SC Gjilani, sot për herë të parë ka mbajtur konferencë për gazetarë, në ambientet e reja të klubit, të cilat i kanë rregulluar kryesia e këtij klubi.
Trajneri nga Vlora, Gentian Mezani ka theksuar se ndeshja e nesërme është shumë e rëndësishme për ,,kuqë e bardhët,, e SC Gjilanit.
,,E dimë se na pret një ndeshje e vështirë, por nga kjo ndeshje kërkojmë tri pikë për t’u larguar nga zona e rrezikshme e tabelës , po ashtu edhe kundërshtari ynë Feronikeli kërkon që nga kjo ndeshje të dalë pa humbje, por ne jemi mobilizuar në të gjitha aspektet si në anën psikologjike, po ashtu edhe të sistemit të lojës, të cilës do t’i qasemi nesër kësaj ndeshje dhe alternative tjetër nuk kemi përpos fitores”, thekson Mezani. Trajneri Mezani ka bërë të ditur se skuadra e Gjilanit nuk e meriton pozitën të cilën e ka.
,,Me gjithë sfidat të cilat i ka patur skuadra gjatë kampionatit, mendoj se kemi lënë disa pikë mbrapa, por është momenti që në ndeshjen e nesërme ta mposhtim kundërshtarin tonë të drejtpërdrejt dhe në këtë mënyrë të largohemi nga pozita e barazhit për gjashtë pikë, për këtë sfidë ne kemi punuar gjatë tërë javës dhe mendoj se nesër ne do të jemi ata të cilët do të gëzohemi në fund”.
Kapiteni i SC Gjilanit Edison Kqiku para ndeshjes vendimtare me Feronikelin ka theksuar: ,,Jemi në një pozitë ku na nevojitet fitorja , gjatë tërë javës jemi përgatitir maksimalisht e dimë se do të jetë vështirë, por ne kërkojmë tri pikë për tu rehabilituar”.
Ndeshja SC Gjilani -Feronikeli zhvillohet nga ora 15 tek fusha me bari sintentik.