Libri

KOMUNIKIMI ARTISTIK NË DEPËRTIM TË MESAZHIT

  Nexhat REXHA –

( Labinot Berisha:” Qasje veprave të Ibrahim Kadriut II”, Botoi, SHB. “Beqir Musliu” , 2018, fq.269 ) .

Komunikimi si formë e zhvillim shoqëror ka disa mënyra e specifika që artikulon vetë njeriu, nëpër procese e ngjarje. Në këtë rrjedh të formimit dallues krijohet edhe vepra e cilës do fushë qoftë ajo. Mirëpo, ajo që e dallon karakterin njerëzor është vetë perceptimi i autorit në parashtrimet e tija artistike. Kështu, Labinot Berisha para lexuesit vjen me veprën e Ibrahim Kadriut ” Qasje veprave të Ibrahim Kadriut II”. Autori ka shkruar parathënien e librit, e cila afron e krijon mundësi për lexuesin të ketë në dorë mendimin e lirë të shumë protagonistëve, të cilët janë marrë e kanë dhënë mendim kritik për veprën letrare të Ibrahim Kadriut. Fjala e paraqitur në këtë vëllim, arsyeton e jep kontributin e autorëve në njohjen sa më komunikuese me atë që ka libri brenda vetes. Rëndësia e librave të këtillë është me vlerë, sepse ato i afrojnë lexuesit informacion të larmishëm, e që janë të rralla në letërsinë shqipe. Komunikimi artistik në libër shtron çështje e ide brenda kopertinave, të cilat luajnë rolin afirmativ dhe nxitës për lexuesin e kohës. Në këto parashtrime vepra letrare e cilit do autor qoftë ajo krijon mendimin e kohës kur vepra është botuar. Në këto radhitje mendimesh vijnë edhe përshtypjet e autorëve të ndryshëm për veprën letrare të Ibrahim Kadriut. Ndarjen dhe përcaktimin në përgatitjen e librit, Labinot Berisha e ka bërë në pesë fusha , të cilat janë edhe konstatime e vlerësime që dokumentojnë veprën si komunikim me lexuesin dhe autorin. Në këto përfaqësime libri begaton e zbërthen mendimin e këtyre autorëve, të cilët janë marrë me veprën apo edhe pjesë tjera të jetës dhe aktivitetit të Ibrahim Kadriut.
Nëpër faqet e këtij libri lexuesi i vëmendshëm ka mundësi të krijoj mendimin e veprave letrare të Ibrahim Kadriut dhe parashtrimet tematike që trajton ai nëpër veprat e tij. Ibrahim Kadriu ka krijuar bagazh të suksesshëm artistik që nga fillimet e krijimtarisë artistike me veprën e parë “Netët e Karadakut” 1969 e këndej. Prania e tij në krijimtarinë letrare është begati në të gjitha periudhat kohore, ajo gjithnjë ka depërtime të reja, si dhe njëkohësisht talenti, pena e tij ka arritur të kultivojë vlerën e dalluar në letrat shqipe. Punimet e përmbledhura në këtë libër vazhdimësi, krijojnë e ruajnë aktualitetin e veprimtarisë letrare të Ibrahim Kadriut. Në këtë realitet të ri, ai ka ruajtur mënyrën e formën e komunikimit artistik, si parashtrim dhe njohje me realitetet e krijuara shoqërore në botën shqiptare. Periudha shkrimit të romaneve nga” Kroi i iIaçit” e këndej kanë ruajtur në vete historinë e paluar nëpër epoka nga më të ndryshmet, të cilat janë dokumentaritet, përjetim e shpalosje e përfolur në të gjitha trevat e vendit tonë. Mirëpo, ato ashtu kanë mbetur të ngujuara në kujtesën e brezave që kanë ikur apo te ata njerëz që kanë ruajtur ende në kujtesën e tyre këto plagë e damkosje të jetës e zhvillimeve jetësore nëpër proceset e ndrydhjeve të mëdha për popullatën shqiptare.
Historia dhe karakteri i njeriut tonë ka reflektuar nëpër këto procese sa të vështira, po aq edhe domethënëse nëpër të gjitha ndërrimet e sistemeve, e që për fat të keq për ne kanë qenë gjithnjë okupuese. Këto procese jetësore nga afërsia shihen, përjetohen në romanet e tij sidomos në ato që janë krijuar në këto dy dekadat e fundit. Tematika e shtruar në këto vepra ka ngjalluar kureshtje për lexuesin e cilësdo shtresë, qoftë ai. Ibrahim Kadriu ka lexuesin e tij nga të gjitha shtresat shoqërore, sepse mënyra e parashtrimit, forma e dhënë në komunikim artistik është e pranueshme për lexuesin e sotëm. Në të gjitha vrojtimet e parashtruara në prozë, poezi, intervista e shkrime publicistike Ibrahim Kadriu ka ruajtur bukur ngjyrimet e kohëve. Ato kurdoherë që lexohen, krijojnë imazhin e përjetimit si ngjarje e dukuri me të gjitha pamjet e arealit tonë. Këto sekuenca të trajtuara në gjerësi apo vetëm edhe të prekura ,arrijnë e nxisin dialogimin e lexuesit me njeriun e sotëm dhe atë që ka përjetuar, dëgjuar për ngjarje që kanë krijuar tmerrin, e disa nga ato që po krijojnë dridhje të padëshirueshme në skenën politike të ditëve tona. Njohja e rikthimi në retrospektivën e kohëve në disa nga veprat e Ibrahim Kadriut janë realizime, që po krijojnë përshtypjen e diktateve të së kaluarës me përngjasimet e sotme. Këto prekje artistike janë realizime që i kanë munguar prozës e letërsisë shqiptare. P.sh. romanet “Kalorësi i Karadakut”, “Në Vajhall”, “Gloria në mes”,”Pjella e dreqit”, Kapërcimi i ujit të madh”, “e sidomos romanet “Përtej binarëve”, “Misioni Rus” në këtë vëllim kanë trajtime të rëndësishme nga autorët që janë marrë me këto vepra. Vlen për të theksuar se romani “Misioni Rus”,është njëri ndër romanet që ka depërtuar tek lexuesi i sotëm , sepse tematike e romanit ende është e njohur në realitetin tonë, por që si tematikë e shkruar ka qenë paprekur në letrat tona. Kurse, dihet se roli i prijësve fetarë me direktiva serbo – ruse, ka qenë i pranishëm në jetën e njeriut tonë dhe për shumë çështje ka ndikuar në ndryshimin e mendimit kombëtar në disa periudha edhe vendimtare të emancipimit fetar e kulturor te tij. Ky roman dhe të tjerët që janë shkruar e botuar dhe ato që do vijnë nga pena e Ibrahim Kadriut janë shpalosje për kulturën tonë, si kujtesë dhe realitete nëpër etapat kohore në të cilat e ka zhvilluar jetën shoqëria shqiptare. Duke i njohur këto realitete historike dhe zhvillime shoqërore, lexuesi i sotëm ka mundësi të përafrojë mendimin filozofik që kishte dhe ka në ndërdijen e tij njeriu jonë. Duke kaluar nëpër këto procese jetësore jeta krijon rrjedhën e saj nëpër kohë, kështu kanë vepruar edhe popujt më të avancuar ne se. Vepra e Ibrahim Kadriut avancon e dikton filozofinë e vetëdijësimit për njeriun e sotëm dhe kombin tonë. Ajo brenda tërësisë së saj, ka komunikim të lirshëm dhe afron mundësi për njohje e shpalosje edhe për shumë hulumtime të tjera për të kaluarën tonë, me synim për të ngritur vetëdijen shoqërore dhe zhvillimore në aktualitetin e sotëm dhe atë që po ndërtojmë ne për të ardhmen.
Në këtë vëllim, Labinot Berisha ka zgjedhur për botim shkrime, të cilat krijojnë mundësi për njohje e depërtime më funksionale për lexim e dokumentaritet për veprën artistike të Ibrahim Kadriut. Duke u krijuar mundësi e lehtësi të gjithë atyre që merren me studime më të avancuara shkencore të veprës së tij
Rëndësia dhe vlera e këtyre shkrimeve mbetet çështje e hapur si gjithmonë, njëkohësisht ajo krijon bazën e mendimit shkencor në këto vlerësime e përshtypje të autorëve tanë dhe atyre të huaj që janë marrë me veprat e Ibrahim Kadriut. Konsideroj se libri është begatuar edhe me intervistat, të cilat i ka dhënë autori me disa nga publicistët e kësaj periudhe. Pyetjet dhe përgjigjet për të ndodhurat në fiksime e realitete, Ibrahim Kadriu i ka dhënë përmes fjalës së gjallë e konkrete, në shpërndarjen e saj në kohën e duhur, si për të kaluarën, po ashtu edhe për të sotmen, në mesazhin e dhënë që artikulon të ardhmen. Veprat si kjo me punime të zgjedhura nga Labinot Berisha, i cli edhe e ka përgatit për shtyp librin “Qasje veprave të Ibrahim Kadriut II” kanë vlerën dhe rëndësinë shumëdimensionale për të gjitha shtresat e lexuesit të sotëm dhe atij që vjen. Libri brenda kopertinave ruan aspektet e parashtrimeve kohore në komunikim e ndërtim të ngritjes së cilësisë në këtë fushë artistike si dhe afron rrjedhat e letërsisë së sotme shqiptare.

Gjilan, më 23 prill 2018

You Might Also Like