Arti pamor

Avni Behluli me ciklin “Udhëtim nëpër ëndërr” mahniti me ekspozitën e tij në Shkup

Ditë më parë në Shkup, në Galerinë e Qendrës Informative Kulturore, është hapur ekspozita e artistit të mirënjohur kosovar, Avni Behluli, e titulluar “Udhëtim nëpër ëndërr”, e cila ka zgjuar interesimin e artdashësve nga të gjitha trojet shqiptare.

Avni Behluli, veprat e të cilit tashti gjenden kudo nëpër galeri-muze të vendeve të ndryshme, është edhe fitues i shumë çmimeve me karakter kombëtar e ndërkombëtar, kurse ky artist i gjithanshëm është pjesëmarrës i shumë kolonive artistike kudo nëpër botë.

Reshat Ameti, profesor universitar, ka thënë se Avni Behluli, në krijimtari nuk kufizohet vetëm në skulpturë, por krijon edhe në lëmin e pikturës, grafikës dhe realizime të shumta dhe të suksesshme në vizatim.

“Në këtë ekspozitë, Behluli dëshmon se është njohës i shkëlqyeshëm i vizatimit. Vizatimet e prezantuara në këtë ekspozitë janë me motive që burojnë nga realja, duke e evoluar atë në realitetete të botës asociative e në disa raste edhe deri në abstrakcion”, ka theksuar Ameti, që ka shtuar se me ketë ekspozitë Behluli dhuron edhe një përjetim të fuqishëm artistik dhe se në rrugëtimin e tij artistik vazhdon me ritëm krijues edhe me prezantime të reja në rajon e në botë.

Në lidhje me krijimtarinë artistike të Avni Behlulit, është paraqitur edhe publicisti Emin Azemi, i cili Avni Behlulin e ka cilësuar mjeshtër të determinanteve poetike – figurative. Ai përkitazi me hapjen e ekspozitës individuale të artistit figurativ nga Gjilani, Avni Xh. Behluli në galerinë e QIK, në Shkup, ka dalë me një vështrim kritik të plotë, i cili është botuar në gazetën  “Koha” e të cilin po e botojmë të plotë:

Para nesh ndodhet një opus mjaft dinamik vizual që përshkon një trajektore të gjatë figurative-estetike të artistit Avni Behluli, e cili kësaj radhe bëhet pjesë e një ‘Udhëtim nëpër ëndërr’ për të mbërri deri në Shkup, ku edhe po na surpizon me një ‘Simfoni arti’,përmes 40 punimeve dhe një instilacion, që të gjithëve na kthen në fëmijëri, atëherë kur lodrat i kishim të pakta, mirëpo ishte kolovajza ( hulaqka), kryevepra e dikurshme e diznilendit tonë. Këtu nuk mungon edhe ndonjë detaj nga instrumentet muzikore.

Mjeshtëria e Avni Behlulit nxjerr në pah kreativitetin e një metode mjaft të avancuar krijuese, ku dominojnë teknikat tush-pendë dhe të kombinuara, në pëlhurë dhe në letër, kurse tek grafika ai përdor gjilpërën e thatë, si mjetin më adekuat prej ku mund të identifikojmë shprehjen specifike të një gjuhe  figurative e cila nxjerr në pah gjithë ndjeshmërinë poetike të njeriut në lëvizje.

Në këtë ekspozitë me grafika dhe vizatime, Avni Behluli  vjen vetëm me një pjesë të opusit të tij krijues, për arsye se gama e afiniteteve të tij figurative është më e gjerë dhe kryesisht te ai dominon pasioni për skulpturën, ku edhe kredoja e tij krijuese përplotësohet me pritjet që ai ka patur si autor, duke realizuar një numër të madh veprash skulpturore që për bazë kanë pasur figura të shquara kombëtare e kulturore.

Në këtë shpalosje artistike para nesh, Avni Behluli ka zgjedhur një cikët veprash figurative, përmes të cilave ai edhe njëherë dëshmohet si njohës i mirë i natyrës së njeriut, i filozofisë së tij dhe i gjithë asaj që atë e bën të vuaj apo të jetë i lumtur. Njeriu i Behlulit është kërkues, gjithnjë në lëvizje dhe kjo nuk do të mund të dihej nëse nuk do të ndesheshim me prirjen e tij për të shpalosur prejardhjen mitike të gjallimit njerëzor, atëherë kur hiri dhe zjarri luftonin me ujin për të shpëtuar të ardhmen e njerëzimit. E bukura që kap dimensione mitike këtu ngërthen sensin e perceptimit të vazhdimësisë jetësore dhe ky është në fakt edhe lajtmotivi i angazhimit krijues të autorit në këto vepra.

I ardhur nga një shkollë mjaft të shquar figurative, Avni Behluli mori me vete porositë më të çmuara të pedagogëve të tij, për të përsosur vokacionin e tij krijues me mbindërtime metodash e stilesh të cilat në vitet e mëvonshme u bënë shenja identifikuese të një profili që po e krijonte poetikën e tij të veçantë, si në metodologjinë e punës, ashtu edhe në perceptimin e temave e ideve.

Një pjesë të udhës së tij krijuese e ndeshim edhe në këtë ekspozitë, por kësaj radhe me një përzgjedhje pak më specifike që autori ka dashur ta shpalos mimesisin e tij figurativ përmes një bote të brendshme që syri i rëndomtë i njeriut nuk arrin dot ta kap. Kjo imanencë e brendshme e tij do ta shoqërojë gjatë Avni Behlulin, sepse aty ai e gjen veten dhe përmes kësaj bote ai e identifikon edhe këndin e observimit  të gjërave, sendeve, ndjenjave, krajatave, gëzimeve e mbi të gjitha do ta identifikojë natyrën njerëzore si përsosje gjeniale e kuptimësisë mbi jetën dhe vazhdimësinë e saj.

Një artist nuk shquhet vetëm për punën që bën. Mbi të gjitha ai shquhet për raportin që ai vendos me temat e motive, të cilat i transponon në letër, pëlhurë, gurë apo dru. Avni Behluli bën pjesë në grupin e atyre krijuesve të rrallë që nuk vrapon pas temave të mëdha. Ai mjaftohet me një detaj në anatominë e brendshme të trupit të njeriut, duke veçuar zakonisht pjesë të ekstremtiteve të tij, sepse vetëm në këtë mënyrë kamera  vëzhguese e tij përmes mikroplanit nxjerr plotninë e paramenduar të eksplikimit të jashtëm poetik të natyrës njerëzore. Duke i ikur natyrizmit vulgar, Behluli na e ofron njeriun me detajet e tij, sepse vetëm kështu ai projekton gjithë potencën fizike e shpirtërore të njeriut. Për rrjedhojë këtu nuk mungon edhe lirizmi që buron nga ndjeshmëria e të qenit aktiv, shoqëruar me një figurë totemike që në këtë rast identifikohet me hulaqen, e cila bëhet pjesë integrale e udhëtimit të njeriut nëpër kohë dhe hapësirë.  Enterireri shpirtëror i natyrës njerëzore në këto punime del të jetë mjaft heterogjen në pikëpamje të gjetjes së sensit për të bukurën. Avni Behluli është mjeshtër i determinantve poetike të cilat i integron me gjeturi në botën e tij  figurative, duke mbajtur llogari gjithmonë për aspektet metodologjike të gjuhës figurative dhe elementeve përcjellëse që ai aplikon në punën e tij.

Urojmë që udha krjuese e Avni Behlulit të vazhdojë edhe pas kësaj ekspozite, me simfonitë e vijave, ngjyrave, e gdhendjeve që ai tash më i ka projektuar në laboratorin e tij krijues .

 

You Might Also Like