OPINION

Bektesh Rrudhani patriot që u sakrifikua në mbrojtje të Gjilanit

Shkruan: Mr. sc. Aliriza Selmani

aliriza

Njësitë partizane të Brigadës 25 të Divizionit 46 serb dhe Brigada e II e Kosovës sapo hynë në  Gjilan më 16 nëntor 1944m filluan plaçkitjet e shtëpive dhe vrasjet e shqiptarëve të pafajshëm me pretekst se ishin bashkëpunëtorë të okupatorit, e sidomos zgjidheshin intelektualë e patriotë, njerëz me autoritet etj., të cilët likuidoheshin pa gjyq.

Mospajtimet me riokupimin serb të Kosovës dhe masat e ashpra të terrorit të pushtetit komunist dhe të njësive partizan-çetnike serbo-malazeze ndaj popullatës shqiptare, bënë që rezistencës antikomuniste  demokratike shqiptare, e udhëhequr nga Shtabi i Zonës së IV të Mbrojtjes së Kosovës, i cili vepronte në kuadër të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, e që kishte për qëllim të mbrojë zonën Ferizaj-Gjilan- Kaçanik, në Kuvendin e Tërpezës më 1 dhjetor 1944, mori vendimin për lirimin e Ferizajt dhe Gjilanit. Në krye të shtabit për lirimin e Gjilanit ishin caktuar mulla Idrizi-komandant, Muharrem Fejza sekretar dhe Sylë Zarbinca e Shefki Hajdini anëtarë. Vrasjet e paligjshme në Gjilan e rrethinë, ku për çdo natë pushkatoheshin me dhjetëra shqiptarë të pafajshëm i shtyn forcat demokratike të rezistencës shqiptare që ta sulmojnë Gjilanin dhe t’i lirojnë të burgosurit. Sulmi në Gjilan u bë në mëngjesin e hershëm të më 23 dhjetorit 1944. Forcat çlirimtare arritën që ta pushtonin qytetin përveç ndërtesës së OZN-ës dhe këshillit Popullor të Rrethit. Njësitë e mbetura të Brigadës 17 Maqedonase të ndodhura në qytet në panik u tërhoqën nga pozicionet e veta dhe së bashku me to u tërhoq nga qyteti edhe udhëheqja politike e ushtarake e vendit, të cilët u vendosën në Kodrën e Dëshmorëve (Popovicë) dhe në parkun e qytetit për të pritur përforcimet nga Prishtina e Ferizaj. Njëri ndër pjesëtarët e lëvizjes së rezistencës shqiptare, i cili me vetëmohim dhe deri në sakrificë, kishte ndihmuar hyrjen dhe tërheqjen e forcave nacionaliste shqiptare nga Gjilani, më 23 dhjetor të vitit 1944, ishte Bektesh Rrudhani nga fshati Novosellë e Poshtme e Dardanës, banor në Gjilan. Sipas planit strategjik të mësymjes për çlirimin e Gjilanit, ditë më parë Bekteshi së bashku me disa të tjerë ishte futur ilegalisht në Gjilan, me detyrë për ta ndihmuar çlirimin dhe mbrojtjen e qytetit nga sulmet partizan-çetnike. Nga të dhënat dokumentare shihet se Bekteshi kishte pasur shtëpinë në pjesën veri-perëndimore të lagjes “Varoshi”, në Gjilan, pozicion nga i cili mund të shihej i tërë qyteti. Sipas detyrës së marrë, mitralozin e kishte vendosur në çatinë e shtëpisë, nga ku kishte ndihmuar hyrjen e forcave të rezistencës në qytet, duke shtënë kundër forcave armike të barrikaduara në qytet e përreth tij. Pjesëmarrësit e ngjarjeve të kohës, kanë dëshmuar se “mitrolozisti i vendosur në minaren e Xhamisë së Qendrës, si dhe ai në krye të “Varoshit”, (është fjala për Bektesh Rrudhanin A.S. ) na e kanë hapur rrugën që të futemi më lehtë në Gjilan”. Forcave partizano-çetnike të pozicionuara jashtë qytetit, dhe atyre të barrikaduara në qytet, kah mesi i ditës së 23 dhjetorit 1944, u erdhën përforcime ushtarake nga Prishtina e Ferizaj dhe nga fshatrat serbe të rrethinës. Këto forca kaluan në ofensivë dhe pas disa orë luftimesh, vetëm pasi forcat e rezistencës shqiptare, për të mos luftuar me vëllezër dhe për ta mbrojtur popullsinë civile u tërhoqën nga qyteti në drejtim të fshatrave të Dardanës. Të dhënat dëshmojnë se Bektesh Rrudhani nuk është tërhequr me të tjerët nga Gjilani, por, ka qëndruar i patundur, me mitralozin e tij në dorë, deri në momentin e fundit të rënies heroike. Mendojmë se akti heroik i Bektesh Rrudhanit, kishte bërë që tërheqja e forcave të rezistencës shqiptare nga qyteti të jetë më me pak pasoja. Pas përfundimit të luftës pushteti okupues komunist e ka shpallur Bektesh Rrudhanin “armik të popullit”, dhe si të tillë ia konfiskoi pasurinë (shtëpinë në Gjilan), kurse familja e mbetur në rrugë, pa

kushte për ekzistencë, u kthye për të jetuar në fshat. Më vonë, më 1956, i biri i Bekteshit, Salihu nga fshati Novosellë i Dardanës, i drejtohet Gjykatës së Qarkut në Gjilan, me kërkesë që si trashëgimtarë i drejtpërdrejtë t’i kthehej shtëpia babait, në Gjilan. Me të mësuar për këtë, shoqata e luftëtarëve të LNÇ-së në Gjilan, me shkresën nr. 15, të 5.04.1956, i drejtohet Këshillit Popullor të Komunës, me kërkesë që të bëhet i plotfuqishëm vendimi mbi konfiskimin e shtëpisë së Bektesh Rrudhanit, ish banor në lagjen e “Varoshit”, në Gjilan, me arsyetimin se “me rastin e sulmit të shqiptarëve në Gjilan, më 23 dhjetor 1944, Bektesh Rudhani është solidarizuar me ballistët, dhe nga çatia e shtëpisë së tij ka shtënë me mitraloz, në drejtim të forcave mbrojtëse në qytet dhe forcave partizane, dhe i cili po atë ditë është likuiduar si “Armik i popullit, dhe i është marrë shtëpia”. Po të njëjtën ditë, Këshilli Popullor i Komunës së Gjilanit, njoftonte Shoqatën e Luftëtarëve, për fillimin e procedurës rreth zyrtarizmit të konfiskimit të kësaj prone, kurse me shkresën nr. 5478/56, të datës 27 prill 1956, i drejtohet Gjykatës së Qarkut në Gjilan, me anë të së cilës e bënte me dije, për shkakun e likuidimit të Bektesh Rrudhanit dhe konfiskimit të pasurisë së tij të patundshme e cila përbëhej nga dy shtëpi banimi, të cilat që nga fillimi gjenden në pronësi të Këshillit Popullor të Komunës së Gjilanit, nga të cilat KP i Komunës merr qiranë. Në fund të shkresës jepet propozimi për zyrtarizmin e konfiskimit të këtyre shtëpive, të cilat gjenden në Rr. “Bora Vukmiroviq”, gjë e cila edhe ishte realizuar. Mendojmë se rastet e tilla duhet të ndriçohen, për të mos u lënë në harresë dhe në mëshirën e kohës, kurse rrugica ku pati shtëpinë Bektesh Rrudhani, nga e cila rezistoi deri në fund, meriton që ta bartë emrin e këtij trimi të paepur.

You Might Also Like