OPINION

Fazli Haxhaj – Dauti- një figurë e njohur e Malësisë së Karadakut

tefik Shkruan: Tefik Selimi –

Historia kombëtare shqiptare, në përgjithësi dhe ajo e Malësisë së Karadakut, në veçanti, përshkohet me ngjarje sa të dhimbshme, po aq edhe krenare. Këto ngjarje, në çdo kohë të tyre, sollën edhe personazhe, të cilët, në vete, ata sollën histori të lavdëruar. Malësia e Karadakut është e njohur si rajon ku është bërë dhunë e paparë mbi njerëzit e kësaj ane. Këtë dhunën e kanë bërë bullgarët e serbët e pamëshirshëm e barbarë. E kënë bërë me qëllime të caktuara. Por, përkundër çdo çmimi të dhunës, njerëzit e kësaj anës së Karadakut nuk i janë përkulur armikut, por kanë bërë rezistencë për ruajtjen e trojeve tyre. Edhe këtu ka pasur trima e trimëresha, që kanë luftuar për lirinë e atdheut shqiptar. Nuk është i njohur vetëm Idriz Seferi, kreshniku i këtyre anëve, i cili ka qenë trimi më në zë i kësaj kohe, por në këtë pjesë të Kosovës, janë edhe disa personalitete e figura të dalluara atdhetare. Edhe shkrimtari ynë, Adem Istrefi, në romanin e tij “Lëshoma hisen e diellit”, botuar më 1984, në Tiranë, e përshkruan në mënyrë artistike “gjendjen” e kësaj kohe në Karadakun e kohës së Idriz Seferit. Ja si shton autori: “Krali i Sërbisë, para nisjes së ushrisë për luftë, i paska thënë vetëm këto fjalë: “Osveta na Kosovu!” (Hakmarrje në Kosovë). “Janko Vukotiqi, (kriminel serb), shton autori, sa e vinte cigaren e ndezur në buzë, pa e hithur mirë dy-tri herë, e gjuante me të pështyrë. Pastaj kishte pritur këtë pritë të forë në luginën e Moravës dhe nga njëfarë kaçaku Idriz Seferi se! Dhe s’ishin vrarë pak ushtarë dhe s’donte ta besonte që mund ta ndalte ndokush urshtrinë e tij. Po ushtria e tij kishte plot dy ditë e dy net që s’bënte këmbë më tej. Ishte mbërthyer pranë këtyre bjeshkëve hijerënda e armiqësore të Karadakut. Shante e mallkonte rojat, shante agjentët, shante ushtrinë, oficerët dhe vetveten e shante…Si të gozhdohej këtu, në pritën e parë, si?! Dhe, betohej në kryq e në kishë, për të gjithë shenjtërit e për krye të kralit, se asnjë shqiptarë për be s’do ta linte të gjallë e shtëpi pa rrënuar e djegur s’do ta linte…Ditën e tretë, kur mundi ta thyente pritën e qëndresën e Idriz Seferit me trima, vetëm këtë fjalë u tha ushtarëve: “Ubijte! Ubijte!” (Vritni, vritni!) dhe pastaj e ndezi cigaren dhe e piu deri në fund. Ushtarët u vërsulën në rrokopujë dhe, pasi i plaçkitën ato tri fshatra e i vranë me të madh e të vogël, ua vunë zjarrin shtëpive e i bënë shkrumb e hi. Vetëm nja tre fëmijë dyshohet se mund të kenë ikur e shpëtuar…”(f.62,63 të librit). Këtu, në Karadak, njerëzit janë masakruar e vrarë pa asnjë dëshmi. Pa asnjë dëshmitar dhe vetëm së janë shqiptarë, janë vrarë e përvluar njerëzit me ujë valë, për të bërë panik tek popullata e për ta ndjerë veten të pasigurt në trojet e tyre stërgjyshor. Me fjalë të tjera, ata (popullata) e kësaj ane, në kurrizmal, afër kufirit serb, nuk kanë qenë të “dëgjueshëm” për okupuesin barbar. Në një shënim të Hasan Emërllahut, gazetar i “Rilindjes”, më datën 24 nëntor 2000, me titull: “Kosova Lindore dhe pasojat e luftës në Kosovë”, thuhet: “Në bazë të të dhënave të ekspertëve nga lëmia e historiografisë shqiptare, mund të thuhet se Karadaku, që me parë kishte 14 fshatra, prej vitit 1910 deri më 1999, u dogj pesë here, çka do të thotë se për 89 vjet, në çdo 18 vjet u dogj nga një herë!”(f.13) Më së shumti këtë dhunë e kanë pësuar fshatrat në kurrizmal të Karadakut, si janë Ukmemetajt, Kurexhajt, Seferajt, Haxhajt, Pidiçi, Shurdhani, Zhegra, Dunavi, Iseukajt, Kurxhajt, Demirajt, Isufajt, Tërziajt e fshatra tjera të kësaj ane. Dhe, në vitet 1912 e gjer më 1943, në këto anë të Malësisë së Karadakut, janë vrarë këta njerëz: Selman Jahiu (1833-1912), Ibrahim Abazi (1860-912), Shemsi Jahiu (1885-1912), Mehmet Haliti ( -1915), Shaqir Rrustemi (- 1942), Kadri Nezir ( -1943) dhe Bushat Rrustemi ( -1943). Të gjithë këta martirë janë vrarë dhe janë ekzekutuar nga forcat e errëta serbe. Mirëpo, dhembjet më të rënda, më së shumti i ka shkaktuarSerbia e tretë, kur, si tregohet, hordhitë çetnike erdhën në këto anë shqiptare dhe, përmes të ashtuquajturave “Brigada Partizane”, të vitit 1944, bën masakrat më të mëdha e më të tmerrshme në banorët e pafajshëm të kësaj ane. Dhe janë emrat e skalitur të dëshmorëve e martirëve të kësaj ane, të cilët ranë pre e barbarisë serbe. Ata janë: Nuhi Sejdiu, Dalip Ibrahimi, Fazli Ukshini, Rexhep Haziri, Qahil Arifi, Sala Ibrahimi, Zylfi Sejdiu, Hajrush Kurteshi, Bajram Bajrami, Abaz Ibrahimi, Sefi Ukshini, Isuf Hajredini, Arif Ibrahimi, Isak Ibrahimi, Mursel Fetahu, Salih Fetahu, Muharrem Ibrahimi, Musli Ukshini, Xhafer Haziri, Hamdi Nuhiu e Sinan Sinani. Dhe, nga viti 1945 e gjer në luftën e fundit (1999), në këtë anë janë vrarë njerëzit nga forcat serbe, e ata janë: Raif Rrustemi, Tafës Mustafa, Rrahim Kurteshi, Shaban Ukshini e Sami Ukshini. Disa nga burrat e kësaj ane kanë pësuar rëndë, sepse okupuesi i egër ua konfiskoi tokën, malet, madje edhe bëri përndjekjen e tyre, duke i shpërngulur nga trojet e tyre stërgjyshore. Sipas një shënimi të Sabit Rrustemit, thuhet se, “Kalimi tri Serbive, apo i tri ushtrive serbe nëpër këto anë, banorëve të këtyre shkrepave u shkaktoi plagë e varre, për shkakun se nuk ishin me origjinë tjetër dhe rrezistencën që bënin kundër pushtimit. Kështu, nga viti 1912 e deri më 1943, fshati do të detyrohej për t’u ndarë nga shumë bij të tij, të cilët u ekzekutuan, e u internuan ose u vranë në konfrontim të drejtëpërdrejtë me hordhitë serbe. Por, dhembjet më të thella të Kurexhajve i shaktoi Serbia e dytë, më 1944. Masakra e 29 e 30 nëntorit të atij viti, shton S. Rrustemi, – mbeti me decenie e pandriçuar. Ekzekutimi i 21 vetave, që u bë tri javë pas Shën Mitrit të vitit 1944, për herë të parë, në mënyrë të plotë shpalohet tash, me ngritjen e kësaj përmendoreje të përbashkët për dëshmorët dhe martirët e të gjitha brezave.” (Shih I. Musliu, në gazetën “Rilindja” të datës 24 gusht të vitit 2001).

Fazli Haxhaj Fazli Haxhaj

Shtëpia e djegur e familjes Dauti në Haxhaj më 1999

Dhe, Fazli Haxhaj, është një personalitet dhe figurë e njohur atdhetare e Malësisë së Karadakut. Për këtë njeri, flasin sot me pietet shumë njerëz të kësaj ane, të cilët ose kanë dëgjuar për te, ose kanë qenë në kontakt drejtpërdrejt me te. Ka qenë i respektuar shumë nga popullata e kësaj ane të Karadakut të Idriz Seferit. Fazli Haxhaj ishte nga një familje me traditë të pasur e të njohur atdhetare nga Malësia e Karadakut jetik. Familja e tij ishte e njohur jo vetëm në Karadak të Gjilanit e të Shkupit, por edhe më larg. Ai u lind nga një familje agallarësh e bejlerësh të asaj kohe. Trashëgoi një pasuri të madhe nga babai, që thonë, edhe sot e ka këtë pasuri, me afro 25 hektarë tokë pjellore, por edhe male të pasura me drunj. Fazli Haxhaj pati shtëpinë (kullën), e cila i la emër dhe u përmend në shumë ndeja e kuvende burrash të shquar të kohës. E, më vonë, oda e tij, Kullë, e Fazli Haxhajt, u bë një vendpritjeje për miq e dashamirë të të gjitha trojeve shqiptare. Kjo kullë-odë, është përmendur jo vetëm në vilajetin e Karadakut, por edhe në shumë vende tjera. Në Kullën e Fazli Haxhajt, në katin e parë, ishte një ndërtim i veçantë i odës për mysafirë e për mikpritje bujare. Fazli Haxhaj (Dauti), ishte vetë i treti vëlla, me një motër. Më i madhi ishte vetë Fazli Haxhaj (Dauti), mandej vëllezërit: Mustafë Dauti, Isa Dauti dhe Shaip Dauti. Hasa ishte e vetmja motër e tyre. Në jetë, Fazli Haxhaj ka lënë shtatë fëmijë: gjashtë meshkuj dhe vetëm një vajzë. Djali i parë: Ruzhdiu, i dyti, Nebiu, i treti Abdullahu, i katërti Hajrullahu, i pesti Nijaziu dhe i gjashti Nazmiu. Pati vetëm një vajzë, Alijen. Të gjithë sot jetojnë e punojnë si të gjithë të tjerët në jetë. Sot, kjo familja e ngushtë e Fazli Haxhajt, numëron më se 130 anëtarë. Vëllëzërit e Fazliut, sot jetojnë jo vetëm në fshatin Haxhaj, Malësia e Karadakut, por jetojnë si një, në Lipkovë të Maqedonisë, në Gjilan, Ferizaj e vende tjera. Familja e Fazli Haxhajt ka pësuar shumë në jetë. Asaj i është marrë (konfiskuar), toka dhe shtëpitë në Zhegër nga shteti serb. Kjo është marrë nga serbët lokalë të Zhegrës. Pra, këtë konfiskim të tokës e kanë bërë serbët me dhunë dhe me përndjekje ndaj anëtarëve të familjes së tij. Shtëpia e Haxhi Fazliut

është konfiskuar me 50 ari oborr dhe mbi 13 hektarë tokë pjellore. Fazli Haxhaj -(Dauti), ishte njeri me autoritet të madh në popull. Populli e deshi si njeri të mençur e të ditur në jetë. Ishte një njeri me pamje dhe “nafuz” të madh në popull. Shumë njerëz, kur patën nevojë, ai u doli në ndihmë. Njerëzit nga ai kërkonin ndihmë e “drejtësi”. Ai (Fazliu), ishte një dijetar i lindur në jetë. Nuk pati aq shkollë, por “jeta” e rëndë e fshatit, atë e edukoi dhe e “mësoi” të jetë një personalitet i lindur dhe i pjekur me të gjitha vetitë njerëzore. I madh e i vogël, në Karadak, sot flasin për këtë figurë atdhetare. Nuk ka plak që nuk di të flasë për xha Fazliun e ndjerë. Ishte një njeri fjalëpakë e punëshumë. I pati hije axhaku i ndejës. Përherë ai i këshillonte të tjerët, si të moshuarit, po edhe të rinjtë që të jenë syçelë në jetë. Qe i lavdëruar në popull. E deshi popullata me zemër. Ai dallohej, në rend të parë, për idetë e tij të përparuara e patriotike. Ishte një “revolucoionar” i kohës. Ai ishte një njeri që punoi për çështjen madhore shqiptare. Mori pjesë në shumë luftëra dhe beteja kundër ushtrisë dhe policisë serbo-maqedone, të cilat e “qanin popullin ditën, por e vrisnin natën”. Ato vepronin për tmerr në fshatrat e Malësisë së Karadakut. Fazli Haxhaj (Dauti), në ato rrethana, ishte, madje, edhe udhëheqës dhe prijës kryesor i rezistrencës në luftën e Preshevës, në Betejën e Raincës, në atë të Myçibabës, si dhe në Frontin e Kodrës së Zezë, të Karadakut të Gjilanit e të Shkupit. Vlen të përmendet se, Fazli Haxhaj, në këtë luftë arriti t’i bashkonte të gjitha grupet e luftëtarëve shqiptarë. Kështu, në një rast, kjo “gjendje” e rëndë përshkruhet nga një serb, ku nga dhuna e paparë, njerëzit e kësaj ane detyrohen të shpërngulen nga trojet e tyre stërgjyshore. Ja si shton Dr. J. Bajraktari në librin “Jeta dhe vepra e Idriz Seferit: ”Një mësuesi serb në Leskoc do t’i kujtohet me vonë shpërngulja e dhunshme e shqiptarëve të këtyre anëve në acarin e madh të dhjetorit 1877. Ai do të shkruante: “Skajeve të rrugës në grykë të Gërdelicës, deri në Vrajë e në Kumanovë, mund të shiheshin kufoma, fëmijë të braktisur dhe pleq të ngrirë nga acari”(f. 19). Këto ishin ato përndjekjet e shqiptarëve nga ana e regjimit serbo-çetnik. E, Fazli Haxhaj (Dauti), si shton Hasan Dauti, nip, – ishte njohës i madh “taktikave” serbe. Ai diti t’i bashkojë atë kohë edhe krerët e fshtarëve e të fiseve në një formacion që quhej “Fronti Popullor” i Shqiptarëve të Malësisë së Karadakut e të Anamoravës. Ky front ishte shumë i gjerë dhe në vete përfshinte: Rrethin e Malësisë së Karadakut të Gjilanit, Rrethin e fshatrave të Preshevës, Rrethin e Shkupit e të Kumanovës si dhe Rrethin e Kaçanikut, duke u shtrirë në fshatra e Anamoravës së Gjilanit e më gjerë. Në këtë luftë për çlirim nga okupuesi serb, Fazli Haxhaj bëri rrezistencë të vazhdueshme e të pandërprerë, duke filluar nga vitet 1930, për të marrë hov gjer në vitet 1940, por edhe në vitet e mëpastajme, si në vitet ‘50 të shekulit XX. Ismajl Hyseni, 85-vjeçar, nga Shurdhani, për Fazli Haxhën, sot shton: “Po. Këtë njeri e kam njohur mirë. I anës tonë ka qenë. Nuk dij kush nuk e njeh këtë personaliteti të Karadakut. Ka pasur autoritet në popull. E ka ruajtur popullin e vet shqiptar. Ai ka luftuar në “nahinë” e Preshevës. Ka pasur një mitroloz të madh. Edhe vëllëzërit e tij kanë qenë lutëtarë, si: Metush Haxha, Mustafë Dauti e të tjerë. E di, – shton xha Ismajli, – një rast kur Fazli Haxhaj, duke i ikur më të keqes, ka qëndruar 35 ditë në mal mbi shtëpia, në një kaçubë. Aty e ka kaluar natën, ndërsa ditën ka qëndruar në odën e tij të madhe. Edhe vëllezërit e tij kanë vepruar kështu: ditën kanë qëndruar nëpër shtëpia, kurse natën e kanë kaluar në male. Janë ruajtur shumë nga regjimi i asaj kohe. Ky regjim e ka kërkuar shumë Fazli Haxhën, se ai qe kundërshtar i madh i këtij regjimit serbo-çetnik.Të kësaj kohe janë edhe luftëtarët tjerë, si Adem Stançiçi, Saqipi i Zhegrës, Zymeri, Selmani i Rrutemit etj. Jo vetëm bugari, por më vonë edhe shkijet, në këtë anë tonë kanë bërë “hata” në popull. Edhe sot janë gjurmët e 97 vetëve të vrarë e të masakruar në Iseukaj të Karadakut.” Sot, pas gjashtëdhjetë vjetësh të kësaj ploje, Naip Nuhiu, përjetues i kësaj “tragjedie”, shton: “Brigada që kishte bërë tmerrin në Iseukaj, fshat në Malësinë e Karadakut, kishte hyrë në këtë lokalitet me urdhërin e Lubës së Leranit. Lerani është fshat në komunën e

Preshevës, i banur me serbë e me shqiptarë. Pas hyrjes në fshat, parizanët fillimisht nuk kishin bërë kurrfarë zullumi. Sipas Nuhiut, ata në fillim kishin bërë muzikë e kanë hedhur valle. Pasi kryenin vallen, i vrisnin të gjithë,” – tregon Nuhiu. Pra, kjo plojë është bërë në dhjetor të vitit 1944, ku pas ekzekutimit të njerëzve, ata i hudhnin në një gropë të gjerë, ku pastaj mbi kufomat e të vrarëve kanë hedhur ujë valë. Bile, thonë, kufomës së Nuhi Sylejmanit, ia kishin nxjerrë trutë përjashta, e plakut Qamil, ia kishin këputur njërën këmbë. Dhe, për dymbëdhjetë ditë, sa qëndruan partizanët në Useukaj, i detyruan njerëzit e kësaj ane me dhunë t’i burgosin e të hidhnin valle me muzikë që e bënin disa romë. Partizanët çetnikë hynin nëpër shtëpitë e shqiptarëve dhe kërkonin kaçamak, bukë, pastaj kërkonin ujë valë, për ta hedhur mbi trupat e gjallë të të burgosurve të pafajshëm”. Bile, kur e kanë zënë Hajdin Aliun, të kësaj ane, si shton Ismajl Hyseni, nga Shurdhani i Karadakut, ai qe i plagosur, por barbarët serbë e kanë masakruar më së keqi. Atij, si shton Xha Ismajli, – unë ia kam njeh 17 thika e dy plumba në trup. Ndërsa, Selim Norçës, bugarët ia kanë mbytur nanën, babën e një vëlla dhe ashtu të vdekur i kanë hudhur në bunarin e Norçës. E, te mullini i Preshevës, edhe aty ka pasur të vrarë 4 vetë.” Në këto vite, Fazli Haxhaj, jo vetëm që njihte dhe rrinte me shumë njerëz bujarë e atdhetarë, por edhe punonte me ta për të mirën e popullit e vendit. Këta ishin shokë dhe bashkëluftëtarë të pathyeshëm të tij, që e luftuan përherë armikun e asaj kohe, ushtrinë serboçetnike e atë bullgare. Në një vend thuhet se, “në rrethanat e robërisë së atdheut, të parët e kësaj ane, në krye me Idriz Seferin, e quanin veten shumë të pa autoritet e shumë të pavlerë, që të vdiset në shtrat”. E këta janë: Fazli Haxhaj (fshati Haxhaj), Adem Stançiçi (fshati Stançiç), Isuf Pidiçi ( Pidiç), Fazli Ranatoci (Ranatoc), Ali Staneci ( Stanec), Sylë Hotla (Hotël), Ymer Muçibaba (Myçibabë), Avdi Zuba ( nga fshati Zubaj), Hamëz Ballanoci ( Bellanoc), Xhemë Seferi (nga fshati Sefer), Ramë Seferi (Sefer), Halit Bulloshi (Bullosh), Hasan Remniku (fshati Remnik), Xheladin Guri (Shurdhan), Zymer Çaushi- Zylfiu (fshati Depcë), Xheladin Kurbaliu (fshati Kurbali), Ramiz Cërnica (Cërnicë), Mulla Idriz Gjilani (fshati Velekincë), Avdi Zylfiu (Depcë), Hamdi Zylfiu (Depcë), Hajriz Demiri (fshati Demiraj), Mulla Kadriu (fshati Llashticë), Fejzë Lubishta (fshati Lubishtë), Ramadan Idrizi (Sefer), Osmani Idrizi (fshti Sefer), Agush Remniku (fshati Remnik), Murtez Lubishta (fshati Lubishtë), Xhemë Mogilla (Mogillë, Ibrahim Godeni (Goden), Mustafë Rashiti (fshati Kokaj), Hajdin Rrustemi (fshati Terziaj), Shaqir Rrustemi ( i vjetër -Terziaj), Metush Haxhaj – Zeqiri (fshati Haxhaj), Mustafë Dauti (Haxhaj), Hajdar Bellanoci (Ballonoc), Xhavit Ballanoci (Ballanoc) Idriz Mahmuti (fshati Lladovë), Sejdë Budrika (Budrigë e Epërme), Sadik Kajolli (fshati Gjylekreshtë), Isa Shaipi e Asllan Dauti (fshati Haxhaj), Saçip i Xhymës (Zhegër), Halim Jetullahu (Selishtë), Idriz Haliti (Haxhaj), Xhemë Isufaj (Isufaj), Zymer Zhegra (Zhegër), Rashit Hoxha (fshati Haxhaj), Kadri Neziri (fshati disa luftëtarëve të kësaj ane Zhegër), Arif Kurbaliu (fshati Kurbali), Rifat Lladova (fshati Lladovë), Ukë Selishta (Selishtë), Hysen Tërpeza (Tërpezë), , Ismajl Hoxha (Kaçanik), Zylfi Baftjari (Zhegër), Bejtë Rrustemi (Zhegër), Brahim Haliti (fshati Haxhaj) etj. Hasan Dauti, nip i Fazli Haxhës, rrëfen: “ Pati edhe emra të tjerë që nuk i përmendëm, por, edhe këto figura mjaftojnë të njihen e të dihen se çka kanë kontribuar në çështjes tonë kombëtare. Dhe, i përmendëm këta emra, sepse sipas dëshmive (dëshmitarëve), por edhe sipas kujtime të atyre që jetojnë akoma e janë gjallë, janë bërë hulumtime e interesime për disa figurat të njohura të kësaj ane të Malësisë së Karadakut. Më tepër jem ndalur tek personaliteti i Fazli Haxhës, ku edhe është tema kryesore e këtij shkrimi dokumentar. Andaj, të gjithë emrat që i zumë në gojë, janë atdhetarë dhe luftëtarë të denjë të lirisë, të cilët, i kanë bërë, në një mënyrë a tjetër, rezistencë okupuesit të kohës. Ata nuk kanë kursyer as jetën, as pasurinë për kauzën madhore të çështjes sonë kombëtare në përgjithësi. Ata dhanë jetën për Kosovën tonë të shtrenjtë. Ata luftuan jo si kuislingë e mercenarë, por luftuan si adhetarë e patriotë, të cilët, si një, meritojnë kush më shumë e kush më pak, epitetin dhe emrin e heroit apo dëshmorit të kombit. Historia duhet të shkruhet drejt. Ajo nuk do lake, – është shprehur në shumë raste Fazli Haxhaj. Komunistët, të cilët erdhën në qeveri (pushtet), pas vitit 1945-48, nuk luftuan për të mirën e popullit të Kosovës. Ata, përkundrazi, luftuan e pushtuan dhe e ripushtuan Kosovën shqiptare. Përsëri iu vu popullit shqiptar laku në fyt. Ata nuk zgjodhën mjete për likuidimin e njerëzve; vranë, pushkatuan dhe burgosën e rrahen me qindra e mijëra shqiptarë. Po kështu, me mënyra perfide, zbatuan dhe jetësuan planet gjenocidiale të Dobrica Çosiqit, Çubrilloviqit, Andriçit e shumë të tjerëve, të cilët, me planet e tyre famëkeqe, bënë shpërnguljen e shqiptarëve në shkretëtirat e Anadollit të Turqisë e në vendet tjera të botës. Pra, i larguan shqiptarët nga vatrat e tyre stërgjyshore, për t’mos u kthyer kurrë më në Kosovën Nënë. Kjo ishte ajo “liria” që komunistët ua sollën popullatës sonë kosovare. Fazli Haxhaj, ishte ai njeri që e “mësonte” popullin se si të luftojë kundër kësaj egërsie serbe. Në odën e tij të madhe, ai haptas u rrëfente njerëzve se “populli shqiptar nuk e ka lirinë”. Këtë ai e tha në vitet 1960 – 70 e më vonë. Njerëzit vinin pa ndërprerë në shtëpinë e tij për të marrë këshilla nga ai. Ai dinte të bënte histori jo vetëm për vete, por edhe për të tjerë. Këto pjesë të historisë, që ua rrëfente Fazli Haxhaj, jo vetëm që ishin një pjesë e jetës dhe e përjetimeve të tij, por ai qe njeri me mendje shumë të kthjelltë e të “hollë”, i cili diti t’i mësojë të tjerët, sesi të gjenden në jetë me akupuesin. Ai ishte një figurë e madhe kombëtare e Karadakut. Fazli Haxhaj, atë kohë, punoi si kryeshef i xhandarmërisë në Zhegër. Këtë xhandarmëri e udhëhoqi Mustafë Haxhaj (Dauti), vëlla i Fazli Haxhajt. Atë kohë, ai kishte arritur të vendoste një pushet të brishtë në popull. Më vonë do të mundohemi të japin hollësi për punën dhe përbërjen që vepronte ky “njësit” i xhandarmërisë në Zhegër, i cili kontrollonte të gjitha fshatrat e Malësisë së Karadakut.

Fazli Haxhaj ishte burrë i mençur e pajtues i mirë i gjaqeve

Fazli Haxhaj ishte njeri i respektuar në Karadakun e Idriz Seferit. Ai gjithmonë ka kryer misione të mëdha për të mirën e popullatës së kësaj ane. Ka qenë njeri largpamës dhe shumë i ndershëm. Dora e tij kurrë s’është kursyer për asgjë. Ka qenë njeri zemërmadh. U ka ndihmuar njerëzve në çdo kohë. Ai ka lënë gjurmë dhe vepra të mira në pavdekësi. Pleqtë apo inteligjenca, që kryenin me te pajtimin e gjaqeve në trevat shqiptare të kësaj ane, ishin: Fazli Haxhaj, Mulla Kadriu (Llashticë), Mulla Rifati i Seferëve (Zhegër), Idriz Lladova (Lladovë), Feriz Ukmemetaj (Depcë), Hajriz Demiri (Demiraj), Qazim Idrizi (Zhegër), Azem Çeli (Beguncë), Ramadan Idrizi (Zhegër – Sefer) e shumë të tjerë. Fazli Haxhaj është i njohur edhe si mendimtar dhe burrë i zgjuar në këto anë të Karadakut.

Rifat Jashari nga Zhegra (hoxhë)

Rifat Jashari (1918), i ardhur nga fshati Sefer, por që tash jeton në Zhegër, ka fjalë miradie për Fazli Haxhën. Ai 41 vjet ishte imam i xhamisë në Zhegër dhe 20 vjet në fshatin Haxhaj. Ai sot shton: “Fazli Haxhaj ka qenë shtëpiak i mirë. E ka njohur shoqërinë, miqësinë. Ka qenë burrë i odave. Ai ka qenë njeri me inteligjencë shumë të rrallë e të shvilluar. Ka pasur dije. Ai, çka ka dëgjuar prej të tjerëve, ato “rrëfime”, i ka përcjellur te të tjerët dhe nuk i ka harruar. Ka mbajtur shumë në mend. Kurgjë nuk i ka shkuar për dije. Ai ka ditur të “rrëfejë” ngjarjet që kur ka hyrë Serbia në trollin kosovar. Ka ditur të shkruajë serbisht. Ka qenë njeri autodidakt. Por, ka qenë njeri shumë i interesuar për dije. Ishte njeri i urtë, i afërm, shumë komunikues e fjalëmbël. Nuk ka ditur dikë ta hidhërojë në jetë. Ai, një “pjesë” të kohës e ka kaluar në mal. E ka kërkuar “hyqmeti” i asaj kohe. Ai, së bashku me shokët: Adem Stançiçin, Isuf Pidiçin e unë, kemi pajtuar shumë familje shqiptare. Unë, – shton Rifat Jashari, – isha kryetar i tyre. Më kanë respektuar

shumë. Kemi pajtuar gjaqe duke filluar nga Konçuli e gjer në Kaçanik. Kemi pajtuar gjaqe në këto fshatra: Zhegër, Dunav, Stançiç, Pidiç, Çelik, Stubëll, Goden, Gjylekreshtë, Remnik Mogillë, Buzovik e në shumë fshatra tjera. Nuk ka pasur njeri më i “hollë” se Fazli Haxhaj. Ai çdo “muhabet” ia dilte ta përfundojë ashtu si e kërkonte puna. Dhe, të gjitha “ngjarjet”, ai dinte t’i rrëfejë me datë, ditë, muaj e vjet. Shumë ngjarje i mbante në mend. Ato “histori” të kohës, ai i “rrëfente” si të jenë të “gjalla” e të “freskta” kohe. Sidomos, lufën e Idriz Seferit, kreshnikut të Karadakut, ai e ka rrëfyer dhe e ka mbajtur shumë në mendjen e tij. Mu për këtë, shumë studjues e historianë tanë, kanë ardhur tek ai për ta pyetur për Idriz Seferin, trimin e kësaj ane. Me fjalë të tjera, ai ka qenë një njeri shumë njohës i mirë i “historisë” anës së Karadakut. Ka qenë njeri i “gjymertë” e shumë human në jetë. E ka pasur “zemrën” e madhe. I ka shkuar mendja të secili njeri, që i ka munguar buka e kripa. Por, ka qenë edhe njeri “asgan” (trim). Ai nuk i ka duruar fjalët e shtrembëra nga kundërshtari. Kur i ka ardhur rendi, shton Rifat Jashari, ai ka hyrë edhe në grindje me njerëz. Ka qenë si njeri i rreptë dhe aty për aty është zemruar për të ta ndarë të drejtën nga e padrejta. Kjo kohë, koha e Fazli Haxhës, ishte shumë e rëndë për popullatën e kësaj ane. Më parë Serbia, mandej Bullgaria e ka “nënshtruar” dhe e ka dërrmuar këtë popull autokton. Njerëzit e kësaj Malësie kanë vuajtur shumë nga regjimet e egra të okuptorëve. Ata (njerëzit), janë torturuar gjer në në skajshmëri. Janë vrarë, përvëluar e masakruar, vetëm se kanë qenë shqiptarë. Nuk ka vend ku nuk ka varre. Gjurmët e varreve janë edhe sot. Shihni, shton Rifat Jashari, këtu në oborrin e xhamisë, janë të varrosur shumë njerëz të familjes së Shabovitëve, të cilët, shkijet çetnikë, i vranë në vitet 1912. Sepse, kur është mbrojtur kufiri në Kitkë, në atë luftë ka shkuar vullnetar Qerimi i Shabovitëve. Ai atje bëhet bajraktar në luftën e Kitkës, vend ky mu në kufi me Serbinë. Ai atje më shumë shokë ka bërë rrezistencë për t’a mbrojtur kufirin nga hyrjet e ushtrisë serbe në Kosovë. Dhe, thonë, nga atje, Qerimin e kanë shënuar në “tefterët” e tyre. Dhe, kur erdhën kohët “tjera”, regjimi serb ka ardhur me adresë te dera e Qerimit, thotë R. Jashari. Ata i kanë pyetur serbët lokalë: “Ku është dera e Qerimit?” Këta serbët vendorë të Zhegrës i kanë thënë se, “Qerimi ka babën, djem, vëllezër etj. Një ditë, serbët çetnikë, duke njohur “terenin” mirë, ata i marrin me dhunë të gjithë meshkujt e kësaj mahalle dhe i kanë radhitur mbi rrugë, mu te kopshti i Hakisë së Ramës së Zhegrës. Në atë moment del Qerimi, babai i Ramës, plak e u ka thënë çetnikëve serbë: “Hej, çka jeni duke bërë?” Ata (çetnikët, të armatosur serbë, ia kthejnë: “Janë këta njerëz të “mirë”, të cilët dinë të na tregojnë diçka…I kemi marrë për pak kohë. Po, pasi po të dhimbsen e po thua se janë të mirë, eja edhe ti e hyn këtu me ta në rresht.” E marrin Qerimin dhe i thonë: “Tashti edhe ty do të fotografojmë”. E marrin dhe e rendojnë me shumë të tjerë. Aty kanë qenë 12-13 vetë: Qerimi me djalë, Braha me nip, Ahmeti me vëllezërit, Rrustemi me kusheri, Duli , Hamzi, vëllai i Rrustemit etj. Aty kanë qenë Ahmeti e Aliu i Demovitëve, si dhe Qerimi i Sylës, i mëhallës tjetër nga Zhegra. Kështu, në Zhegër, nga armët e zjarrit të ushtrisë së Serbisë së Parë, janë masakruar e vrarë 12 vetë. Këta janë vrarë dhe pas një dite, ata i kanë varrosur në oborrin e xhamisë në Zhegër. Kjo kohë ka qenë në kohën e Serbisë së Parë”, shtoi R. Jashari, 87-vjeçar, nga Zhegra e Karadakut.

Fazli Haxhaj ishte luftëtar i Shaban Palluzhës në Drenicë

Por, kur ishte fjala për Fazli Haxhën, ai ka marrë pjesë në Brigadën e Shaban Palluzhës. Ai nuk ka qenë vetëm, por në luftë ai ka marrë pjesë me vëllezërit e tij: me Mustafën e Metush Haxhën. Ndërsa, Fazli Haxhën, pushteti i asaj kohe e ka pasur zili. Nuk e ka “njohur” si njeri të “dëgjueshëm”, por si nacionalist. Atë e kanë njohur si njeri që ka punuar kundër shtetit të asaj kohe. Fazli Haxhaj ishte pasanik i madh. Atë kohë, ai kishte jo vetëm tokë, por edhe male e shumë bagëti. Dhe, mu për këtë, atë e kanë dënuar më shumë me atë masën e “otkupit”, kohë e

komunizmit. Po kështu, pas çlirimit, atë nuk e përkrahë regjimi i Titos. E kishin mendjen se F. Haxhaj ishte nacionalist i “fortë” i asaj kohe. Ia kishin frikën familjes së tij. “Kijametin”, – thotë R. Jashari, – e ka pasur familja e Fazli Haxhës nga ai pushtet serb. Mu për këtë, meshkujt nuk kanë guxuar të flejnë në shtëpi. Ata natën kanë qëndëruar në mal, ditën shtëpi.

Ai ishte njeri shpirt mirë e zemërgjerë…Ai, afër rrugës për në Shurdhan, ka ndërtuar në mur dritare me kapak prej druri. Aty ka lënë bukë taze për udhëtarët e Karadakut. Bukën e kanë përgatitur gratë. Ajo ka qenë me kripë, djathë etj. Kur fëmijët i shihnin drumtarët duke ecur rrugës për në fshatrat e largta të kësaj ane, se ishin të lodhur, u thonin: “Urdhëroni, aty keni bukë taze”! Ata ktheheshin dhe e shuanin urinë me bukën e Fazli Haxhës. Tjetër, shkijet e Zhegrës ua kanë pasur frikën haxhajve. Krej mëhalla e serbëve të Zhegrës, si: mëhalla e Nikollës, Gutës, Pavës e Milës,- thotë R. Jashari, – kanë qenë pronë e familjes se Haxhajve. Bile, kur është kthyer gjermani, haxhajt deshën të hynin në shtëpitë e tyre, serbët e këtij lokaliteti, në vitin 1941, i kanë larguar haxhajt me gjermanë nga trojet që i kanë zënë të shqiptarëve të fshatit Haxhaj.

Fazli Haxhaj ishte njeri bamirës i madh e arsimdashës

Fazli Haxhaj ishte njeri i respektuar në Karadakun e Idriz Seferit. Ai gjithmonë ka kryer misione të mëdha për të mirën e popullatës së kësaj ane. Ka qenë njeri largpamës dhe shumë i ndershëm. Kurrë dora e tij s’është kursyer për asgjë. Ka qenë njeri zemërmadh. U ka ndihmuar njerëzve në çdo kohë. Ai ka lënë gjurmë dhe vepra të mira në pavdekësi. Nazmi Dauti, djalë i Fazli Haxhës (arsimtar), shton: “Baba im ka qenë njeri bamirës i dalluar në jetë. Ai ka dhënë ndihma të pakursyera për ta ndihmuar popullatën shqiptare. Si sot, – shton Nazmiu, – më kujtohet, për ta kaluar njeriu kufirin, ai ka dhënë qypin me tëlyn. Njëzet e dy vjet ka qenë i sëmurë nga astma. Mu për këtë, ai 22 vjet e ka mbajtur jastekun pas vete. Baba, shton Nazmiu, – ka mbajtur armë të rëndë. Kurrë pa armë nuk ka qenë. Por, armë kanë pasur edhe vëllezërit tjerë. Por, në kohën e Rankoviqit, ai e ka dorëzuar mitrolezin e rëndë. Edhe katër vëllëzërit të tij i kanë dorëzuar armët. Atë kohë kanë luftuar në Kodrën e Zezë për ta mbrojtur kufirin ngas çetnikët serbë e maqedonë. Ai është i pari që në fshat solli mësuesin Shefqet Kaçanikun në Zhegër për t’i mësuar fëmijtë në gjuhën amtare. Baba, – shton Nazmiu, – mësuesit Shefqet ia pati siguruar vendin për buajtje. Kjo kohë ishte në vitet 1953-54. Mësuesi Shefqet nuk punoi shumë kohë në Zhegër. Atë nuk e deshi regjimi i asaj kohe. E larguan nga Zhegra UDB-a serbe dhe ish-komiteti. I thanë se është i “padëshirueshëm” në arsimin shqip. Ai punoi tri vjet në Zhegër. Nga ai dolën shumë mësues e arsimtarë të mirë. Pasi na kishin në sy për të “keq”, – shton Nazmiu, – ish pushteti i atëhershëm na solli “visikat” (pasaportat) për t’na shpërngulur nga ky vend. Por, baba këtë “punë” nuk e ka pranuar kurrë. Ai ka bashkëpunuar me Mulla Kadrinë e Llashticës. Këta e kanë ftuar popullin që të mos shpërngulen nga vatrat e tyre, se pushteti e regjimi të asaj kohe e dëshironte një shpërngulje të disa familjeve “atdhetare” e rebeluese nga trojet e tyre. Pushteti i asaj kohe bënte çdo gjë që disa fmilje “atdhtare” e nacionaliste t’i largojë nga Kosova. Atëkohë, i shpërngulnin shumë familje në viset e shkretëtirave të Anadollit (Turqisë). Dhe, Nazmiu shton, – në vitet 1960 popullata është qetësuar nga kjo e keqe. Kështu, familjes sonë i hyri “lepuri” në bark, si thotë populli. Dhe, në vitet 1958-1959, një pjesë e familjes sonë është shpërngulur në Lipkovë të Maqedonisë. Në këtë vend janë larguar vëllezërit e Isa (90) e Mustafa. Baba ka qenë njeri jetim. Ai është i lindur te dajt, në Bellanoc, me 27 shtator të vitit 1903 (dita e mërkurë), shton Nazmiu. – Nëna e ka pasur emrin Xhemile. Ka qenë e Bellanocit. Baba nuk ka pasur shkollë. Por, ka pasur dije të jashtëzakonshme. Ai ka ditur, shton Nazmiu Dauti, tri gjuhë t’i shkruajë e t’i flasë: gjuhën shqipe, serbe e bullgare. Thonë, duke luftuar te Kodra e Zezë, ai atë kohë e ka pëcjellë shtypin

bullgar dhe është informuar për “gjendjen” e luftës. Ka luftuar tre muaj ditë. Ka pasur shokë nga fshati Haxhaj, Lladova, Nasala, Stançiçi, Gjylekreshta, LLashtica etj. Por, ka pasur shokë vullnetarë nga viset tjera të Kosovës. Nga baba Fazli (Haxhaj), sot jemi mbi 130 anëtarë: meshkuj e femrat të martuara. Ai ka qenë edhe mjeshtër (zdrukthtar. Ka punuar me Idriz Lladovën punë zdrukthtarie: dyer, dritare e punë tjera nga druri etj.

Fazli Haxhaj ishte luftëtar i denjë për liri

Nazmi Dauti, arsimtar në pension (haxhi), tash me banim në Ferizaj, për babanë e tij, shton: “Baba im ka qenë lutëtar i denjë për liri. Ai ka luftuar me Mulla Idrizin Gjilanin. Bile, atë kohë, baba Fazli, me shokët tjerë, ka luftuar për bashkimin e trojeve gjithëshqiptare. Ishte i tëri për një Shqipëri etnike shqiptare. Ai ka luftuar edhe në Drenicë. Ka shkuar vullnetar të luftojë në Prekaz, ku ishte bashkëluftëtar i Shaban Palluzhës. Dhjetë vjet, pas çlirimit, baba nuk ka pasur të drejtë votimi. E kanë quajtur nacionalist të përbetuar. I thonin edhe ballist. Këtu në Karadak, te Kodra e Zezë, ai ka luftuar me vëllezërit: Mustafën, Isën, Shaipin, Idriz Haxhën e me të tjerë. Këtu ka luftur edhe Nuhi Aliu nga Zhegra. Ky ka qenë trim i kësaj kohe. Ai ishte i lindur në Zhegër, më 1903. Ky luftar i takonte familjes me traditë të pasur. Dy muaj ditë ka luftuar në mbrojtje të kufirit kah Presheva. Ai në vitin 1944 ka luftuar në fshatin Raincë gjer te Guri i Zi. Por, ka luftuar me shokë edhe në fshatin Mazeq, lokalitet afër Lipkovës së Maqedonisë. Dhe, në tetor të vitit 1944, Nuhi Aliu plagoset dhe merr plagë të rënda në dy këmbët. Nuk pati fuqi më të luftojë. Kthehet në fshatin Stubëll dhe mjekohet nga Elez Halimi nga fshati Selishtë. Pas shërimit, ai kthehet në shtëpi, Zhegër ku vdes më 1981. Ishte një nga luftëtarët e shquar të kësaj kohe. Së bashku me Gani Ajetin, Zylfi Ramadanin e me shumë e shumë të tjerë, ai ka luftur e nuk është trembur nga armiku gjakatar. Kanë qenë të strehuar në Bellanoc. Nuk ka guxuar të qëndrojë në shtëpi, por gjithnjë është mëshehur e i strehuar nëpër familje të të afërmëve të kësaj ane. Regjimi i asaj kohe e kërkonte. Ishte ky luftëtar i kohës kur ka vepruar Fazli Haxhaj. Dhe në kohën e vitit 1941, populli i kësaj ane ka qenë i malteretuar nga bullgarët e nga serbët çetnikë. Duke parë këtë farë “fushate” të këtij pushtuesi të “egër”, ai me Isuf Pidiçin, Adem Stançiçin ka shkuar në këmbë në Shkup për ta paditur Vuk Nikollën te “kapteri” (komandanti) bullgar. Ata kanë shkuar te “Bani” i Shkupit për ta paditur Vuk Nikovin, bullgar, i cili ishte kryesori që bënte e urdhëronte tortura të rënda ndaj shqiptarëve. Një Ismajl Kaçaniku, ka qenë një njeri “kallauz”, i cili edhe ishte i parë në Maqedoni nga shqiptarët. Ai, sipas fjalëve të Rifat Jasharit, nga Zhegra, ka qenë në Zhegër për ta parë gardën bullgare se si veproi në këtë anë. Sepse, në këtë kohë, banorë e Remnikut janë shpërngulur jashtë fshatit nga bullgarët. Ata kanë ikur për faktin se, bullgarët bënin tortura çnjerëzore në njerëz,” – shtoi R. Jashari. “Baba Fazli, – shton djali i tij, Nazmiu, – “ishte udhëheqës i këtij grupi. Ai pyetej për këtë anë. Kur janë afruar afër Shkupit, e kanë gjetur një njeri me qerre të ngarkuar me sanë. Në këtë vend s’ka mundur askush të hyjë, nga se ka pasur shumë roja. E lusin pronarin e qerres që t’i afrojë gjer te zyrja e kapterit. Ai i merr dhe i shtie në sanë. Këtë “ngjarje” e përgadisin mirë e mirë. I pari në zyre të kapterit të bugarit hyn baba Fazli. Bile, thonë kanë qenë me plisa të bardhë. Kapteri e pranon. Kur i pyet se çka ka në këtë anën e Karadakut të Zhegrës, baba i rrëfën gjatë e gjatë se si bugarët po bëjnë tortura të rënda në njerëz. Ai nuk beson. U thotë: “Nëse ka të vërtetë, unë do vij sot atje”. Bile babës i ka thënë se “po rren, s’e kjo gjë nuk është e mundur”. Kapteri çohet në këmbë dhe ia shtie alltinë (revolën) në gojë babës. Bile, si shton Nazmiu, Xha Faziut ia then dhëmbin e syrit me revole. Baba, edhe pas kësaj “ngjarje”, ia thotë kapterit bullgar të vërtetën në sy, se iu dhimsej popullata e Karadakut. Kapteri bullgar i drejtohet babës: “Nëse është rrenë, kam me të vra me dru!”. Baba pranon. “Do të vij tash atje” – i ka thënë kapteri bullgar. Fazli Haxhaj del nga zyra e kapterit. Ai

me shokët e vet, në Hasan Beg, i ka gjetur tre kuaj. Me kuaj kthehen në Zhegër. Kur vjen kapteri, ai çuditet se si këta kanë arritur para tij. Kapterin e çojnë gjer në Lladovë. Aty e gjejnë Rifat Rexhepin, tash i ndjerë, të varrosur në pleh. Atë, bullgarët e kanë rrahur aq shumë, sa e kanë lënë për të vdekur. Të familjes Rifat Rexhepin e kanë shtie në pleh për t’ia kthyer shpirtin. Bile, thonë, nga torturat barbare bullgare, disa nga femrat e këtij fshati kanë kërcyer nga kati i dytë i shtëpive. Kapteri e sheh këtë “ngjarje” dhe kthehet i turpëruar. Edhe një vëlla timin, – shton Nazmiu, – e kanë rrahur bullgarët vetëm pse nuk i ka përshëndetur me fjalën “dobërden – bullgarçe”!

Ishte autodidakt, por e mësoi vetë shkrim-leximin…

Fazli Haxhaj ishte njeri autodidakt. Nuk kishte asnjë ditë shkollë. Por, ai ishte nga natyra me njohuri të shumta të dijes. Vetë e mësoi shkrim-leximin në gjuhën serbokroate. Por, dinte të lexonte shqip e bullgarisht. Ai e deshi shkollën. Pati dëshirë të madhe t’i shkollojë djemtë e tij. Por në atë kohë, ai kishte rënë në konflikt me regjimin aktual serb. Atë e konsideronin si kundërshtar të shtetit. Nuk ishte vetëm ai, por e gjithë familja e tij. Kështu, ai për shkollën shqipe mendoi shumë sesi të vijë ndonjë mësues nga trevat tjera e t’i mësojë fëmijët në gjuhën amtare. Në fshatin e tij nuk punonte asnjë shkollë. Mendoi dhe, shtëpinë e vetë e lëshoi të jetë shkollë. Dhe, në vitet 1953-54, e lëshoi shtëpinë e vet me dy dhoma dhe korridor për të mësuar nxënësit e fshatit Haxhaj. Ai me dashuri të madhe në Haxhaj e solli mësuesin e parë, Idriz Idrizin nga Zhegra. Ky ishte nip i Idriz Seferit. Ky mësues i parë i kësaj ane, ka vdekur pra pak muajsh në Zhegër. Familja e Fazli Haxhajt e ka ndihmuar shkollën shqipe mjaft. Për atë kohë, ai i ka dhënë 120 mijë banka për ndërtimin e shkollës në fshat. Këtu shkolla ka punuar nga çlirimi i vendi e gjer më 1970. Kjo shkollë ka qenë e ndërtuar në oborrin e Fazli Haxhajt. Dhe, në vitin 1972 është ndëtuar shkolla e re me vetëkontributin e fshatarëve të këtij lokaliteti. Ky objekt shkollor është ndërtur në periferi të fshatit, kah Zhegra. E, Fazli Haxhaj, ishte personalitet dhe atdhetar i madh i kohës. Ishte i njohur edhe si besimtar i madh në popull. Qe njeri i vendosur i fjalës e i punës në jetë. Ai, më 1964 shkoi në haxh me grupin e parë të haxhinjve nga Gjilani. Edhe para, por edhe pas, këtë njeri e vizituan shumë shokë, miq e të afërm të ndryshëm, ku i uruan shkuarje në Mekë, për t’u bërë haxhi. Pas kthimit nga haxhillëku, në vitet 1970, ai e ndërtoi xhaminë e

fshatit Haxhaj. Për ndërtimin e kësaj xhamie, ai e fali arën e tij më të mirë. Sivjet, është përvjetori i 30-të i vdekjes së tij. Ai vdiq, më 11 mars të vitit l987 në moshën 84-vjeçare në fshatin Haxhaj, Malësia e Karadakut. Ishte një personalitet që la një “vepër” jetësore në shërbim të atdheut dhe popullit të tij.

 

You Might Also Like