Autore:
Jona Kallaba dhe Kledia Mehmeti
Epidemia është dukuri e përhapur e një sëmundjeje infektive në një komunitet për një kohë të caktuar, kurse përhapja e saj në shkallë ndërkombëtare quhet pandemi.
Së fundmi bota është kapluar nga një pandemi si pasojë e virusit COVID-19 apo i njohur si Korona Virusi gjë që ka shkaktuar probleme dhe ndryshime gjithkund. Rasti i parë i infektuar me këtë virus u raportua në Wuhan, Kinë, në Dhjetor 2019, duke vazhduar pastaj përhapjen me ritëm shumë të shpejtë. Fillimisht ishte e vështirë për t’u diagnostifikuar për shkak të shumë paqartësive rreth saj, mënyrës së përhapjes dhe origjinës. Simptomat më të shpeshta në fillim ishin: temperatura, e kollitura, vështirësi në frymëmarrje, humbja e shijes dhe nuhatjes të cilat fillonin 1-14 ditë pas infektimit. Individët mund të infektoheshin apo t’a bartnin atë pa vetëdije me anë të prekjes (përshëndetjeve me shtrëngim dore, përqafimeve), kontaktit të afërt apo thjeshtë gjatë përdorimit të mjeteve në të cilat kishte më shumë se një person akses.
Tashmë këto simptoma kanë pësuar ndryshime, duke u bazuar në të dhënat e faqes zyrtare të Shtetit të Kosovës rreth virusit (https://kosova.health/) ato më të zakonshmet janë: ethet, lodhja dhe kolla e thatë, disa mund të kenë edhe dhimbje fyti, zënie të hundës, rrjedhje hundësh ose barkqitje që shfaqen gradualisht. Ka edhe raste ku individë të ndryshëm mund të jenë të infektuar por të mos kenë as edhe një simptomë. Rreth 80% e kalojnë lehtë dhe pa trajtim të veçantë. Më të rrezikuarit nga kjo pandemi janë njerëzit e moshuar dhe ata me probleme kronike mjekësore si: presioni i lartë i gjakut, problemet e zemrës ose diabeti! Kjo faqe e ministrisë gjithashtu mundëson komunikimin me “mjek virtual” ku ka një pyetësorë që mundëson krahasimin e simptomave tuaja me ato të virusit. Masat parandaluese për të cilat tashmë çdo kush është i informuar, janë: larja e duarve, shmangia e prekjes së syve, hundës dhe gojës si dhe mbajta e distancës.
Në Kosovë më 20.12.2020 pati mbi 12000 raste të konfirmuara dhe gati 500 të vdekur numër që mëpas është rritur edhe më shumë. Në tentim të uljes së numrit të të prekurve shtete të ndryshme kanë marrë masa të ndryshme si: mbyllje totale e popullsisë (karantinim), kufizimi i lëvizjes, mbyllje e bizneseve, shkollave dhe anulimi i organizimeve të mëdha, si pasojë e së cilave ka pasur probleme të shumta ekonomike por sidomos në fushën e arsimit.
Shkollat vendosën mbylljen në datën 12.03.2020 në përpjekje të mbajtjes së sigurisë për nxënësit, me besim se kjo mbyllje do zgjaste jo më shumë se dy javë, por fatkeqësisht ai vit shkollor u përfundua virtualisht.
Kosova nuk është shteti i vetëm që ka mbajtur mësim virtual (online) por duke marrë parasysh gjendjen ekonomike të popullsisë dhe mungesën e trajnimeve adekuate të mësimdhënësve për mësimdhënie nga shtëpia si dhe platforma me të meta, ky mësim nuk ka rezultuar dhe aq i suksesshëm.
Komuna e Gjilanit ka krijuar platformën https://mesojmengashtepia.com ku mësimdhënësit nga shkolla të ndryshme të kësaj komune kanë publikuar mësimet dhe detyrat që nxënësit është dashur të i përcjellin. Për shkak se kjo platformë është krijuar në një kohë të shkurtër ka pasur edhe të meta si: mosardhja e njoftimeve në raste postimi, mungesa e hapësirës që nxënësit të dorëzojnë detyrat dhe mungesa e një platforme të vetme për mbajtjen e mësimit me video pasi përdorimi i dy e më shumë mënyrave të komunikimit si “Google Meet”, “Zoom”, “G-mail”, “Viber” etj., ka krijuar një lloj kaosi duke penguar kështu ndjekjen e ligjëratave.
Përpos mangësive të mësipërme ka pasur edhe tjera pengesa teknike si mungesa e pajisjeve (llaptopave, rrjetit) për vijim të mësimit apo edhe hapësira jo e qetë në shtëpi, si shkak i së cilave shumë nxënës kanë humbur orë të shumta mësimore.
Humbja orëve nuk ka përfunduar me kthimin e nxënësve në shkolla në shtator për shkak se shumë të tillë, madje edhe mësimdhënës, kanë qenë në izolim (me simptoma, të testuar apo edhe negativ por me pjesëtar pozitiv/testuar). Duke ditur se mësimi në shkollat publike të Kosovës është mbajtur me orar të përgjysmuar, një javë po dhe një javë jo, nxënësit kanë humbur më shumë se gjysmën e planprogramit që në kushte normale do të duhej të e mësonin.
Nga statistika të marra nga IRSHPGJ, ku përfshihen komunat e Gjilanit, Kamenicës dhe Vitisë, janë testuar gjithsej 1025 mësimdhënës dhe 363 nxënës, kurse pozitiv 302 mësimdhënës dhe 49 nxënës. Pas testimit të gjithë janë në izolim deri në pranim të rezultatit, si dhe në një familje mjafton një anëtar pozitiv që të izolohen gjithë familjarët, këto kanë bërë që shumë nxënës edhe nëse nuk kanë qenë pozitiv prapë të humbin orë si pasojë e virusit.
Në një pyetësorë të formuluar nga ne për sfidat gjatë pandemisë, kryesisht shënjestër i të cilit ishte grumbullimi i përvojave personale të popullsisë nga komuna e Gjilanit, sidomos nxënësve dhe mësimdhënësve. Në pyetjen se sa sfiduese ka qenë pandemia për ta 36.6% janë përgjigjur me “mesatarisht” kurse 31.7% me “mjaft shumë”. 79.3% pohuan se nuk punonin me aq vullnet sa më parë nga të cilët 69.8% kanë punuar nga shtëpia. Nga të intervistuarit 23.4% nuk kanë pasur mjetet e nevojshme kurse 28%-ve i ka munguar një hapësirë e qetë dhe e rehatshme. Vetëm 6.1% mohojnë se kanë hasur në probleme teknike. Nga gjithë ata vetëm 18.3% preferojnë punën nga shtëpia duke na lënë të kuptojmë se pjesa më e madhe nuk kanë pasur eksperiencë të kënaqshme gjatë punës nga shtëpia, 47.6% e kanë vlerësuar si jo efikase. Gjatë grumbullimit të mendimeve personale shumica janë shprehur se e vetmja arsye që do preferonin mësimin nga shtëpia është siguria nga virusi kurse çdo gjë tjetër e mendojnë si problem. Shumica mendojnë se shteti duhet të i siguroj të gjithë laptopët, trajnimet dhe platformat.
Pra, nga gjithë informatat e mbledhura mund të dalim në përfundim se mësimi virtual ka shumë mangësi megjithëse është më i sigurt gjatë situatës në të cilën ndodhemi. Shteti ka nevojë që t’i kushtoj kujdes të veçantë arsimimit gjatë pandemisë, të mbaj trajnime adekuate për mësimdhënës, të krijojë një platformë të sigurt dhe të kompletuar si dhe të siguroj pajisjet e nevojshme.
20.12.2020
Referencat:
IRSHPGJ: Dr. Tanushe Kallaba (specialiste e ekologjisë humane) , Dr. Burbuqe Shkodra (specialiste e epidemiologjisë).