit, filozofia e ndërtimit të personazheve, veçantitë e personazheve, simbolika e vdekjes, elementi predikues, vrasja e grave shtatzëna, vrasja në masë etj. Këtyre veçorive të tekstit poetik të romaneve të Anton Nikë Berishës, Arsim Halili u është qasur me shumë përkushtim, duke sjellë një interpretim të veçantë. Këto fakte të shoshitura mjeshtërisht dhe të argumentuara, janë një vlerë e shtuar e këtij studimi.

Në përmbyllje të këtij teksti, po sjell një vlerësim të autorit të studimit për tri romanet: “Nga e gjithë ajo që kam thënë në studim rrjedh se Anton Nikë Berisha, mbetet njëri prej përfaqësuesve që romanin nuk e shkruan vetëm sa për t’i mbushur ca faqe përshkrimi tematik të një ngjarje të caktuar, por me elementet postmoderniste i riaktualizon çështjet që në dukje kohore duken se kanë një baras largim nga ajo që mund të vrojtojmë me syrin e së tashmes. Thënë përmbledhtas, tri romanet e Anton Nikë Berishës “Bimorja” Gjin Bardhela i arbresh& Etja e gurëzuar” dhe “Ferri i lodhur” dëshmojnë një botë poetike sa të pasur po aq të veçantë e të rëndësishme, që kur i lexon vetvetiu të bëhen pjesë e shpirtit. Së paku tek unë ndodhi kështu.”

Nisur nga mendimi i lashtë grek se “I mirë është ai libër, ku autori thotë atë që duhet dhe ashtu si duhet”, mund të themi bindshëm se Arsim Halili në studimin e tij “Rrëfimi poetik në tri romane të Anton Nikë Berishës” e ka thënë atë që duhet dhe ashtu siç duhet për botën poetike të tri romaneve të autor Anton Nikë Berishës, dëshmi e pasurisë dhe e vlerave të letërsisë shqipe.

You Might Also Like