Gjilan, 17 shkurt / Me një akademi kushtuar 12-vjetorit të pavarësisë së Kosovës si dhe një koncert festiv, sonte në Gjilan, janë përmbyllur aktivitetet njëjavore për nder të 17 shkurtit, të cilat janë mbajtur nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri.
Me këtë rast, kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, njëherësh nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë, ka folur për përpjekjet e brezave, për të arritur deri te kjo ditë, duke falënderuar të gjithë ata që rezistuan në këto dekada të mëdha, në ditë të vështira dhe në sfida të mëdha.
“Falë kësaj rezistence e këtyre kryengritjeve, sot, ne të gjallët, me dhimbje të mëdha dhe me përpjekje të mëdha po përpiqemi ta ndërtojmë Republikën tonë, që ajo të jetë e plotë për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë dhe e plotë për të gjitha etnitë joshqiptare kudo që janë, e plotë për të gjitha besimet fetare, ku do që ata besojnë, në një Zot, në një Atdhe dhe në një Diell, siç thoshte Mulla Idriz Gjilani”, ka thënë kryetari Haziri.
Ai ka shtuar se meritat për këtë liri, nuk i takojnë askujt, pos dëshmorëve.
“Kjo liri e sotme, nuk na takon dhe nuk na bënë nder që t`i atribuohet askujt, asnjë grupimi, asnjë gjenerate, pos dëshmorëve, që në dekada dhe shekuj u kryengritën dhe nuk u bindën, luftuan dhe arritën që kjo ditë e bardhë sot në Republikën tonë të jetë trashëgimi dhe testament për të gjithë ata që jetojnë këtu”.
Por, kryetari Haziri ka thënë gjithashtu se kjo liri nuk është e plotë, nëse nuk shtrihet në çdo pëllëmbë të vendit dhe nuk zgjidhet e drejta e shqiptarëve në Luginë.
“Kjo liri nuk është e plotë, nëse sovraniteti, po ashtu sikurse edhe liria, nuk shtrihet në tërë territorin e Republikës, nuk zgjidhet e drejta e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë,
meqë Kosova vjeneze nuk u bë lëkurë për të gjithë. Kjo pavarësi dhe liri e Kosovës nuk është e plotë pa e përjetuar edhe shqiptarët e Luginës këtë ditë”, tha ai.
Kryetari Haziri ka folur edhe për ndryshimin që ndodhi para disa javësh në skenën politike, duke thënë se synimi jonë është një republikë e drejtë dhe e barabartë për të gjithë
Besimi në Atdhe dhe Zot i ka bashkuar shqiptarët në ditë të vështira, prandaj ky besim duhet t`i bashkojë edhe sot për ta zhvilluar vendin tonë, për ta ruajtur kufirin tonë, për ta ruajtur familjen, si qelizën më të madhe dhe të vetme të funksionimit të shtetit, të cilin shqiptarët, pavarësisht ku jetojnë e ndjejnë si atdhe të tyre, familje të tyre dhe si republikë të tyre.
Natyrisht që neve na takon t`i nderojmë ata që kanë dhënë më të shtrenjtën dhe më të çmuarën e tyre, kanë sakrifikuar njerëzit më të dashur të tyre, disa prej të cilave sot janë këtu mes nesh.
“Këto heroina na obligojnë që edhe njëherë më shumë, edhe njëqind herë më shumë të punojmë për këtë republikë, sepse gjaku i tyre bën dritë sot mbi paqen dhe lirinë e Kosovës”, ka thënë kryetari Haziri, duke falënderuar për bashkëpunim të gjithë njerëzit e Gjilanit, përfshirë edhe opozitën në Kuvend Komunal.
Me rastin e këtij përvjetori të pavarësisë, me çmimin “Heroinat e Qytetit” u nderuan Fatime Ahmeti, Hyrije Baftiu dhe Mevlide Hyseni, gra të dëshmorëve, të tria me motivacion për kontributin e dhënë për të mirën e vendit.
Me çmimin “Idriz Seferi”, i cili sivjet u nda për herë të parë, u nderua veprimtari i kauzës kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ramiz Tafilaj.
Kurse me çmimin “Nderi i Qytetit” u nderuan Faredin Sherifi dhe Ekrem Gjinolli (pas vdekjes) për kontributin e dhënë për të mirën e qytetit.
Pas ceremonisë së ndarjes së çmimeve, u dha koncert festiv nga soprano Ardita Meni dhe pianistja Genita Hoxha nga Shqipëria.