OPINION

Selatin Novosella veprimtar i pesë dekadave për çlirimin kombëtar

SHOQATA E TË BURGOSURVE POLITIKË TË KOSOVËS

Selatin Novosella: veprimtar i pesë dekadave për çlirimin kombëtar

Mehmetali Rexhepi: “Selatin Novosella-Kronisti i malbrezave”; botues SHBPK, Prishtinë, 2017, f.244

Lexues i nderuar!

Të premten, më 23 qershor të këtij viti (2017), doli si tërësi libri “Selatin Novosella-Kronisti i malbrezave”, botim i shtëpisë botuese: Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës, i autorit dhe veprimtarit Mehmetali Rexhepi.

Libri me qasje eseistike për publicistikën historike të autorit, tashmë të dëshmuar Selatin Novosella, i referohet shkrimeve të kronistit, publicistit, të burgosurit politik, autorit të mbi tridhjetë veprave të karakterit përjetues e dëshmues, dokumentar e publicistik, duke rrokur e vlerësuar disa nga monografitë për figurat e organizatorëve të ngjarjeve të qëndresës shqiptare kundruall okupimit afatgjatë serb të Shqipërisë Lindore…Figurat e tilla si Adem Demaçi, Metush Krasniqi, Rexhep Mala, Isë Kastrati, Ramadan Shala, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka… Këta veprimtarë dhe të tjerë para e pas tyre, u bënë pararendës dhe frymëzues të ngjarjeve dramatike dhe pinjoj brezash të vijuesve, të kërkim-gjetjes së mënyrave për arritjen e çlirimit kombëtar dhe ndërtimin e një demokracie evropiane në trojet e lashta të Dardanisë…

Ndonëse këtu nuk janë spikatur, gjithsesi nga studiues e penë shkrues të tjerë, duhet të spikaten malbrezat e penës e të pushkës si: Esad Mekuli, Ali Hadri, Gazmend Zajmi, Ukshin Hoti, Fehmi Agani, Halil Alidema, Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja… Adem Jashari, Fehmi e Xhevë Lladroci, Zahir Pajaziti, Ramush Haradinaj, Sali Çeku, Ismet Jashari-Kumanova, Tahir Sinani, Skerdilajd Llagami, Agim Ramadani, Hashim Thaçi, Kadri Veseli…

Në këtë libër, njëkohësisht, duke shkruar veç e veç për disa nga veprimtarët e çështjes kombëtare, ecejaket, sprovat, vuajtjet, demonstratat, organizimet guerile, luftën çlirimtare, ndërtimin e institucioneve demokratike; të gjitha këto ngjarje e personazhe e shpërfaqën madhështinë njerëzore dhe kombëtare për ballë mizorisë të dhunës së pushtuesit… Si rrjedhojë e këtyre ngjarjeve lartësohen personalitete, të cilat e shtrijnë veprimtarinë atdhetare deri në arritjen e lirisë pas shumë e shumë flijimesh, mohimesh, shkatërrimesh, rëniesh e ngritjesh… Njëri nga ata, padyshim është kryepersonazhi i dyzuar Selatin Novosella, veprimtaria, sprovimi, çiltërsia, devotshmëria dhe bëmat e të cilit, pas publikimeve të shkëputura të shkrimeve për akëcilën vepër të tij, i përmblodhi dhe sistemoi në këtë vëllim libri shkrimtari dhe kritiku letrar Mehmetali Rexhepi.

Gjilan, qershor 2017

You Might Also Like