Shefik Shkodra
EDHE NJË TEKST KOMUNIKUES ME LEXUESIT E HUAJ PËR GJENOCIDIN MBI
SHQIPTARËT
Dua ta bëj një përmendje për Ibrahim Kadriun, me romanin“Misioni Rus”në frëngjisht, në shenjë respekti dhe urimi për 80 vjetorin e lindjes së tij, e për pesëdhjetë-gjashtëdhjetë të tjera, në krijimtarinë letrare e gazetare. Kurorëzimi dhe prestigji vjen me përkthimin e disa veprave të tij në gjuhë të huaja. E përkthimi i romanit në fjalë do të mbetet një “mision” i vlershëm kombëtar.
Ibrahim Kadriu: MISIONI RUS (MISSION RUSSE), përkthim nga shqipja në frëngjisht nga Mustafë Jashari, botues Editions Baudelaire – 27, place Bellecour – 69002 Lyon.
Ibrahim Kadriu është autori tjetër, sikur disa të tjerë më parë, që nëpërmes romanit “Misioni Rus”, ia ka bërë të mundur e shumë të qartë edhe opinionit frankofon që, të njihet me masakrat e armatës dhe gjithë aparatin shtetëror të Serbisë mbi shqiptarët. Por edhe me dinakëritë si ndihmë të drejtpërdrejt të Rusisë kundër shqiptarëve dhe Shqipërisë Etnike. Serbia me inicimin e Rusisë ka pasur plane të hershme për zhdukjen e të tjerëve, sidomos, për asgjësimin e tërësishëm të shqiptarëve, për t’i shfaros dhe për t’ua marrë pasurinë e paluajtshme, shih Naçertaninë e Ilija Garasheninit (1844) dhe elaborate e më vonshme nga të tjerët për këtë qëllim. Kaherë me një ëndërr që Serbia të dalë në bregdetin shqiptar, duke i okupuar këto toka deri atje. Dhe kjo shihet praktikisht që nga fundi i shek. të XIX (1878), ende si principatë, me ndjekjen e shqiptarëve nga trojet e veta prej Sanxhakut të Nishit, etj. Kështu ndodh edhe më 1912, me pushtimin e Kosovës pas rënies së Perandorisë Osmane. Ibrahim Kadriun e kanë ndihmuar përveç tjerash edhe shënimet e drejtpërdrejta të publicistëve të asaj kohe, gazetarët, sidomos Leon Trocki, austriaku Leo Freundlich, Dimitrije Tucoviq e ndonjë tjetër, të cilët ishin dëshmitarë dhe përgatitnin reportazhe e kronika për ngjarjet gjatë Luftërave Ballkanike. Këta dy gazetarët e parë ishin të paanshëm. Njëri i Rusisë me prejardhje jevreje, e i cili ishte kandidat për zëvendësimin e Leninit pas vdekjes së tij, tjetri austriak. I treti ishte serb, por kundërshtar i veprimtarisë të borgjezisë së atëhershme në Serbi.
Libri ka 370 faqe në frëngjisht, 28 ndarje (kapituj). Është njëra prej veprave të shumta në prozë të Ibrahim Kadriut e cila na rrëfen, jo veç ne shqiptarëve, një vijë historike nga Serbia kundër shqiptarëve, në tokat e tyre që nga antikiteti, në Siujdhesën Iliria, përkatësisht në Ballkanin e sotëm. Një planifikim të vjetër, të cilin serbo-rusët dëshironin dhe donin ta realizonin, deri në ditën e sotme me çdo kusht, e shohim përveç tjerash edhe nëpërmes artit letrar të këtij autori me këtë libër. Po këto skena reale, ne i kemi përjetuar dhe nuk kemi shumë çka i flasim njëri-tjetrit. Sipas historisë më të re është parë që në shekullin e XIX, derisa Serbia tentonte të ngjallej si shtet, program e kusht e kishin bërë që, shqiptarët t’i zhdukin tërësisht me vrasje, me asimilim dhe me ndjekje nga vatrat e tyre, pa zgjedhur metoda njerëzore. Tash ne i dimë edhe vendet nëpër të cilët janë vendosur shqiptarët, pothuajse në të katër anët e botës, më së shumti në Turqi, transportuesit europianë. Përafërsisht edhe asimilimi i tyre mund të identifikohet nëpërmes fesë ortodokse, të imponuar në ato kohë nga pushteti drakonik serbo-rus, që nga koha e Nemanjiqve.
Me dëshmi e fakte nga romani
Misioni rus, në të gjitha rastet dhe skenat e paraqitura, me personazhe nga intrigat subversive të propagandës së armikut janë, dyfytyrësitë e përgatitur me kurse të veçanta dhe paraqitjet e tyre me shumë kujdes e me një atraksion dhe befasi për palën shqiptare, të cilët ishin me më pak njohuri ose fare për fatin e tyre, të pa organizuar. Po dhe mbështetje të mjaftueshme nuk kishin prej askujt. Kjo shihet në Prizren, me hoxhën që shërbeu për shumë vite me ideologjinë fetare islame, si Mulla Adnani, e me emër real, Ruslan Nikolai, oficer rus, gjithnjë me akcentime në mesin e popullatës shqiptare myslimane, për të ngadalësuar rezistencën e shqiptarëve, të përçante mesin e tyre, të zbuste dhe të sillte pajtueshmëri me fuqinë ushtarake e politike serbo-ruse. Në emër të fesë duke e shuar çdo cipë kombëtare për vetëdije, duke e quajtur aktin e ushtrisë serbe si shpëtim në kthetrat e tyre të përgjakura. Këtu niset emërtimi – misioni i këtij imami, pas njëzet vjetëve të merr fund, ditën kur u fut ushtria serbe në Prizren, e cila në hapin e parë bëri pushkatimin e qindra shqiptarëve të pafajshëm në këtë qytet. Ruslan Nikolai u nis pas aktivitetit të vet tutje. Në këtë krah e kemi edhe një femër, si personazh mjaft identifikues në veprimtarinë e saj, Tatjana Volovna, ruse, si infermiere, që fshihej me emra të tjerë, si Emine, e me veshje vendore nëpër territoret shqiptare, e cila kërkoi mbështetje gjithashtu nga shqiptari, Sebastian Kola, për të hyrë edhe më tej nëpër Shqipëri dhe për të depërtuar në situata mjaft delikate, gjithnjë në gjurmime e përshkrime të gjendjes së përgjithshme, për pikat strategjike, për jetën sociale atje të qytetarëve, për të cilat raportonte te urdhërdhënësi për çdo gjë deri në imtësi. Edhe këtu e shohim flijimin e shqiptarit naiv, duke i shërbyer kësaj femre me besnikëri, meqë tipi nuk ka pasur njohuri se kush ishte kjo grua, për cilin qëllim saktë po lëvizte nëpër viset shqiptare, duke e përshtatur pamjen e jashtme me veshje kombëtare shqiptare ose mbulesën në emër të një njeriu të shenjtë, me emër shqiptare. Këtë shqiptarin e kishte gënjyer, se, po e kërkonte njërin, i cili ishte mik i saj, ku do ta gjente, etj. Sigurisht ky Sebastian Kola ishte paguar që ta përcillte prej një vendi në tjetrin dhe të përkujdesej për te, pikërisht nga Prizreni dhe vendet tjera nëpër Shqipëri. Në fund, pavarësisht për respektin që ia kishte bërë Sebastiani Emines, kur u pa se shqiptari, shërbyes i devotshëm, ua hetoi misionin ose dyshuan se e ka hetuar sekretin e tyre, Ruslan e vret pas shpine. Kjo tregon se prej kujt je i tradhtuar. Janë skena të paraqitura për mrekulli nga shkrimtari. Të duken si pamje në skena të një filmi kriminal, me gracka prej njërës palë e në mënyrë subversive, dhe ana tjetër naive e madje edhe me pamundësi tjetër, rënia e lehtë në ato leqe demoniane. Kështu ka ndodhur çdo kund e çdo herë, kur shqiptari e vlerësoi besën dhe respektin për njeriun kriminel të panjohur. Ata ia han bukën dhe ia kthejnë tryezën mbrapshtë. Është një mësim i mirë për gjeneratat që nuk kanë pasur rast për t’i njohur maskaradat dhe befasitë që ua krijon armiku i gjithmonshëm. Ato vijojnë nga serbët si diçka e përsëritshme, si program bazë për Serbinë e madhe kundër shqiptarëve. Janë të pangopur me gjak dhe tokat e huaja.
Romani, “Misioni rus”, është vepër letrare-historike. Është letrare sepse është stilizuar në letrarishten e bukur, në episode të lidhura njëra me tjetrën, në gjuhë dhe me një sintaksë perfekt . Rrëfimi në përshkrimin e ambientit dhe kohës, pa ekzagjerime të figurave dhe qëllimit, me një tis letrar e bën joshës dhe ngashënjyes leximin e këtij romani. Pa emocione. Dhe është historik ngase motivet janë reale, periodat dhe vitet, ndodhitë që njihen edhe nga shkenca e historiografisë. Kryesisht, u tha, nga dy gazetarë-kronist të zhvillimit të ngjarjeve gjatë luftërave ballkanike. Dëshmitë janë treguar edhe prej njerëzve tanë, të cilët kanë qenë pjesëtarë në një mënyrë apo tjetër në disa lokalitete. Dimitrije Tucoviq, një ushtarak serb, i cili ishte opozitar i shtetit të vet dhe i ngjarjeve, shkruante për një Grigor Reziq, me të cilin kishin biseduar se si ushtria serbe bën krime aq brutale mbi popullatën e pafajshme shqiptare. Vrasjet e personave të pafajshëm. Djegiet e shtëpive, dhunimet nëpër familje. Ata ishin të një mendimi për refuzim të kësaj ecurie, por shfaqja e tyre publike me këtë gjuhë ishte e rrezikshme për jetën e tyre. “Ekipet e vdekjes” sikur i kositnin “shqiptarët që binin përtokë si duaj kashte”. Grigor Reziq e kishte parë se sa e mundimshme ishte vetëm pamja e këtyre skenave të kriminelëve, ai kishte ikur nga ushtria. Ishte larguar për në vende tjera. Ai e kishte mik gazetarin austriak Leo Freundlich, që i fundit kishte shkruar për vuajtjet dhe vdekjen e shqiptarëve të pafajshëm. Në vazhdën e gazetarëve më të guximshëm ishte edhe Leo Trocki, gjatë vitit 1912 kur ishte në Shkup dhe i kishte përcjellë pothuajse të gjitha krimet që ishin zhvilluar mbi shqiptarët. Në mënyrë ironike shkruanin se si, skuadrat e emërtuara për vrasje të shqiptarëve, krenoheshin dhe përpiqeshin të rrëfenin, pas aksioneve si diçka të kënaqshme e me shumë lavdi. Aksenti kryesor që tregon se, ushtria dhe aparati shtetëror serb ishte si një diagnozë e një sëmundje psiko-patologjike. Vrisnin fëmijën para prindërve. Zgjidhnin djalin më të mirë. Lenin dashnorët vejusha, nën me duar në gji. Dhe përpiqeshin të trembnin të gjitha familjet përreth, për ikje sa më të shpejtë nga vatrat e tyre.
Pra, këtu e shohim nga këto ngjarje të vërteta që janë regjistruar, pothuajse të gjitha nga të njëjtit zullumqarë, të cilat kanë mbetur si shembuj më eklatantë të ushtrisë kriminale të shtetit kriminal serb, i cili nuk ishte ende i sigurt për themelet e veta në atë kohë. Emisarët rus, si Ruslan Nikolai dhe Tatjana Volovna, qarkullonin prej Prizrenit në Shkodër e në vende tjera të Shqipërisë, në Prishtinë, në Mitrovicë, në Vushtrri, etj. Si duket ata e komandonin edhe ushtrinë serbe në aksione të ndryshme. Por, ishin edhe vetë oficerët serbë që kishin marrë përsipër të rrënonin çdo gjë shqiptare, siç ishte edhe gjenerali Jankoviq.
Duke lexuar romanin “Misioni Rus” të I. Kadriut, na duket një zhvillim i ngjarjeve të njëjta, përsëritëse, si në kohën e shpërnguljes me dhunë nga Sanxhaku i Nishit (1878), si në Luftën e Dytë Botërore dhe si në luftën e fundit (1999) në Kosovë. Të njëjtat mjete dhe metoda janë përdorur, veç kësaj radhe patëm fatin që të na ndihmojë një ushtri e fortë, e iniciuar nga Amerika, NATO dhe nuk ia lejuan Serbisë që ta vazhdojë krimin deri në fund, ashtu si e kishin marrë porosinë nga kryekrimineli.
Armiku i ka shfrytëzuar situatat më të vështira te popullit tonë: – mungesa e unitetit dhe e liderit për organizimin rezistues e të mirëfilltë; – gjendja e përgjithshme ekonomike e qytetarëve; – mos ngritja intelektuale, mungesa e arsimimit dhe mos informimi i popullatës asnjëherë sa e si duhet. Ishte koha kur shqiptarëve u mungonin të gjitha këto që u përmendën. Por, ka pasur dhe ka edhe njerëz të interesit personal e parcial, që i shkaktojnë probleme me tradhtitë që ia bën pas shpine qytetarëve të vet. Jemi të vetëdijshëm se, ky roman për të cilin mund të flitet shumë më shumë, sepse është mjaft aktual, do të bëjë ndikim sado pak te masa e gjerë shqiptare, por edhe te një pjesë e qarqeve evropiane, për të parë gjendjen, të cilën shqiptarët e kanë përjetuar gjenocidin dhe e kanë la me lëkurë dhe gjak.
Për këto ngjarje historike, që nuk i përmendëm të gjitha këtu, padrejtësi nga një anë e pamundësi nga ana tjetër janë rrëfyer nëpërmes pendës së shkrimtarit edhe në gjuhën frënge. Lexuesi i interesuar do të jetë në gjendje që të njihet me të gjitha veprimet subversive të agjencive sekrete serbo –sllave dhe veprimeve kriminale në trojet shqiptare. Ato janë të pa njehsueshme. Por edhe në trojet e të tjerëve nga ana e Serbisë. Është koha që të gjithë ata ekspert, shkrimtarë, akademik e historianë, publicistë e letrarë të tjerë, të ofrojnë mundësi edhe për lexuesit në gjuhët tjera, kështu si romani“Misioni Rus” i autorit të përmendur, që të njihen sa më mirë e qartë, për tragjeditë e shkaktuara në Ballkan nga shteti i kriminalizuar. E Serbia s’është përmirësuar as nuk është fare autokritike për gjenocidin që e ka përsëritur disa herë gjatë historisë ndër shqiptarë. “Misioni rus” (Mission russe) është si një thirrje për vigjilencë të shqiptarëve. Shqiptarët duhet t’i braktisin interesat personale kur është fjala për shtet. Të koordinojnë një unitet dhe një forcë ditë natë.
Shkrimtarit Ibrahim Kadriu i dëshirojmë shëndet në moshën tetëdhjetëvjeçare, që edhe më tej ta vazhdoj “misionin” e tij shumë të respektuar. Me këtë ai i ka bërë nder e respekt gjithë kombit shqiptar.