Gjilan

Edouard Mayoral nga Ambasada e Francës viziton Gjimnazin dhe mësimdhënësit e Gjuhës Frënge

Edouard Mayoral, këshilltar për bashkëpunim edukativ dhe kulturor në i ambasadorit të Francës në Kosovë Olivier Guérot i ka bërë një vizitë Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti”, sikurse që është takuar edhe me mësimdhënësit e Gjuhës dhe Letërsisë Frënge.

Gjatë një bashkëbisedimi janë kërkuar modalitete për forcimin e mësimit të gjuhës frënge, si një gjuhë botërore.

Fillimisht, Bekim Mustafa, drejtor në Gjimnazin Natyror, ka theksuar se në shkollën që e drejton ai janë tre profesorë të gjuhës frënge dhe se është i kënaqur me punën e tyre. Mustafa ka thënë se frëngjishtja në gjimnaz është mësuar kaherë, por që kohëve të fundit ka zvogëlim të fondit të orëve, andaj shkolla është mundur që të bëjë zgjidhje për ta. Më herët njëri nga profesorët është emëruar koordinator i cilësisë me gjysmë norme e tashti edhe një profesor tjetër këshilltarë për karrierë me normë të plotë dhe në masë të madhe është zbutur ky problem.

Edhe Agim Asllani, zëvendësdrejtor, ka theksuar se fondi i orëve po zvogëlohet dhe po ka probleme në normat e profesorëve, mirëpo ka shtuar se frëngjishtja është gjuhë e rëndësishme në botë, andaj ajo duhet t’a ketë vendin e saj meritor.

Edouard Mayoral, këshilltar për bashkëpunim edukativ dhe kulturor në i ambasadorit të Francës në Kosovë Olivier Guérot, ka njoftuar për vizitat e vazhdueshme që janë duke i bërë kudo nëpër Kosovë. Ai ka thënë se Kosova ka aplikuar për të qenë anëtare me të drejta të Frankofonisë, andaj ka disa detyrime për të arritur këtë qëllim. Sipas tij, në Shtetet Frankofone bëjnë pjesë shtetet që e flasin frëngjishten dhe ato që angazhohen politikisht dhe gjuhësisht për frëngjishten. Objektivi i Francës dhe Ambasadës Franceze është që të mbështetet Kosova dhe mësimdhënësit e frëngjishtes, por këtë e bëjnë pa imponime. Mayoral, tha se ambasada do të mbështes profesorët e gjuhës frënge  nëpërmjet trajnimeve që ofrohen për çdo vit në Maqedoni Të Veriut, Kosovë dhe Francë. Edhe për nxënësit janë ofruar dhe do të ofrohen bursa universitare, jo vetëm për ata që kanë interes për frëngjishten, por edhe për ata të lëmive të tjera, duke kujtuar këtu bursat që janë dhënë për studime në arkeologji dhe ku shumica e atyre që po gërmojnë në Ulpianë janë ish-studentë në Francë.

Ai ka thënë se është në dijeni për problemet me të cilat po përballet frëngjishtja në Kosovë dhe mësimdhënësit e frëngjishtes, por Ambasada do të angazhohet që të bëjë një hartografi të nevojave dhe se është mirë që më 2024 është hapur Instituti Francez në Kosovë, në selinë e të cilit vendin e saj do t’a ketë edhe Shoqata e Profesorëve të Gjuhës Frënge.

“Në Gjilan patëm takim të frytshëm në DKRS, ku morën zotime se do të punojnë me drejtorë dhe me mësimdhënës të gjuhës frënge, sikurse që është shqyrtuar mundësia për binjakëzime me shkolla franceze profesionale .

Rabit Miftari, mësimdhënës ka kërkuar që të bëhet presion më i madh në ministri dhe më pas edhe në drejtoritë komunale në mënyrë që të shpëtohet mësimi i gjuhës frënge, e cila realisht në Kosovë është në krizë. MIftari ka folur edhe për problemet me të cilat po përballen mësimdhënësit e në këtë frymë janë angazhuar edhe profesorët Skënder Hasani, Tahir Dalipi, Sami Selishta dhe Enver Sadiku.

Ndryshe është vlerësuar se dy vitet e ardhshme do të jenë një sfidë për Kosovën, ngase ajo veç ka bërë kërkesën për t’u bërë anëtare e plotë e Frankofonisë, e për të cilën duhet të plotësohen disa kushte për të cilat janë në dijeni prijësit politikë dhe ata kulturorë në Kosovë.

You Might Also Like