Është mbajt takimi përgatitor i Grupit Punues për konsultime publike me përfaqësues të këshillave të fshatrave, subjekteve politike dhe shoqërisë civile, para fillimit të buxhetimit me pjesëmarrje për vitin 2025.
Kryesuesja e grupit Arbenita Sopi, Haziri, drejtoresh e Administratës, tha se pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e qytetarëve në vendimmarrje lokale sigurohet përmes buxhetimit me pjesëmarrje, duke rritur transparencën në ndarje të fondeve dhe përfshirjen e komunitetit dhe qytetarëve në planifikim.
Ajo tregoi, se për të tretin vit me radhë, Komuna e Gjilanit fillon përgatitjet dhe organizimin e konsultimeve publike, me takimin e planifikuar me grupin punues, për të vazhduar më pas me takimet me qytetarë.
“Në buxhetimin me pjesëmarrje për vitin 2025 do të marrin pjesë katër lagje të qytetit, dy fshatra më të mëdha në numër të banorëve, një fshat i vogël dhe në distancë nga qendra, dhe grupi i grave”, tha Sopi Haziri.
Drejtoresha e Administratës, theksoi se fondet për tetë projektet ku për secilin vlera është deri nga 50 mijë euro, që dalin nga ky proces i buxhetimit, do të rriten nga 280 mijë euro sa ishin vitin e kaluar në 400 mijë euro për vitin 2025.
Ajo tregoi edhe oraret e konsultimeve publike me qytetarë të cilat nisin nga data 14 deri më 23 maj në takimet e para, ku qytetarët do të kenë mundësinë të propozojnë projektet për lokalitetet e tyre.
Ndërsa në fazën e dytë nga data 26 deri më 30 maj përmes procesit të votimit, qytetarët do të votojnë dhe vendosin për projektin që do të përfshihet në buxhetin e komunës.
“Për të siguruar transparencë dhe shpërndarje të drejtë të fondeve dhe organizim e përfshirje sa më të gjerë, janë të domosdoshme kriteret mbi bazën e të cilave planifikohet buxhetimi me pjesëmarrje”, tha Sopi Haziri.
Sipas saj synim i përhershëm është rritja e numrit të qytetarëve në vendimmarrje, gjithë përfshirja, llogaridhënia dhe transparenca në ndarjen e fondeve.
Nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku, tha se llogaridhënia dhe transparenca po vazhdon të ofrohet nga institucionet lokale dhe këtë po e tregon më së miri buxhetimi me pjesëmarrje.
“Për herën e tretë po realizohet buxhetimi me pjesëmarrje. Qytetarët duhet të jenë më aktiv dhe më të zëshëm”, tha Morina Bunjaku.
Nënkryetarja kërkoi nga qytetarët që të bëhen pjesë e vendimmarrjes, sepse këto projekte bëhen për qytetarët.
Derisa edhe të pranishmit kanë dhënë mendimet e tyre lidhur me buxhetimin e me pjesëmarrje.