Futboll

Histori e futbollit: Ja si e kishte fituar KF Gjilani Kupën e Kosovës në vitin 2000

Shkruan: Enver Sadiku

SC Gjilani është në finalen e Kupës së Kosovës në Futboll, pikërisht 23 vite pasi e kishte fituar këtë trofe në Stadiumin e Qytetit në Prishtinë, kur e kishte mposhtur Besianën me rezultat 1:0.

Para finales që SC Gjilani do t’a zhvillojë ndaj Prishtinës, lexueseve tanë të kryelajmi.com po ua kthejmë në kujtesë finalen e vitit 2000, pak muaj pasi që lufta kishte përfunduar në Kosovë.

 

E diele 18 qershor 2000.

Gjilani – Besiana 1:0

Stadiumi i Qytetit në Prishtinë. Shikues: 15 mijë. Gjyqtarë: Nijazi Shuleta, Ibrahim Delibashzade dhe Adil Sopi të Prishtinës. Shënues: Besnik Kollari në minutën 75. Kartoni i verdhë: F. Fetahu e S. Ajeti të Gjilanit dhe F. Statovci i Besianës.

Gjilani: Ajdini, Xhemaili, Sadriu, Ajeti, Jerliu, Terziu, N. Sahiti, Rrahmani, Kollari, Hodai dhe Muji. Trajner: Musa Selimi.

Besiana: Qosa, B. Islami, Hoxha, Salihu, Kurti, F. Statovci, Emini, Arifi, Konushevci, Rrahmani dhe Keçi. Trajner: Bilbil Sokoli.

Gjilani ka fituar trofeun e parë në liri, menjëherë pas luftës, kurse në këtë ndeshje topin i pari nga mesi i fushës e kishte nisur legjenda e futbollit Kosovar, Fadil Vokrri. Në ndeshje nuk pati raste të shumta shënimi, ngase të dy ekipet më shumë ishin të përqendruara në mbrojtje dhe pritnin gabimin e kundërshtarit. Besiana pati disa gjysmëraste nëpërmjet të Statovcit, Salihut, Konushevcit e Eminit, kurse Gjilani kishte rrezikuar nëpërmjet Kollarit e Rrahmanit.

Në pjesën e dytë shumë më të mirë ishin lojtarët e Gjilanit, të cilët rastin më të mirë e patën në minutën 56, kur pas harkimit të Kollarit nga e majta, Rrahmani nga afërsia nuk e arriti topin. Mirëpo, në minutën 75 ishte Besnik Kollari që ka shënuar. Pas harkimit të Mujit, Fetahu vetëm e vazhdoi topin deri te Kollari, i cili gjuajti për mrekulli e portieri Qosa i Besianës vetëm e përcolli atë se si po futej në rrjetë.

Deri në fund të ndeshjes, mbrojtja e Gjilanit diti të ruaj portën, sikurse që sulmuesit e Gjilanit disa herë ishin në pozitë shumë të mirë për të shënuar.

Pasi gjyqtari dha shenjë për përfundimin e ndeshjes, Gjilani ishte fitues i Kupës së Kosovës për vitin 2000, të cilën kapitenit të Gjilanit, Selajdin Jerliu ia dhuroi kryetari i atëhershëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Rexhep Abdullahu.

Me kupën e fituar, futbollistët e Gjilanit dhe adhuruesit e tyre më të flaktë “Skifterët” janë kthyer në Gjilan, ku ishin mbledhur shumë qytetarë. Me të arritur në platonë para Shkollës Fillore “Selami Hallaqi” në Gjilan plasën fishekzjarrët, kurse festa vazhdoi deri sa ra muzgu dhe të gjithë u desh të shpërndahen, ngase me rënien e muzgut në Gjilan në atë kohë ishte në fuqi ora policore e vënë nga ushtarët amerikanë të KFOR-it./kryelajmi.com/.

You Might Also Like