Shkruan: Erdë Mehmeti
Historikisht femrat janë keqtrajtuar e diskriminuar. Ato luanin rolin e shërbyeses duke gatua, pastruar, e madje bëheshin edhe “mjete zbukuruese” në shtëpi. Mirëpo me kalimin e kohës, gratë filluan të ngrisin zërin e tyre për të drejtat të cilat burrat i’a mohonin.
Tani ato mund të shkollohen, votojnë si dhe të punësohen.
Por, sa është i pranishëm diskriminimi gjinor në periudhën bashkëkohore?
Në intervistën me nënkryetaren e Komunës së Gjilanit znj.Leonora Morina-Bunjaku, ajo theksoi se gjinia femërore ende diskriminohet në të gjitha fushat jetësore.
Leonora Morina – Bunjaku, nënkryetare e Gjilanit
“Fatkeqësisht, në shoqërinë tonë ende nuk trajtohen të gjitha qeniet njerëzore njësoj. Duke u nisur nga përvoja personale, në rrugëtimin tim politik, unë jam fyer, shantazhuar, kërcënuar, e jam larguar nga tryeza e punës, vetëm për faktin se jam grua. Po ashtu, shumë qytetarë kanë hezituar të më votojnë për të parën e komunës, me arsyen se një grua nuk mund ta përballojë këtë përgjegjësi. Por, unë nuk përqafoj diskriminimin gjinor dhe jam krenare me arritjet e mia. Bashkë me Kryetarin e Komunës, ne përkrahim gjininë femërore, e organizojmë aktivitete për vetëdijesimin e popullit mbi këtë çështje. Si dhe unë çdo ditë jam në shërbim të qytetarëve, solidarizohem me ta, e më e rëndësishmja inkuadroj vajzat e reja t’i ndjekin ëndrrat e tyre , e mos t’i nënshtrohen askujt”- tha Morina-Bunjaku.
E kur fillon njeriu të diskriminojë?
Njeriu fillon të diskriminoj që nga fëmijëria e tij. Këtë e mëson nga prindërit, që bëjnë diskriminime gjinore që nga lindja e fëmijëve, e deri te ndarja e trashëgimisë. Për të mësuar se a trashëgojnë pasuri femrat ditët e sotme, bisedova me një nga noterët më të mirë në qytetin e Gjilanit, z.Behar Idrizi. Ai konstantoi se është shqetësues fakti se edhe pse familjarët njoftohen me të drejtat trashëgimore, ende shumë pak femra trashëgojnë pjesën ligjore që i’u takon, e arsyeja kryesore është mosprishja e raporteve familjare. Kurse në shumë pak raste, vëllezërit kanë vendosur t’ia bartin motrës një pjesë të trashëgimisë që korrespondon me të drejtën ligjore. Z.Idrizi po ashtu theksoi se ka pasur raste kur bashkëshorti ka tentuar të detyrojë bashkëshorten e tij të trashëgojë pasuri nga familja e saj.
Behar Idrizi, noter
Është interesante se si gjithmonë, femrat kanë ëndërruar për një princ të kaltërt që të vij e t’i shpëtoj, duke i’a dhuruar parajsën në tokë, por si duket princat janë bërë simbol i vdekjes, duke i detyruar ato të jetojnë në ferr.
Pas vizitës në drejtorinë e mirëqenies sociale në Gjilan , Znj.Amire Hoxha, udhëheqëse e shërbimeve sociale, na njoftoi me tmerret që kalojnë femrat çdo ditë.
Amire Hoxha, udhëheqëse e shërbimeve sociale
“Diskriminimi gjinor, fatkeqësisht është dukuri e normalizuar tek ne. Gjinia femërore përballet me abuzim psikologjik, fizik, verbal, e madje edhe financiar çdo ditë. Vetëm në raste të rralla, ato trajtohen barabartë në lidhjen bashkëshortore. Ka aq shumë raste të abuzimeve sa është tmerruese, duke e ditur se jetojmë në një botë moderne. Mirëpo, ne bëjmë maksimumin për t’i shpëtuar këto gra. E madje në planprogram me Konventë të Stambollit ndalohet edhe tendenca e pajtimit. Po ashtu, ka raste kur edhe pas divorcit ato diskriminohen, sepse në 80% të rasteve ish-bashkëshorti nuk paguan alimentacion. Për fat të mirë, Qendra për Punë Sociale, ndihmon këto gra, duke i’u ofruar ndihmë psikologjike, asistencë sociale, pako ushqimore e higjienike, ndihmë për pagesën e qirasë, si dhe shumë ndihma të tjera.”- tha Hoxha.
E tjetër faktor me rendësi është punësimi:
Vite më parë, po të punonte një grua, konsiderohej e pamoralshme. Ato dëshironin të ishin të pavarura financiarisht, por burrat nuk i’a lejonin, sepse sipas tyre ata duhej të ishin në kontroll të çdo gjëje. Tani, si mbështetje gratë kanë ligjin. Ligji për barazi gjinore, i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, ka për qëllim arritjen e barazisë së plotë të femrave dhe meshkujve në shoqëri, në mënyrë që të dy gjinive t’u mundësohet qasje e barabartë në të gjitha fushat e jetës shoqërore.
Sa po zbatohet ky ligj?
Në fotografinë në vazhdim shihen statistikat e nxjerra nga Instituti Rinvest dhe mbështetur nga Agjencia për Barazi Gjinore (ABGJ), Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës ku paraqitet numri i grave dhe burrave në pozita vendimmarrëse në ndërmarrje publike, e ne kuptojmë diskriminimin i cili i’u bëhet gjinisë femërore, ku kryesojnë meshkujt me një përqindje shumë më të lartë se femrat.
Gratë në vendimmarrje publike, Instituti Rinvest, dhjetor, 2022
Por, si mundemi ta ndalojmë diskriminimin gjinor?
Profesoresha e gjuhës angleze në Universitetin e Prishtinës -departamenti Gazetari, znj. Sadete Tërnava-Osmani propozon që lënda e barazisë gjinore të futet në universitete.
Sadete Tërnava-Osmani, profesoreshë e gjuhës angleze në Universitetin e Prishtinës -departamenti Gazetari
“Vetëdijesimi së pari fillon nga familja!
Familja duhet të bisedoj me fëmijët për të drejtat e tyre, si dhe për nocionet e barazisë gjinore. Më pastaj shkollat fillore dhe të mesme duhet që ta kenë të koorporuar në planprogramin e tyre fushën e barazisë gjinore, ku nxënësit të kuptojnë rëndësinë e kësaj teme. E në universitete, të futet lënda e barazisë gjinore. Madje studentët kur të diplomojnë do bartin me vete edhe një temë e cila është e rëndësishme për ta individualisht, si dhe për të gjithë shtetin” – tha Tërnava-Osmani.
E gjithë kjo dëshmon se diskriminimi gjinor , është një “epidemi” e cila duhet të trajtohet, për shkak se një shoqëri seksiste sjell urrejtje, dhunë, abuzim e madje edhe vrasje ndaj femrave.
E në botën e ligë ku po jetojmë, vajzat e reja kanë synim t’a shkatërrojnë këtë antivlerë, dhe ashtu do bëjnë, sepse E ARDHMJA ËSHTË VAJZË!
(Autorja është gazetare praktikante në Gazetën Online kryelajmi.com)